BotaMAIN

Pandemia, bota duhet të vëzhgojë me vëmendje situatën në Kinë dhe të vazhdojë testimet

Nga Devi Sridhar

Pas gati 3 vjet përpjekje për ta eliminuar tërësisht virusin që shkakton Covid-19 brenda kufijve të saj, qeveria kineze ka ndryshuar papritmas kursin. Tani vendi po përpiqet të jetojë me Covid-19. Nuk kërkohen më testime, dhe numri i rasteve të raportuara zyrtarisht meCovid-19 është kontradiktor me vlerësimet shkencore të situatës.

Ndërsa vlerësimet zyrtare sugjerojnë se ka rreth 4.000 raste me Covid-19 në ditë, shkencëtarët vlerësojnë se numri është më shumë se 1 milion. Numri zyrtar i vdekjeve është po aq i pabesueshëm. Mungesa e transparencës nga qeveria kineze, dhe mungesa e besimit tek ajo që thotë, ka shkaktuar shqetësim në mbarë botën.

SHBA-ja, Italia, Japonia, Tajvani dhe India, janë ndër vendet që kanë vendosur tashmë kontrolle të rrepta mbi fluturimet që vijnë nga Kina. Po ashtu Britania po kërkon testimin e udhëtarëve që vijnë nga Kina. Përveç kësaj, Agjencia e Sigurisë Shëndetësore do të fillojë të monitorojë një mostër pasagjerësh për të identifikuar në kohë çdo variant të ri që hyn në vend.

Këto politika të reja në Perëndim, pasojnë një periudhë të “rikthimit në normalitet. Ato kanë shkaktuar debatin nëse testimi i udhëtarëve që mbërrijnë në një vend është një strategji e dobishme apo kryhet më shumë për dukje. Këto argumente janë konfuze, por çështjet thelbësore janë:Çfarë lloj testimi është i dobishëm, dhe çfarë objektivi i shërben?

Synimi e parë e testimit është identifikimi i rasteve pozitive, në mënyrë që të ndalohet transmetimi i mëtejshëm. Sigurimi i provave të një testi negativ përpara se të hipni në një avion, do të thotë se ka më pak raste pozitive në bord, dhe për rrjedhojë më pak të tilla në një vend.

Por rastet e importuara bëjnë një dallim thelbësor vetëm nëse rastet e brendshme janë të ulëta. Në verën e vitit 2020, me një numër të ulët të rasteve në të gjithë Britaninë, kishte kuptim të zbatoheshin politika të rrepta për të parandaluar importimin e rasteve të Covid-19 nga jashtë.

Rastet e reja do të mbilleshin brenda komuniteteve dhe do të shkaktonin vatra të mëdha epidemike. Megjithatë sot Covid-19 është endemik në Britani dhe SHBA. Kjo nuk do të thotë se ai është ai është tërësisht i padëmshëm, por që numri i rasteve nuk ka të ngjarë të ndikohet nga rastet e reja të importuara.

Duke pasur parasysh këtë situatë, nuk ka kuptim testimi i pasagjerëve nga Kina me synim reduktimin e numrit të rasteve të brendshme. Synimi i dytë i testimit është zbulimi i varianteve të reja që mund të jenë më të transmetueshme, që shmangin imunitetin ekzistues duke i riinfektuar shpejt njerëzit, apo që shkaktojnë sëmundje më të rënda.

Ndërsa është i pamundur ndalimi i plotë i përhapjes së një varianti të ri, zbulimi i shpejtë i një lloji të ri, mund të ndihmojë në vonimin e përhapjes së tij, dhe të ofrojë të dhëna të vlefshme në lidhje me mënyrën më të mirë për tiu përgjigjur një situate në ndryshim.

Testimi i çdo personi që mbërrin nga Kina nuk është i nevojshëm. Kampionimi i rastësishëm i pasagjerëve nga Kina do të mjaftonte për të mbajtur nën kontroll variantet e reja, dhe për të parë nëse është shfaqur një variant i ri që nuk është përhapur ende gjerësisht në Britani.

Tani mbikëqyrja mund të kryhet edhe nëpërmjet testimit të ujërave të zeza tek avionët e linjave ndërkombëtare. Ato do të tregonin se çfarë variante mund të kenë pasur pasagjerët,dhe nuk do të kërkonin të dhëna individuale nga secili pasagjer. Kjo praktikë është përdorur tashmë për të treguar se edhe kur pasagjerët rezultojnë negativë në testet para nisjes sëudhëtimit, ka ende raste pozitive me Covid-19 në mesin e pasagjerëve.

SHBA-ja po merr në konsideratë shtimin e këtij testimi në kërkesat ekzistuese të një testi negativ para nisjes së një udhëtimi. Kanë kaluar 3 vite që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e paralajmëroi për herë të parë botën për një grup të ri rastesh në Vuhan, dhe shumica e vendeve po gjejnë një mënyrë për të bashkëjetuar me Covid-19, nëpërmjet një kombinimi të vaksinave dhe valëve të mëdha të infeksioneve.

Por a mund të shfaqet një variant i ri, që do ta ndryshonte të gjithë situatën aktuale? Duket e pamundur të ndodhë, por ne duhet të vlerësojmë vazhdimisht të dhënat e reja, dhe të reagojmë me zbatimin e politikave të përshtatshme. Ne s’mund të jetojmë në një gjendje të vazhdueshme paniku dhe shqetësimi, por mund të përgatitemi, planifikojmë dhe hedhim që tani bazat për një reagim të shpejtë ndaj rreziqeve të ardhshme shëndetësore.

Në fillim të këtij viti, qendra e pandemisë është rikthyer në Kinë. Për shkak të manisë sëqeverisë komuniste për të mbrojtur me çdo kusht reputacionin e saj, dhe për të censuruar narrativat politike zyrtare në vend se të sigurojë transparencë, është e vështirë të kuptojmë se çfarë po ndodh realisht atje.

Por sërish duhet të kujtojmë se Kina nuk është vetëm qeveria e saj. Qytetarët e saj po përballen me valën e tyre më të rëndë Covid-19, dhe shkencëtarët kinezë po i ofrojnë botës të dhëna të vlefshme, shpeshherë me një kosto të madhe për veten e tyre.

Shënim:Devi Sridhar, drejtues i Institutit të Shëndetit Publik Global në Universitetin e Edinburgut, Skoci. / The Guardian – Bota.al

Back to top button