Nga Nicholas Waller
“New Europe”
Një raport i fundit nga Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA), tregon se BE-ja nuk ka arritur pothuajse asgjë me 700 milionë eurot që ka shpenzuar vitet e fundit për përmirësimin e sundimit të ligjit në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, përpara anëtarësimit të tyre të mundshëm në union.
Sipas raportit, fluksi i parave të BE-së ka pasur “pak ndikim”, sa i përket problemeve serioze që shqetësojnë vendet e Ballkanit, duke përfshirë korrupsionin e shfrenuar dhe ndërhyrjet e politikës në sistemet e tyre gjyqësore.
Ndërsa raporti i ECA bën thirrje për masa më të ashpra ndëshkimore ndaj vendeve që dështojnë t’i përmbahen parimeve të saj themelore, është absurde që Brukseli të sillet sikur është aq shumë parimor, kur ka probleme brenda shtëpisë së tij.
Polonia dhe Hungaria, kanë qenë prej kohësh kritike të hapura të vlerave të BE-së. Por edhe Sllovakia dhe Sllovenia, janë përmendur vitet e fundit për hapat e tyre prapa në raport me demokracinë dhe shtetin e të drejtës.
Duke pasur parasysh se anëtarësimi i mundshëm i shteteve ballkanike në BE, duhet të shihet si një akt vendimtar për stabilitetin dhe sigurinë e vazhdueshme të kontinentit evropian, Brukseli do të ishte i zgjuar nëse në fillim do të përqendrohej në zgjidhjen e problemeve me sundimin e ligjit brenda unionit, përpara se të rikonfiguronte strategjinë e saj ndaj Ballkanit Perëndimor, e cila në këto kushte ka shumë të ngjarë që të nënkuptojë shpenzimin e më shumë parave në rajon, pa ndonjë efekt pozitiv të dukshëm.
Ritmi i ngadaltë i negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë ka shkaktuar zhgënjim. Ndërsa mesatarisht 62 për qind e qytetarëve të Ballkanit e mbështesin hyrjen në BE, rreth 22 për qind të tjerë besojnë se ajo nuk do të ndodhë asnjëherë.
Disa vende të Ballkanit Perëndimor janë shumë pranë heqjes dorë nga ky synim, dhe po e kthejnë kokën nga fuqi të tjera të mëdha. Për shembull, qytetarët serbë kanë krijuar një opinion shumë negativ për BE-në, duke preferuar shumë pasjen e lidhjeve më të ngushta politike me aleaten tradicionale të Serbisë, Rusinë, dhe së fundmi me Kinën.
Shtimi i interesit nga fuqitë e jashtme, përbën një shkak për shqetësim, edhe pse shumë analistë priren që t’i mbivlerësojnë rreziqet. Kina e ka rritur në mënyrë progresive ndikimin e saj në Ballkan, përmes kredive dhe investimeve të rëndësishme dhe marrëveshjeve strategjike, ndërsa Rusia dhe Turqia po punojnë për të rritur aty ku është e mundur praninë e tyre në rajon.
Rrugët e parregullta të migrimit që kalojnë nëpër Ballkan, dhe kriza kushtetuese në Bosnje, kanë nxjerrë në pah nevojën për të mbajtur gjallë perspektivën evropiane të rajonit, cila po zbehet me shpejtësi. Natyrisht, kthimi i investimit 700 milion eurosh, që ka kryer BE-ja për adresimin e problemeve të sundimit të ligjit në rajon, kërkon një rishikim të strategjisë në Bruksel.
Raporti i fundit i ECA-s e vë theksin tek një mangësi e veçantë e politikës:tek ngurrimi i BE-së për të përdorur “shkopin” por edhe “karotën” me anëtarët e saj të ardhshëm. Sidomos Franca, ka pasur një rol të madh në ri-dizenjimin e rregullave të zgjerimit të BE-së, duke përfshirë gjobat e mëdha financiare, teksa e ka integruar idenë e “kthimit pas” të gjithë proceseve të anëtarësimit në BE.
Parisit iu desh të detyronte një Komision Evropian shumë ngurrues, të përfshinte në strategjinë e zgjerimit “konceptin e kthyeshmërisë” së procesit të anëtarësimit , i cili mund të jetë i vetmi mjet që jep në fakt rezultate.
Por problemi është se Brukseli e ka të vështirë të adresojë të metat serioze në sundimin e ligjit në vendet kandidate, në një kohë që disa vende anëtare të BE-së po përballen me të njëjtin fenomen. Mangësitë e Polonisë dhe Hungarisë janë të njohura, por ato nuk janë të vetmet.
Në Sllovaki, kryqëzata “historike” kundër korrupsionit, e premtuar nga partia e Njerëzve të Zakonshëm dhe Personaliteteve të Pavarura (OLaNO) qëkur u ngjit në pushtet në vitin 2020, ka shkaktuar jo pak debate. Hetimet kundër korrupsionit janë dëmtuar nga dyshimet se qeveria po ushtron një ndikim të panevojshëm mbi gjyqësor, dhe se po përdor këtë fushatë për qëllimet e saj politike.
Në fakt, duket se po krijohet një model shqetësues i akuzave kundër figurave të njohura të lidhura me politikën opozitare, nga shefi i bankës qendrore Peter Kazimir tek biznesmeni Miroslav Vyboh, apo ish-kreu i policisë Milan Lucansky, që vdiq papritur në qelinë e tij të burgut, zyrtarisht i vetëvrarë.
Prokuroria sllovake është vënë nën një vëzhgim të veçantë. Një gjykatës i njohur, hodhi kohët e fundit dyshime mbi metodat me të cilat merren rrëfimet e të pandehurve apo dëshmitarëve, duke vënë në dukje se “në një shtet të sunduar nga ligji, qëllimi nuk duhet të justifikojë përdorimin e çdo lloj mjeti”.
Besimi në OLaNO duket se po zbehet si midis zyrtarëve të partisë – një ish-ministër u largua së fundi nga lëvizja, pasi humbi shpresën se ajo do ta godasë me ndershmëri korrupsionin – ashtu edhe nga publiku i gjerë. Aktualisht themeluesi i OLaNO-s, Igor Matovic, besohet nga vetëm 14 për qind e popullsisë sllovake.
Edhe Sllovenia nën drejtimin e kryeministrit të djathtë Janez Jansa, duket se po bën hapa prapa në raport me arritjet demokratike të deri para pak viteve. Parlamentin Evropian miratoi së fundmi një rezolutë, e cila kritikoi për herë të parë “gjendjen e vlerave të BE” në këtë vend.
Në veçanti, ka jo pak shqetësime se Ljubljana po shtyp zërat opozitarë, nën mbulimin e kufizimeve që janë marrë për shkak të Covid-19. Gjithashtu, qeveria sllovene është akuzuar se ka vendosur nën kontroll e saj televizionin kryesor në vend, duke e censuruar opozitën.
Edhe ritmi i ngadaltë i emërimeve në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian, ka shkaktuar zemërimin e eurodeputetëve. Këto zhvillime, vetëm sa po i përshkallëzojnë tensionet në Evropë pas një periudhe të trazuar të karakterizuar nga gjithçka, nga Brexit, tek pandemia dhe rënia ekonomike e lidhur me të.
Si për t’i përkeqësuar gjërat edhe më keq, forcat e tjera politike po tentojnë të përfitojnë nga çdo dobësi e mundshme, duke e përçarë më tej kontinentin. Meqë Ballkani Perëndimor ka shërbyer si një objektiv kyç për taktika të tilla, por edhe si një portë për në pjesën tjetër të botës, nuk është çudi që Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e quajti së fundmi “të paimagjinueshme” një të ardhme evropiane pa vendet e këtij rajoni.
Natyrisht, statuskuoja politike në disa nga vendet kandidate, është e papajtueshme me parimet bazë të bllokut. Por kjo kontradiktë është gati e pamundur të zgjidhet, në një kohë që disa anëtarë të BE-së po shkelin njëlloj vlerat thelbësore të BE-së.
Për rrjedhojë, Brukseli duhet të marrë masa ndaj atyre vendeve që refuzojnë të zbatojnë parimet bazë, dhe të bëjnë atë që duhet për të zbutur krizat në gjirin e tij. Vetëm atëherë ai do të jetë në gjendje të reagojë ndaj raportit të fundit të ECA-s, duke hartuar një strategji më efektive për promovimin e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor.