AnalizaMAIN

Pazari i fshehtë i Vladimir Putinit: Ukraina në këmbim të Venezuelës

Duke dëshmuar para Kongresit, tre vite përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën, këshilltarja e atëhershme e Donald Trumpit për Rusinë bëri një pohim të jashtëzakonshëm.

Fiona Hill, e lindur në Durham dhe e njohur për qëndrimin e saj të ashpër ndaj Kremlinit, paralajmëroi se Moska po kërkonte një “dorë të lirë” në Ukrainë, në këmbim të shkëputjes së lidhjeve me Venezuelën.

Rusët, tha ajo, “po sinjalizonin shumë qartë se donin të krijonin një marrëveshje shumë të çuditshme shkëmbimi mes Venezuelës dhe Ukrainës”, dëshmi që ajo e dha para Kongresit amerikan.

Operacioni ushtarak amerikan i tipit “godit dhe largohu”, i kryer të shtunën në mëngjes për të kapur Nicolás Maduron, ka ringjallur kujtimet e këtij pazari që ishte në tryezë që në vitin 2019, kur Hill foli publikisht për herë të parë.

Sulmi i forcave speciale Delta Force në Venezuelë u zhvillua me një lehtësi befasuese: pothuajse asnjë rezistencë serioze nga mbrojtja ajrore e furnizuar nga Rusia.

Vëzhguesit shqetësohen se ndërhyrja në Venezuelë mund të shërbejë, të paktën, si një sinjal për Rusinë, në një kohë kur ajo vazhdon luftën në Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara po tërhiqen gradualisht nga mbështetja e drejtpërdrejtë për Europën.

“Ndikimi shumë i qartë dhe energjik i Trumpit në Hemisferën Perëndimore mund të çojë në një mirëkuptim të heshtur: ne drejtojmë këtu, ata drejtojnë në lagjen e tyre,” tha për The Telegraph John E. Herbst, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë. “Ka ukrainas që e kanë ndarë këtë mendim.”

Kremlini nuk është distancuar plotësisht nga kjo ide.

Dmitry Medvedev, ish-president i Rusisë dhe një figurë ende shumë pranë Vladimir Putinit, deklaroi se, edhe pse veprimet e Trumpit ishin të paligjshme, ato përputheshin me historikun e tij të mbrojtjes së interesave kombëtare amerikane, duke shtuar se Amerika Latine është pjesë e “oborrit” të SHBA.

“Jeni në oborrin tonë”

“Gjuha e Medvedevit pasqyron atë të zyrtarëve dhe komentatorëve rusë që në vitin 2019,” tha Fiona Hill, tashmë studiuese e lartë në Institutin Brookings, për The Telegraph.

Në atë kohë, ajo e krahasoi propozimin rus me Doktrinën Monroe, politikën e shekullit XIX të shpallur nga presidenti amerikan James Monroe, që synonte të përcaktonte sferën e ndikimit të SHBA-së. “Ata në thelb po thoshin: Ju keni Doktrinën Monroe. Doni që ne të largohemi nga oborri juaj. Mirëpo edhe ne kemi versionin tonë. Ju jeni në oborrin tonë në Ukrainë,” dëshmoi ajo.

Ky parim është përqafuar me entuziazëm muajt e fundit nga administrata Trump, e pagëzuar tashmë si “Doktrina Donroe”, si pjesë e përpjekjes për të shpallur Hemisferën Perëndimore të mbyllur për rivalët strategjikë, përfshirë Rusinë dhe Kinën. “Kjo është Hemisfera Perëndimore. Këtu jetojmë ne, dhe nuk do të lejojmë që kjo hapësirë të shërbejë si bazë operacionesh për kundërshtarët, konkurrentët apo rivalët e Shteteve të Bashkuara,” deklaroi të dielën Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Në pamje të parë, operacioni i guximshëm i presidentit amerikan i dha një goditje të rëndë Putinit, duke ia prerë Moskës aleatin më të afërt në rajon dhe një burim të rëndësishëm të ardhurash nga nafta.

Demonstrimi i fuqisë ushtarake amerikane gjithashtu dëmtoi më tej reputacionin e garancive të sigurisë ruse, të cilat tashmë ishin ekspozuar nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit në Siri dhe bombardimet amerikane të objekteve bërthamore në Iran vitin e kaluar.

Volodymyr Zelensky nuk arriti ta fshehë një buzëqeshje ironike kur u pyet për sulmet, duke u thënë gazetarëve: “Nëse mund ta bësh këtë me diktatorë, kaq kollaj, atëherë Shtetet e Bashkuara e dinë shumë mirë se çfarë duhet bërë më pas.”

Por analistët paralajmërojnë gjithashtu se mesazhi për Rusinë dhe Kinën është i qartë: ne kujdesemi për oborrin tonë, ju kujdesuni për tuajin. Pavarësisht dënimit publik të sulmeve dhe kërkesës për lirimin e Madurós, propagandistët e Kremlinit kanë bërë krahasime mes operacionit amerikan dhe pushtimeve ushtarake ruse.

Alexander Dugin, filozofi ultranacionalist i njohur si “Rasputini i Putinit”, deklaroi: “Kapja e Madurós tregon se e drejta ndërkombëtare nuk ekziston më, ekziston vetëm ligji i forcës.”

Senatori rus Alexey Pushkov akuzoi SHBA-në se po e kthente botën në “imperializmin e egër të shekullit XIX”, duke shtuar: “A do të shndërrohet ky ‘triumf’ në një katastrofë?”

Ndërkohë, blogerët pro-luftës në Rusi shprehën admirim në Telegram, duke diskutuar se si ushtria e Putinit mund të mësonte nga operacioni “shembullor” amerikan. “Shtetet e Bashkuara kryen një grusht shteti në Venezuelë, goditën vendin dhe treguan se e drejta ndërkombëtare nuk ka asnjë vlerë për një komb që e konsideron veten hegjemoni,” tha Igor Girkin, ish-ushtar dhe ish-oficer i FSB-së, sot komentator politik.

“Me pak fjalë, treguan si duhet të veprojë një fuqi e madhe ndaj kërcënimeve në rritje, përpara se ato të bëhen serioze dhe të pakapërcyeshme.”

Ukraina në dilemë

Adoptimi i hapur i diplomacisë së fuqive të mëdha nga SHBA-ja dhe dëshira për të dominuar Hemisferën Perëndimore i vendos liderët perëndimorë përballë një dileme, dhe askënd më shumë se Ukrainën.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, reagoi me tone të përmbajtura, duke dënuar regjimin e Madurós për shkeljet e të drejtave të njeriut, por duke theksuar se zhvillimet duhet të ecin “në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare”.

Ishte një reagim i matur, që reflektonte hezitimin e Ukrainës për të mbështetur veprime të njëanshme ushtarake kundër një shteti sovran, pikërisht atë kundër së cilës ajo po lufton prej tre vitesh.

Sipas Michael Kofman, analist ushtarak në Carnegie Endowment for International Peace, vendimi i administratës Trump për të goditur Venezuelën pa as “shtresën minimale të justifikimit” e gërryen rëndë rendin ndërkombëtar.

Ai shton se kjo do ta bëjë shumë më të vështirë për SHBA-në, në të ardhmen, të bindë shtete të tjera se sjellje të tilla duhet të ndëshkohen. “Duke përdorur forcën për të imponuar hegjemoninë e saj në Hemisferën Perëndimore, SHBA-ja po shkëmben fitime afatshkurtra me një kosto strukturore afatgjatë për pozitën e saj globale dhe avantazhet ndaj rivalëve si Rusia dhe Kina,” tha ai.

Përmbysja e Madurós ka marrë reagime të përziera mes mbështetësve të Ukrainës. “Askush në Ukrainë nuk shqetësohet se si Rusia do ta justifikojë agresionin e saj,” tha Serhii Kuzan, kryetar i Qendrës Ukrainase për Siguri dhe Bashkëpunim, duke bërë thirrje që SHBA-ja të veprojë me të njëjtën vendosmëri edhe ndaj Moskës.

Sipas Herbst, paraliza e Rusisë përballë operacionit amerikan tregon “rënien e fuqisë së saj globale”. “Ushtria jonë është shumë më superiore, por edhe aftësia e Rusisë për të projektuar fuqi ka rënë ndjeshëm që kur u zhyt në luftën në Ukrainë,” tha ai.

Trump ka mburrur gjithashtu pasuritë që do të vijnë nga kontrolli i tregut venezuelian të naftës, duke shkaktuar shqetësim në Moskë, ku Putini është mbështetur te të ardhurat nga energjia për të financuar luftën.

Oligarku Oleg Deripaska paralajmëroi se Trump mund ta falimentojë Kremlinin nëse arrin të ulë çmimet globale të naftës.

Megjithatë, mbeten dyshime se largimi i Madurós do t’i japë fund ndikimit rus.

Delcy Rodríguez, presidentja e përkohshme e Venezuelës, e cila thuhet se ndodhej në Rusi në momentin e kapjes së Madurós, deklaroi së fundmi se lidhja mes Moskës dhe Karakasit “nuk mund të shkatërrohet”.

Ajo u përfshi në një përplasje verbale me Trumpin gjatë fundjavës, duke kundërshtuar pretendimet se do të bënte “çfarëdo që kërkon” administrata amerikane. Nëse SHBA-ja nuk arrin të ushtrojë ndikimin e dëshiruar mbi udhëheqësen e re venezueliane, tha Herbst, “kjo mund t’i kthehet në bumerang Amerikës, dhe të jetë në avantazh të Rusisë”.

Ndërsa Ukraina po përqendrohet në kushtet e një marrëveshjeje paqeje, garancitë e sigurisë janë bërë një çështje kyçe, me Kievin që i kërkon Trumpit angazhim afatgjatë, një propozim që ka irrituar Moskën.

Presidenti amerikan ka qenë i paqëndrueshëm në mbështetjen për Ukrainën, por ditët e fundit ka shfaqur irritim ndaj Rusisë, duke deklaruar: “Nuk jam i kënaqur me Putinin. Ai po vret shumë njerëz.”

Por ndërsa Trump sinjalizon një rikthim në një rend botëror të bazuar në sfera ndikimi, analistët paralajmërojnë se kjo nuk do të vijë pa kosto. “SHBA po i qaset kësaj lufte si një fuqi klasike e madhe,” përfundoi Kofman, “atëherë duhet pyetur: sa vlerë reale do të kenë këto garanci sigurie?” / The Telegraph – Bota.al

Back to top button