Bota

Përgjegjshmëria e shteteve dhe aspiratat e tyre për t’u bërë pjesë e BE-së

eu

Nga Alban AVDULLA*

Referuar diskutimeve të zhvilluara me lektoren e Fakultetit të Drejtësisë, Fjori Caka, mbi  të Drejtën e Bashkimit Europian, më tërhoqën vëmendjen aspektet ekonomike brenda familjes së madhe europiane dhe rëndësia që ka ndërgjegjshmëria e shteteve në aspiratën e tyre për tu bërë pjesë e këtij bashkimi shtetesh.

Në mënyrë që të përcjellim thelbin e këtij artikulli, fillimisht do të paraqesim rrugëtimin e bërë për krijimin e Bashkimit Europian dhe qëllimin e krijimit të tij.

Për këtë arsye duhet të kthehemi pas në kohë, pikërisht në vitin 1849, vit ky, në të cilin është mbajtur Kongresi i Paqes, në të cilin Viktor Hygo hedh idenë e tij për një të ardhme të përbashkët dhe një të ardhme që i korrespondonte idealit humanist pacifist. Në atë kohë, si dhe në ditët e sotme ekzistonin dyshimet nëse ky organizim  do të duhej të shfaqej si një konfederatë apo federatë, koncepte këto të cilat kishin përkrahësit e tyre.

Koncepti i Bashkimit Europian kaloi në një dimension të ri në Kongresin e Vjenës, të mbajtur në vitin 1914, në të cilin u paraqit një memorandum prej Henry de Saint Simon-it (politikan dhe teoricien francez). Në këtë memorandum paraqitet vizioni i tij  për një organizim të ri shoqëror, i cili do të materializohej në Konfederatën Europiane, ku rol primar do të kishin Anglia dhe Franca. Koncepti i konfederatës në këtë pikë nuk do të vinte i qartë për shkak të rolit kryesor që Henry de Saint Simon i jepte Francës dhe Anglisë, pavarësisht se kjo si zgjidhje ishte motivuar për shkak se këto dy shtete kishin pranuar parimin e parlamentarizmit, që në atë kohë konsiderohej si një element tepër i rëndësishëm.

Më pas, krizat ekonomike dhe luftërat paraprinë vënien në zbatim të planeve ekzistente dhe iniciativa për krijimin e  Bashkimit Europian mbeti pezull.

Ideja e Bashkimit të shteteve doli sërish në skenë në vitin 1923 prej Kontit Kudenov Kalerg, i cili përpunoi një projekt të ri të bashkimit pan-europian me qendër në Vjenë, por pa imponuar një organizim federativ. Konti përcaktonte se si fillim Europa duhej të ndihmonte veten duke krijuar një bashkim sa më praktik bazuar në një bashkëpunim të fortë politiko-ekonomik. Ky projekt i paraqitur prej kontit ishte dhe një mënyrë e zgjedhur për të luftuar bolshevizmin dhe për t’iu afruar më tepër dominimit ekonomik amerikan.

Në 3 shtator të vitit 1929, ministri i jashtëm francez Briandt, i përkrahur prej homologut të tij gjerman  Gustav Stresman paraqitën një projekt në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Ky projekt përfaqësonte në vetvete një iniciativë të guximshme, i  mbështetur në një lidhje ekonomike, e cila do të shërbente për të rindërtuar ekonominë europiane pas shkatërrimit që pësoi gjatë luftërave.

Të dy projektet e asaj kohe morën rëndësi të madhe sepse vendosën në fokus bashkëpunimin midis shteteve, por pa cënuar sovranitetin e asnjërit prej anëtarëve të bashkimit, i cili ishte një element thelbësor per ta.

Më pas, krizat e vazhdueshme të paqes, ekonomisë dhe politikës bënë që projekti i krijimit të Bashkimit Europian të shtyhej përsëri.

Vijmë në 9 maj 1950, datë kjo, e cila shënoi ndërtimin e themelit të Bashkimit Europian. Ministri i jashtëm francez, Robert Schuman paraqiti planin e tij, i cili evidentonte rivalitetin e përhershëm midis Francës dhe Gjermanisë, që në atë kohë ishin në marrëdhënie tregtare me njëra-tjetrën përsa i përket çelikut dhe qymyrit. Robert Schuman propozonte vendosjen e kësaj marrëdhënieje tregtare nën një autoritet më të lartë në të cilin do të ishin pjesë disa shtete dhe jo vetëm Franca me Gjermaninë. Sipas tij, kjo zgjidhje do t’i jepte fund rivalitetit midis dy shteteve, i cili ka qënë bërthama e luftërave të ndodhura në kohë dhe do të krijonte mundësinë që zgjidhja e cdo konflikti të gjendej në tavolinën e diskutimit duke mos cenuar paqen.

Ky propozim u pranua dhe në 18 prill 1951 u nënshkrua Traktati i Komunitetit Europian të Çelikut dhe Qymyrit në Paris, i cili u fut në fuqi në vitin 1952.

Ky traktat, sikundër dhe plani i Ministrit të Jashtëm francez, prezantonte si qëllimin parësor ‘’ekonominë’’, por në vetvete përmbante dhe një qëllim politik, i cili shërbeu për krijimin  e themelit të Bashkimit Europian.

Në këtë pikë shtetet e  Europës kuptuan një fakt tepër të rëndësishëm që ecte paralelisht me qëlimet e tyre.  Këto qëllime do të renditen si më poshtë:

  1. Ruajtja e paqjes;
  2. Rimëkëmbja ekonomike;
  3. Shndërrimi në një lider potencial botëror.

Për të arritur këto qëllime ata kuptuan se do të ishte i mjaftueshëm zhviillimi ekonomik, i cili si rezultat do të sillte dhe një demokraci të shëndetshme. Si pasojë e saj, bashkëpunimi Europian u forcua edhe më shumë me Komunitetin Europian të Energjisë Atomik, por gjithashtu dhe me projektplanin e krijimit të një Tregu të Përbashkët Europian.

Tregu i Përbashkët Europian u konceptua si një imitim i modelit të tregut të vetëm amerikan, i cili do të përbëhej nga një hapësirë e vetme, pa kufij të brendshëm, me dogana të jashtme, me lëvizje të lirë të mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitalit. Lëvizja e lirë e mallrave, personave, shërbimeve dhe kapitalit në vetvete janë quajtur  ‘’4 (katër) liritë themelore’’, që do të përbënin dhe vetë thelbin e Tregut të Përbashkët Europian.

Projekti për Tregun  e Përbashkët u miratua nëpërmjet Traktatit të Romës, i cili përqendrohej më së shumti në:

  1. Unifikimin e politikës doganore, që i referohet heqjes së doganave mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe ruajtja e tyre me vendet që nuk janë pjesë e BE-së;
  2. Promovimin e katër lirive themelore.

Procesi gradual i bashkimit doganor u finalizua në vitin 1968. Fokusimi vetëm te bashkimi doganor do të bënte të pamundur arritjen e rezultateve të kërkuara prej bashkimit, për shkak të problematikave që shfaqen gjatë këtij udhëtimi.

I gjithë procesi i realizuar shfaqi më së miri nevojën për rregullimin e një serie aspektesh që ecnin paralelisht me bashkimin doganor. Ndër këto nevoja do të mund të rendisnim:

  1. harmonizimin e politikës së taksave;
  2. përshtatjen e legjislacionit të brendshëm me atë të Bashkimit Europian – me qëllim që dispozitat e brendshme të mos shfaqeshin asnjëherë si element pengues për realizimin e tregut të përbashkët.

Nëse tregohemi të vëmendshëm gjatë leximit të këtij punimi do të arrijmë të kuptojmë se e gjithë energjia dhe puna e Bashkimit Eropian u fokusua në krijimin e Tregut të Përbashkët, i cili për të funksionuar kërkonte plotësimin e një serie kushtesh të tjera, të cilat e vendosën bashkimin në sfida të vazhdueshme, kohë pas kohe.

Pra, ajo që nxjerrim si konkluzion është se Bashkimi Europian nuk është gjë tjetër, veçse një bashkëpunim i fortë ekonomik midis shteteve të ndryshme, të cilat me kalimin e kohës pranuan dhe idenë se ky bashkim duhet të vinte gjithnjë e më tepër në rritje me anëtarësimin e një numri shtetesh të tjera.

Pavarësisht kësaj, në menyrë që tu përshtateshin kërkesave të këtij modeli ekonomik, shtetet e tjera të cilat mund të anëtarësoheshin me plotësimin e kushteve të caktuara duhet të tregoheshin shumë të kujdesshme dhe të përgjegjshme për të matur mundësitë që do të kishin për të përballuar ekonomikisht kërkesat që duhet të plotësohen për t’iu bashkuar Europës, kjo, pasi ka të ngjarë që një shtet me sistem të dobët ekonomik, më tepër sesa të ndihmohet nga anëtarësimi në BE, mund të dëmtohet dhe më tepër. Kjo mund të vijë si rrjedhojë e faktit që sisteme të caktuara ekonomike nuk arrijnë të gjenerojnë aq të ardhura sa për të përballuar të gjitha nevojat e tyre si shtet.

Në mbështetje të këtij elementi mund të përmendim detyrimin e shteteve anëtare për heqjen e doganave me shtetet anëtare, i cili përbën një burim ekonomik të rëndësishëm për shumë shtete.

Kjo është një arsye e rëndësishme për të cilën vetë Bashkimi ka specifikuar se është e nevojshme që secili shtet të përqendrohet si fillim te të gjitha burimet ekonomike që përbëjnë avantazh krahasues për të, në mënyrë që integrimi në BE të jetë një proces më i lehtë për tu përballuar.

Me avantazh krahasues do të kuptojmë pikërisht të gjithë elementet ekonomike, të cilat përbëjnë avantazh ekonomik për një vend në raport me vendet e tjera dhe këtu do të mund të rendisnim:

  1. turizmin veror dhe dimëror –për të gjitha vendet që ofrojnë kushte të favorshme për zhvillimin e tyre.
  2. bujqësia– për të gjitha vendet të cilat mund të kenë si burim kryesor ekonomik bujqësinë.
  3. Industria – pwr tw gjitha vendet pasura nw burime minerale.

Nëse fokusohemi për pak çaste në Republikën e Shqipërisë dhe në aspiratat e saj për integrimin në Bashkimin Europian, do të kuptojmë se thelbi nuk është vetëm integrimi, madje integrimi mund të mos jetë zgjidhja ose, edhe mund të mos arrihet kurrë nëse problematikat e sistemit tonë ekonomik nuk rregullohen.

Shqipëria është një vend, i cili në bazë të sistemit ekonomik ka bujqësinë. Pavarësisht se ky fakt shërben si një tregues se ku mund të fokusohet vëmendja e shtetit shqiptar për zhvillim ekonomik, ky sektor nuk ka marrë vëmendjen e duhur dhe vendi gjendet në rrethana kritike.

Për një periudhë të gjatë kohore, në Shqipëri janë zhvilluar politika të cilat kanë orientuar lëvizjen demografike të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane. Duke bërë kështu, punimi i tokave bujqësore pakësohet gjithnjë e më tepër, duke e dëmtuar këtë sektor ekonomik. Si rrjedhojë e mospunimit të tyre, vendi nuk do të ketë mundësi të plotësojë nevojat e tij, nevoja këto që do të plotësohen prej produkteve bujqësore të importuara, të cilat nga verifikimet e vazhdueshme rezulton se ne shumicen e rasteve kanë çmime më të ulta se prodhimet vendase. Kjo ndodh dhe për shkak të nivelit të ulët të subvencioneve shtetërore në këtë sektor ekonomik.

Natyra e prodhimit të kulturave bujqësore është e tillë që i nënshtrohet kushteve natyrore kryesisht dhe normalisht, situatës në treg. Shpenzimet e faktorëve të prodhimit të kulturave bujqësore që janë në Shqipëri janë mjaft të mëdha dhe që e rrisin koston dhe për këtë arsye nuk janë konkurruese ndaj kulturave bujqësore të importuara nga jashtë. Ekspertë të ndryshëm këshillojnë zhvillimin e politikave bujqësore, të cilat vijnë në ndihmë të fermerëve dhe në zgjidhje të këtyre problematikave.

Në konkludim, duke e vendosur këtë në kuadër të aspiratës për tu integruar në Bashkimin Europian, duhet të kuptojmë se fillimisht është i nevojshëm forcimi i degëve avantazhuese ekonomike, me anë të të cilave mund të jemi konkurrues me vendet e tjera të BE, ose në të kundërt këto do të jenë problematika të cilat do të thellohen përsëri dhe Shqipëria do të gjendet me një sistem ekonomik i cili do të pësojë kolaps të vazhdueshëm dhe do të shuhet gjithnjë e më tepër.

* Student i Fakultetit të Drejtësisë.

Leave a Reply

Back to top button