Ishte në çdo gjë një personazh i tepruar, pa limite, i madhështor, si në gjenialitetin e tij të padiskutueshëm aktorial, ashtu edhe në karakterin e pamundur dhe në përmasat trupore: George Orson Welles, i quajtur The Great One (ishte 1,83 m i gjatë), ka qenë një nga autorët, aktorët dhe regjisorët më të mëdhenj të kinemasë amerikane.
Lindi në Kenosha, Wisconsin, më 6 maj 1915 nga Richard Head Welles, shpikës dhe biznesmen, dhe Beatrice Ives, pianiste dhe qitëse e talentuar. Familja, e pasur dhe kozmopolite, përziente origjinat gjermane, irlandeze dhe skoceze.
I jashtëzakonshëm
Orson ishte një fëmijë i mrekullueshëm: luante piano dhe violinë, aktronte, pikturonte, shkruante poezi, fliste frëngjisht shumë mirë dhe argëtonte miqtë me lojëra magjie dhe me skena të shkurtra nga Shekspiri. Por prindërit u ndanë kur ai ishte katër vjeç dhe e ëma vdiq kur ai ishte vetëm nëntë.
Në vitin 1926, Welles hyri në shkollën ekskluzive Todd School në Woodstock, Illinois, një shkollë eksperimentale ku mundi të shfaqte talentin e tij të hershëm në skenën shkollore. Kur edhe babai vdiq, në vitin 1930, u mor nën kujdes nga një mik i familjes, mjeku Maurice Bernstein. Pas diplomimit nuk vazhdoi studimet universitare, por ndoqi për pak kohë Art Institute of Chicago përpara se të transferohej në Dublin për t’iu përkushtuar teatrit.
Me teatrin e sapokrijuar Gate Theatre, ku hyri duke trilluar një eksperiencë që nuk e kishte, pati një sukses të jashtëzakonshëm. Qëndroi një vit, më pas kaloi në Londër dhe Nju Jork, përpara se të bënte një udhëtim të gjatë mes Marokut dhe Spanjës. Vetëm në vitin 1934, me debutimin në Nju Jork në rolin e Tebaldos në një vënie në skenë të Romeo dhe Zhulieta, karriera e tij mori hov, falë edhe popullaritetit tashmë të fituar në radio, për zërin e tij të thellë dhe të dallueshëm.
Më 30 tetor 1938, tashmë i martuar dhe baba i vajzës së vogël Christopher, shkaktoi “skandal” duke interpretuar një lajm të rremë radiofonik, i cili rrëfente drejtpërdrejt, me një tension në rritje, zbarkimin e marsianëve armiqësorë në New Jersey. Ishte një adaptim gjenial i romanit të H.G. Wells Lufta e Botëve, por transmetimi – në praktikë fake news-i i parë mediatik i historisë – shkaktoi panik të madh mes dëgjuesve.
Suksesi qe i jashtëzakonshëm dhe i hapi atij dyert e Hollywood-it, me të cilin, megjithatë, Welles nuk pati kurrë marrëdhënie të lehta.
Në vitin 1939, ai firmosi një kontratë të jashtëzakonshme me shtëpinë e prodhimit RKO, e cila në letër i garantonte autonomi pothuajse të plotë, por në realitet nuk ndodhi kështu. Për debutimin e tij kinematografik, Welles ëndërronte të sillte në ekran “Zemra e errësirës” të Conrad-it, por projekti nuk u realizua. Fama, të paktën ajo pas vdekjes (meqë publiku nuk e shpërbleu kurrë), erdhi vetëm në vitin 1941 me “Citizen Kane”, film që ai e shkroi, e drejtoi, e prodhoi dhe e interpretoi vetë, dhe që sot konsiderohet një kryevepër. Vetëm 26-vjeçar, Welles imponoi stilin e tij personal, të bazuar në xhirimet bardhë e zi dramatik, xhirime nga poshtë, muzikë ngacmuese, dialogë të shpejtë e të mbivendosur, lëvizje të gjata kamere dhe xhirime të guximshme me vinç: një nga debutimet më të bujshme në historinë e kinemasë.
Në film ai interpretonte Charles Foster Kane, një manjat të paskrupullt të shtypit (i frymëzuar nga botuesi William R. Hearst), i cili, nisur nga origjinë modeste, grumbullon një pasuri të pamasë nga e cila nuk arrin të gëzojë, i mposhtur nga ambicia e tij verbuese. “Rosebud”, slita e famshme prej druri që shfaqet në skenat finale të filmit, simbolizon mallin për pafajësinë e humbur të fëmijërisë dhe këtë vit është shitur në ankand për 14,75 milionë dollarë.
Kane ishte vetëm i pari nga shumë personazhet problematikë që Welles adhuronte të rrëfente: figura të ngritura dhe të rrënuara nga veset dhe pasionet e trishtueshme – si George tek The Magnificent Ambersons (1942), Macbeth (1948), Otello (1951), Gregory Arkadin tek Confidential (1955), detektivi Hank (1958), Falstaff (1965) dhe Jake Hannaford tek The Other Side of the Wind. Ky i fundit, i xhiruar mes viteve 1970 dhe 1976 bashkë me regjisorë dhe miq si Peter Bogdanovich dhe John Huston, u përfundua dhe u shpërnda vetëm në vitin 2018.
Detaje të errëta
Lista e projekteve të nisura që kurrë nuk u përfunduan është mbresëlënëse: gjithmonë në konflikt apo në gjyq me drejtuesit e studiove dhe gjithnjë pa para, Welles u përkul ndaj gjithçkaje, pranoi edhe role të vogla e absurde vetëm që të mblidhte disa dollarë për filmat e tij dhe për familjen e gjerë.
Ai u martua tri herë, me Virginia Nicolson, Rita Hayworth dhe Paola Mori, nga të cilat pati tre vajza.
Me Hayworth, me të cilën punoi tek Zonja e Shangait (1948), marrëdhënia ishte më e trazuara: madje e detyroi të priste dhe t’i lyente biond platin flokët e saj të kuq. Por mbi filmin rëndonin edhe hije të tjera: Harry Cohn, bosi i Columbia Pictures, urdhëroi të priteshin disa skena finale të xhiruara në Luna Park, sepse manekinët e gjymtuar që shfaqeshin aty i kujtonin vrasjen e aktores Elizabeth Short, trupi i zhveshur dhe i sakatuar i së cilës, i prerë në dysh, ishte gjetur buzë një rruge periferike në Los Angeles në vitin 1947. Krimi, i njohur si rasti “Dahlia e Zezë”, tronditi Amerikën dhe nuk u zbardh kurrë.
Në vitin 1999, Mary Pacios, një mike fëmijërie e viktimës, në një libër arriti ta akuzonte hapur Welles për vrasjen, për shkak të “fiksimit të tij për të prerë gjithçka më dysh”. I munduar nga demonët e tij, regjisori kishte treguar njëherë për David Frost se ishte bërë aq i aftë si magjistar dhe si fallxhor, saqë pothuajse i trembej vetvetes. Në vitin 1977, George Lucas donte që Welles t’i jepte zërin Darth Vader-it në Star Wars, por më pas hoqi dorë; megjithatë e deshi si zërin rrëfyes të trailer-ave.
Fjalët e fundit
Regjisori vdiq në Hollywood, më 10 tetor 1985, i goditur nga një atak në zemër, pak pas pjesëmarrjes në Merv Griffin Show: në atë kohë peshonte mbi 160 kg, për shkak të pasionit për biftekë të gjakosur dhe uiski skocez. Hiri i tij u vendos në një pus të mbuluar me lule në haciendën e toreros Antonio Ordóñez, në Ronda, Spanjë, ku Welles kishte kaluar kohë të lumtura dhe që e konsideronte strehën e tij të fundit.
Në një nga batutat e tij të famshme, por dhe shumë therëse kishte deklaruar: «Nuk lutem, sepse nuk dua ta mërzis Zotin». / bota.al