Studimet e psikologut Barry Schwartz mbi paradoksin e zgjedhjes sugjerojnë se sa më shumë kontroll që besojmë se kemi mbi çdo vendim, aq më të paralizuar dhe të palumtur bëhemi. Ndjekja e një ekzistence pa fërkime, ku çdo zgjedhje është e optimizuar, lë shumë pak hapësirë për spontanitet, rastësi apo vetë-zbulim të vërtetë.
Supozimi se kontrolli sjell stabilitet nuk është vetëm i gabuar, por edhe i rrezikshëm. Historia është e mbushur me shembuj të shoqërive që përpiqeshin të impononin një rend të ngurtë, por thjesht krijuan dobësi më të thella sistemike.
Si mund ta pajtojmë nevojën për strukturë me paparashikueshmërinë që ushqen kreativitetin, qëndrueshmërinë dhe madje vetë kuptimin e jetës? Çfarë ndodh kur inteligjenca artificiale mëson të manipulojë moralin, kur vëmendja bëhet një burim i rrallë dhe kur veçantia e njeriut vihet në pikëpyetje?
Supozimi se jeta mund të menaxhohet, optimizohet dhe bëhet e parashikueshme është në themel të shumë mendimeve moderne, nga politika ekonomike te zhvillimi personal. Qeveritë zbatojnë sisteme survejimi dhe menaxhimi të riskut, për të parandaluar krizat përpara se të ndodhin. Korporatat krijojnë mjete produktiviteti që premtojnë të thjeshtojnë punën dhe të eliminojnë mungesën e efikasitetit.
Prindërit kujdesen deri në imtësi për përvojat e fëmijëve të tyre, me qëllimin për të maksimizuar suksesin dhe për të minimizuar dështimin. Megjithatë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, pasiguria mbetet një pjesë e pashmangshme e ekzistencës njerëzore. Madje, ndjekja e kontrollit shpesh krijon forma të reja të paqëndrueshmërisë, zhgënjimit dhe madje shtypjes.
Filozofi Isaiah Berlin e dallonte lirinë negative dhe atë pozitive – lirinë nga kufizimet e jashtme kundrejt fuqisë për të formësuar jetën e vetvetes. Në kërkimin e kontrollit, shoqëritë shpesh i ngatërrojnë të dyja, duke supozuar se duke eliminuar paparashikueshmërinë, po e zgjerojnë lirinë. Por autonomia e vërtetë nuk konsiston në eliminimin e pasigurisë, por në zhvillimin e aftësisë për t’u përballur me të.
Përpjekja për të imponuar siguri në një botë që është në thelb komplekse dhe e paparashikueshme shpesh kthehet në të kundërtën. Planifikimi ekonomik i centralizuar shembet nën peshën e variablave të paparashikuara. Policia parandaluese, e bazuar në analiza parashikuese, forcon paragjykimet në vend që të parandalojë krimin.
Sistemet e rekrutimit të bazuara në algoritme, të krijuara për të eliminuar gabimet njerëzore, shpesh riprodhojnë pabarazi strukturore. Një shembull i këtij paradoksi mund të gjendet në qasjen bashkëkohore ndaj arsimit. Shkollat mbështeten gjithnjë e më shumë në testime të standardizuara, matësa të performancës të orientuara nga të dhënat dhe kurrikula të ngurta, të hartuara për të maksimizuar rezultatet e nxënësve.
Qëllimi është i qartë: të parashikojnë dhe të sigurojnë suksesin. Por kjo qasje i mëson nxënësit të ndjekin rrugë të paracaktuara, në vend që të zhvillojnë aftësinë për t’u përshtatur, për të menduar në mënyrë kritike apo për të lundruar mespërmes pasigurive. Filozofi John Dewey argumentonte se arsimi duhet të jetë mbi të gjitha një proces i të mësuarit si të mendosh, jo thjesht një grumbullim përgjigjesh të parapërcaktuara.
Kur kontrolli merr prioritet mbi eksplorimin intelektual, studentët mësohen të kenë frikë nga dështimi, në vend që ta shohin atë si pjesë thelbësore të të mësuarit. E njëjta dinamikë shfaqet edhe në mjediset e korporatave, ku matësat e performancës të bazuar në efikasitet dekurajojnë eksperimentimin, duke reduktuar kreativitetin dhe inovacionin. Edhe në nivel personal, iluzioni i kontrollit mund të jetë psikologjikisht i dëmshëm.
Në një botë të fiksuar pas optimizimit, përmes monitorimit të aktivitetit fizik, strategjive të produktivitetit dhe ‘inxhinierisë së stilit të jetesës’, njerëzit shpesh përjetojnë më shumë ankth sesa siguri. Pritshmëria që çdo aspekt i jetës mund të planifikohet dhe përsoset çon në një gjendje të vazhdueshme vetë-mbikëqyrjeje dhe pakënaqësie.
Studimet e psikologut Barry Schwartz mbi paradoksin e zgjedhjes sugjerojnë se sa më shumë kontroll që besojmë se kemi mbi çdo vendim, aq më të paralizuar dhe të palumtur bëhemi. Ndjekja e një ekzistence pa fërkime, ku çdo zgjedhje është e optimizuar, lë shumë pak hapësirë për spontanitet, rastësi apo vetë-zbulim të vërtetë.
Supozimi se kontrolli sjell stabilitet nuk është vetëm i gabuar, por edhe i rrezikshëm. Historia është e mbushur me shembuj të shoqërive që përpiqeshin të impononin një rend të ngurtë, por thjesht krijuan dobësi më të thella sistemike.
Sistemet më të suksesshme – qofshin ato politike, ekonomike apo biologjike – janë ato që integrojnë fleksibilitetin dhe lejojnë përshtatjen. Sfida nuk është të eliminojmë pasigurinë, por të zhvillojmë aftësinë për të lundruar përmes saj. Në këtë kuptim, kërkimi i kontrollit mund të mos jetë rruga drejt lirisë, por pengesa e saj më e madhe.
Besimi se kontrolli garanton sigurinë ka formësuar institucionet, teknologjitë dhe ideologjitë moderne. Megjithatë, paradoksalisht, sa më shumë kontroll përpiqen të imponojnë shoqëritë, aq më të dobëta bëhen. Ky paradoks nuk është i ri.
Filozofi Friedrich Hayek paralajmëronte se planifikimi ekonomik i centralizuar, pavarësisht premtimit për efikasitet, shpesh rezulton në ndërprerje të paparashikuara, sepse injoron kompleksitetin e sjelljes njerëzore. Në mënyrë të ngjashme, kritika e James C. Scott mbi qeverisjen moderniste radikale tregon se projektet e mëdha të krijuara për të racionalizuar shoqërinë – qofshin ato në planifikimin urban, bujqësi apo burokraci – priren të dështojnë kur shpërfillin natyrën e paparashikueshme dhe përshtatëse të dijes.
Kontrolli, në formën e tij më të ngurtë, nuk çon në stabilitet, por në kolaps sistemik. Askund nuk është ky tension më i dukshëm, sesa në vendimmarrjen algoritmike. Policia parandaluese, modelet e vlerësimit të riskut në financa dhe sistemet e punësimit të drejtuara nga inteligjenca artificiale bazohen të gjitha në idenë se pasiguria mund të zbutet përmes të dhënave dhe llogaritjeve.
Megjithatë, këto sisteme shpesh prodhojnë forma të reja të paqëndrueshmërisë. Filozofi Gilbert Simondon paralajmëronte për rreziqet e mbështetjes së tepruar te sistemet teknike, duke argumentuar se sa më shumë të automatizohet vendim-marrja, aq më shumë zvogëlohet aftësia njerëzore. Algoritmet parashikuese forcojnë paragjykimet historike, duke e shndërruar vlerësimin e rrezikut në një profeci vetëpërmbushëse. – Deeper Thinking – Bota.al
(Vijon)