Magazine

Përgjigja e Mark Zuckerberg ndaj Donald Trump është një “kryevepër”. Për ata që duan të mësojnë

Çfarë do të bënit nëse do të akuzoheshit në mënyrë të gabuar – para rreth gati 40 milionë njerëzish? Kjo i ndodhi në Facebook dje në mëngjes, kur presidenti Donald Trump shkroi: “Facebook ka qenë gjithmonë anti-Trump”. Më tej në postimin e tij shkruhej se rrjetet sociale, Uashington Post dhe Nju Jork Tajms kanë qenë gjithashtu anti-Trump. “Bashkëpunim?” pyet Trump në Tuiter.

Postimi i Trumpit vjen mes zbulimeve se llogaritë e rreme të Facebook me origjinë nga Rusia blenë të paktën 100,000 dollarë reklama në Facebook dhe se Facebook po bashkëpunon me hetuesit federalë në lidhje me këtë çështje. Themeluesi i Facebook Mark Zuckerberg vendosi të përgjigjet nëpërmjet Facebook.

Kjo përgjigje është një shembull i përsosur se si t’u përgjigjeni kritikave, sidomos atyre të pajustifikuara dhe armiqësore.

1. Ai në të vërtetë nuk përgjigjet.

Nëse jeni si shumica e njerëzve, instikti juaj i parë kur përballeni me një akuzë është të mohoni se akuza është e vërtetë. Ky instinkt zakonisht është i gabuar, sepse ju vendos në një llogore lufte totale me kundërshtarin, ku secili prej jush pretendon se pozicioni i vet është i vërteti, dhe ai i personit tjetër është i gabuari. Duke qenë se në shumicën e rasteve nuk ka provë as për njërën dhe pas për tjetrën, kjo përballje mund të vazhdojë përgjithmonë, e askush nuk fiton gjë.

Qasja e Zuckerbergut është shumë më e mençur. Ne e dimë se është një përgjigje ndaj postimit të Trumpit, vetëm për shkak se ajo fillon me: “Unë dua t’i përgjigjem postimit të Presidentit Trump këtë mëngjes, i cili pretendon se Facebook gjithmonë ka qenë kundër tij”. Por më pas, ai nuk përgjigjet. Në vend të kësaj, vazhdon të diskutojë rolin e përgjithshëm të Facebook në zgjedhjet presidenciale, pa komentuar në mënyrë specifike akuzën e Trumpit.

2. Ai ju fton të shihni panoramën e gjerë.

Një nga mënyrat më të mira për të trajtuar kritikat është të zgjerosh këndvështrimin tënd, për të parë në një kontekst më të gjerë. Zuckerberg e bën këtë shumë bukur, me pjesën tjetër të komenteve të tij.

“Çdo ditë unë punoj për të bashkuar njerëzit dhe për të ndërtuar një komunitet për të gjithë. Ne shpresojmë t’u japim të gjithëve një zë dhe të krijojmë një platformë për të gjitha idetë”.

“Trump thotë se Facebook është kundër tij. Liberalët thonë se ne kemi ndihmuar Trumpin, të dyja palët janë të shqetësuara për idetë dhe përmbajtjet që nuk u pëlqejnë”.

Kjo është thjesht brilante. Zuckerberg po thotë se mbizotërimi i lajmit të rremë, pretendimeve të papranueshme dhe opinioneve bombastike është një tipar, jo një virus teknologjik. Është thjesht ajo që ndodh kur u jepni 2 miliardë njerëzve në mbarë botën, një zë të tyrin. Ai mund të ketë të drejtë për këtë.

3. Ai fokusohet në pozitiven.

Zuckerberg shkruan: “Faktet sugjerojnë se roli i madh që Facebook luajti në zgjedhjet e 2016, ishte ndryshe nga ajo që thotë shumëkush”. Ai vazhdon të rendisë se si teknologjia e internetit dhe mediat sociale i bënë zgjedhjet e vitit 2016 të ndryshme nga ato të mëparshme, me miliarda biseda që mbulonin çdo temë të rëndësishme, dhe kandidatët që mund të flisnin direkt me votuesit.

Dhe më pas, ishte thirrja e Facebook për të votuar, gjë që nxiti 2 milionë njerëz të regjistroheshin për të votuar. “Sa për krahasim, është një shifër më e madhe se sa ajo e përpjekjeve të Trump dhe Clinton, të marra së bashku, për të nxjerrë njerëzit të votojnë”, shkruan ai. “Kjo është gjë e madhe”.

4. Ai kërkon falje për diçka krejt tjetër

Pa i përmendur veçanërisht akuzat e Trumpit, Zuckerbergu e ofron një kërkesë falje për një koment që ai ka bërë në ditët menjëherë pas fushatës. Gjatë një interviste në një konferencë teknologjie, ai tha: “Personalisht unë mendoj që ideja që lajmet e rreme në Facebook ndikuan në zgjedhje, në cilëndo mënyrë, është një ide e çmendur. Votuesit i marrin vendimet bazuar në përvojën e jetës së tyre”.

Tani Zuckerbergu përpiqet të sprapsë tonin e atij komenti, jo thelbin e tij, përmes një apologjie të tipit “nukë shtë ajo që thashë, por mënyra si e thashë”.

“Pas zgjedhjeve, unë bëra një koment se mendoja që ideja e keqinformimit në Facebook, i cili ka ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, ishte një ide e marrë. Duke e quajtur të çmendur unë bëra një koment injorues dhe më vjen keq. Eshtë një çështje shumë e rëndësishme për t’u injoruar”.

Më pas ai përsërit argumentin e tij se efekti i përgjithshëm i Facebook mbi fushatën ishte shumë më tepër pozitiv, se sa negativ. Zuckerberg i jep fund me një premtim që të vazhdojë të luftojë lajmet e rreme, ndërkohë që do u japë më shumë zë, më shumë njerëzve.

I gjithë mesazhi është një shembull i bukur i një inteligjence emocionale dhe komunikuese shumë të aftë. Disa komentues në postim sugjeruan që Zuckerbergu do të ishte më i zgjuar, nëse nuk binte në karrem, dhe të mos komentonte apo përgjigjej fare.

Ndoshta kanë të drejtë. Por nëse i duhej të përgjigjej patjetër, kjo ishte absolutisht mënyra më e mirë për ta bërë. / “Inc.” – Përgatiti: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button