Nunc est Bibendum

Për Gjelin e detit dhe verën

 

E çfarë Krishtlindjesh do të ishin pa gjel deti?! Ky mish i shijshëm ka qenë traditë e tryezës anglo-saksone që në shekullin e XVI, por ishte periudha Viktoriane ajo që e përligji gjelin e detit në tryezat festive të Krishtlindjeve. Edhe në Shqipëri, të paktën prej sa mbajnë mend ne të Nunc est Bibendum, gjeli i detit është simboli i ditëve të fundvitit. E meqë për verë dhe çfarë vërtitet rrotull saj flasim në këtë dritare, dy konsiderata drejtuar lexuesit tonë dhe atyre që ndajnë apo përgatisin për të, miq, bashkëshortë a thjesht bashkëgostitës, do të ishin me vlerë për veç se interesante.

Gjeli i detit është një mish i bardhë jo i fortë, me përmbajtje të ulët yndyrnash – kjo është edhe arsyeja kryesore pse mund ta thani atë më shumë nga ç’duhet, nëse nuk e piqni në mënyrë të kujdesshme. Duke pasur parasysh këtë, vera ideale për ta shoqëruar duhet me përmbajtje sa më të ulët të tanineve (e thënë më thjeshtë, edhe pse në mënyrën jo më ortodokse, taninet janë ato elemente përgjegjës për efektin rrudhës në qiellzën tonë pas një gllënjke).

Ta bëjmë të qartë që tani, se në respekt të barazisë gjinore, por edhe të simpatizantëve të pulave të detit, këshillat tona i referohen të dy sekseve të këtij shpendi, që aq shumë na shijon në çdo kohe të vitit. Po këtu e më poshtë do të vijojmë të përmendim gjelin, duke pasur ndërmend pula e gjela bashkë.

Mund të pohojmë me plot gojë se taninet janë armiku i darkës suaj të Krishtlindjeve. Ato janë pra kundërshtuesi i gjelit që keni gatuar, pasi ky nuk ka yndyrën e duhur (për t’u kuptuar në sensin më kimik të termit) që të zbusë taninet. E teksa vera do të na duket e sertë, edhe shija e kripur e gjelit do të na e bëjë shijen e verës, të duket edhe më e hidhur.

Prandaj një nga zgjedhjet më të mira si verë e kuqe për gjelin e detit, do të ishte një Pinot Noir (verë e përftuar nga rrushi me të njëjtin emër) me tanine mesatare. Një verë e tillë, kush është i apasionuar e di mirë, ndryshon shumë nga parcela në parcelë e nga njëra faqe kodre tek tjetra, por të themi që pjesa më e madhe e verërave Pinot, pavarësisht kontinentit prej nga vijnë, do të bënte për rastin e gjelit të detit. Evitojmë këtu të këshillojmë etiketa specifike.

Me kujdes ama, sepse sa më i lehtë e më elegant të jetë Pinot i juaj, aq më shumë do të nënshtrohej nga përbërësit e ndryshëm të pjatës suaj të gjelit.

Nëqoftëse nuk jeni tifozë të rrushit Pinot, një Bordeaux, një Chianti apo një Rioja, jo fort të reja, taninet e të cilave do të ishin zbutur e integruar nga mosha, do të ishin po ashtu një shoqërim i mirë për gjelin tuaj.

Nëse do të donit një të bardhë për të shoqëruar gjelin, këshilla jonë do të ishte, një Chardonnay (verë e bardhë prej rrushit me të njëtin emër). Shpesh e bardha injorohet nga tryezat e Krishtlindjeve, kur pjatat e detit nuk janë të pranishme, por një Chardonnay do të ishte një kombinim i arritur sidoqë të jetë garnitura në pjatë. Nëse Chardonnay juaj do ishte e vjetëruar në dru lisi, do të dhuronte nota erëzash të ëmbla, ndërkohë qe kremoziteti i acidit laktik do të ndihmonte shumë shijimin e një mishi që ka tendencën të jetë i thatë.

E nëse për darkën tuaj të Krishlindjeve, keni zgjedhur diçka tjeter, si psh mish qingji… na shkruani! / Nunc Est Bibendum – bota.al

Leave a Reply

Back to top button