Bota

Pasojat e krizës evropiane të refugjatëve

Nga 1.5 milionë refugjatë që mbërritën në Bashkimin Evropian vitin e kaluar, më shumë se 1 milionë prej tyre përfunduan në Gjermani, por atmosfera fillimisht mikpritëse, ka ndryshuar në mënyrë drastike

refugjate

Nga Guntram B.Wolff

Kriza e refugjatëve ka dominuar titujt e mediave muajt e fundit, me vlerësimet aktuale që sugjerojnë se ende në BE hyjnë deri në 4000 njerëz çdo ditë. Nëse kjo prirje vazhdon, do të ketë së paku 1 milionë refugjatë të rinj deri në fund të këtij viti. Deri kohët e fundit, kancelarja gjermane Angela Merkel ka gëzuar mbështetje popullore mbi politikën e saj të dyerve të hapura ndaj refugjatëve. Gjermanët mirëpritën refugjatët, që i ikën luftërave në Siri dhe gjetkë.

Megjithatë, sulmet seksuale ndaj dhjetëra grave në prag të Vitit të Ri në Gjermani, të cilat u kryen nga disa grupe të rinjsh, duke përfshirë edhe azilkërkuesit, e kanë ndryshuar humorin mbizotërues. Anketat e fundit tregojnë se mbështetja për kancelaren dhe qëndrimin e saj mbi emigracionit, kanë rënë dukshëm. Ndërsa në dhjetorin e shkuar, më shumë se gjysma e popullsisë mendonte se Gjermania do të jetë në gjendje të menaxhojë numrin e madh të refugjatëve, kjo përqindje aktualisht ka rënë në rreth 35 përqind.

Gjermania mund të përballet me kostot fiskale të krizës së refugjatëve, por gjermanët po e humbasin besimin se emigrantët mund të integrohen me sukses në shoqërinë e tyre. Sistemi politik gjerman, ka të ngjarë të pranojë më pak refugjatë në vitin 2016. Unë shoh dy zhvillime të mundshme këtë vit.

Zhvillimi i parë është një zgjidhje europiane e krizës së refugjatëve. Politikanët në të gjithë Evropën, janë duke luftuar për një qasje të tillë që përfshin kancelaren gjermane dhe ministrin e saj të Financave, Volfgang Shojble. Ajo përbëhet nga 3 elementë. Së pari, kufijtë e jashtëm të zonës Shengen të BE-së – zona në të cilën është i mundur udhëtimi pa pasaportë – duhet të menaxhohen më mirë. Refugjatët duhet të regjistrohen si duhet në kufi.

Së dyti, të zvogëlohet numri i emigrantëve që s’mund të qëndrojnë por edhe numri i refugjatëve, vendet fqinje të BE-së do të duhet të bashkëpunojnë në këtë drejtim, veçanërisht Turqia. Së treti, refugjatët duhet të shpërndahen në të gjithë BE-në, në vend se të përqëndrohen kryesisht në Suedi dhe Gjermani.

Është shumë më e lehtë të trajtosh një milionë refugjatë, nëse barra shpërndahet në të gjithë Evropën:BE-ja ka një popullsi prej 500 milionë banorësh, në krahasim me 80 milionë që ka Gjermania. Pengesat për një zgjidhje të tillë evropiane janë të frikshme. Menaxhimi i kufijve të  jashtëm është një detyrë e rëndësishme. Greqia, ku mbërrijnë fillimisht shumica e refugjatëve, vuan nga një sektor publik i dobët, dhe është e përbërë nga ishuj të shumtë, shpesh vetëm pak kilometra larg Turqisë.

Turqia është një fqinj thelbësor, por qeveria e vendit është vënë nën kritika të ashpra për qëndrimin e saj ndaj lirive civile. Vetë Turqia tashmë ka pranuar më shumë se 2 milionë refugjatë, dhe në jug kufizohet drejtpërsëdrejti me Sirinë. BE-ja ka rënë dakord t’i japë 3 miliardë euro Ankarasë për të nxitur bashkëpunimin, dhe planet për të rishpërndarë 160 mijë refugjatë në të gjithë BE-në – por deri tani vetëm 272 prej tyre janë zhvendosur.

Rishpërndarja është e vështirë, jo vetëm për arsye politike lokale. Mungesa e bazës të të dhënave të mirë-integruara evropiane për refugjatët – për të mos folur për një status të përbashkët evropian për azilkërkuesit, e bën përparimin teknikisht dhe ligjërisht shumë të vështirë. Një zgjidhje europiane do të jetë më e dëshirueshme sesa alternativa, në të cilën Gjermania do të detyrohej të kufizonte seriozisht fluksin e refugjatëve tek kufijtë e saj.

Kjo do të bënte që të gjitha vendet ndërmjet Gjermanisë dhe Greqisë, të mbyllnin njëra pas tjetrës kufijtë e tyre. Refugjatët do të përfundonin të mbërthyer në Greqi apo Turqi. Rifutja e kontrolleve kufitare në të gjithë BE-në, do të ketë pasoja të rëndësishme ekonomike. Jo vetëm 1.7 milionë emigrantët e fundit do ta kenë gjithnjë e më të vështirë për të gjetur punë, por proceset e prodhimit që mbështeten në një zinxhir të gjatë vlerash dhe produktet e ndërmjetme që vijnë nga e gjithë Evropa, do të ndërpriten në një mënyrë serioze.

Më të rëndësishme mund të jenë pasojat politike të krizës, me partitë populiste që po fitojnë terren në vende të ndryshme. Qeveritë centriste të gjithë Evropën, do të duhet të mësojnë të bashkëpunojnë në mënyrë më efektive mbi krizën e refugjatëve, për të shmangur ndarjen dhe acarimet e forta mes tyre.

“Bruegel” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button