Shkence

Pamjet psikedelike të fushës magnetike të Diellit

Lëvizjet e fushës magnetike në sipërfaqen e Diellit, në një video të realizuar me të dhënat e mbledhura gjatë gati katër vjetëve vëzhgime

Duket si strobosfera e një klubi nate, por në fakt është Dielli në videon e fundit të realizuar nga NASA (shih videon ne fund te artikullit). Pas gati katër viteve vëzhgime të kujdesshme, agjencia amerikane e hapësirës ka ndërtuar me të dhënat e mbledhura, një model interesant kompjuterik, që tregon veprimtarinë e fushës magnetike diellore nga janari 2011 deri në korrik 2014. Po të mos ishte për këto simulime digjitale, nuk do të ishte e mundur të shihnim “baletin” psikedelik të rrezeve të emetuara nga ylli ynë, sepse kurora diellore lëshon dritë në gjatësi vale të padukshme për ne.

MODELI DHE FUSHA

Video, e përpunuar me modelin Potential Field Source Surface duke filluar nga matja e forcës dhe drejtimit të fushës magnetike diellore mbi sipërfaqen e yllit, tregon linja të ndryshme të fushave që gjeneron Dielli: ato të kuqe dhe të gjelbëra tregojnë një fushë magnetike të hapur që zgjerohet në hapësirë, ato të bardha një rreth i cili rikthehet në fotosferë.

DINAMIKA DIELLORE

Cikli magnetik diellor zgjat njëmbëdhjetë vjet. “Në korrespondencë me maksimumin diellor, fusha magnetike paraqet një formë shumë komplekse, e karakterizuar nga disa rajone aktive. Ndërkohë që, sa më shumë që i afrohesh minimumit diellor (i fundit në vitin 2008), aq më shumë fusha është e dobët dhe e përqendruar në polet”, shpjegon shkencëtari i NASA-s, Dean Pesnell.

Kuptimi i ligjeve natyrore që udhëheqin këto dinamika, është hapi i parë për të kuptuar një seri fenomenesh që ndikojnë mbi Tokën, të tilla si dritat e veriut, por edhe për të parashikuar stuhitë dhe shpërthimet diellore që mund të shkaktojnë probleme në telekomunikacion, në planetin tonë. Sidomos tani që Dielli po kalon nëpër një periudhë aktiviteti të dendur. /Fokus-bota.al

Leave a Reply

Back to top button