Analiza

Përse nuk duhet toleruar ky barbarizëm i ri

Ramin Jahanbegloo
Filozof iranian

protSulmi barbar dhe çnjerëzor ndaj gazetarëve të pafajshëm dhe karikaturistëve francezë të revistës Charlie Hebdo – në vijim të ngjarjeve si masakra e Peshavarit, vrasjeve të Jezidëve të pafajshëm nga Shteti Islamik dhe rrëmbimi i 172 vajzave nga Boko Harami në Nigeri – kanë krijuar një ndjenjë alarmi dhe frike nga fanatizmi fetar.
Frika nga fanatizmi fetar nuk është gjë e re në botën tonë. E reja në këta sulme qëndron në faktin që kanë marrë formën e një barbarizmi të ri.
Duke parë historinë e gjatë dhe të dhunshme të “drurit të shtrembër të njerëzimit”, Isaiah Berlini ka thënë dikur se më e mira që mund të shpresojmë në një “horizont të përbashkët moral” ishte ajo që ai e quante një shoqëri “minimalisht e denjë”.
Por a është e mundur sot qoftë edhe kjo shpresë minimale e Berlinit? A është e mundur të ndërtohet një botë me diversitet dhe dialog ndërkulturor, përballë politikës së urrejtjes universale që hedh poshtë pranimin e të tjerëve?
Përse po ndodh ky largim nga toleranca, në një botë multikulturalizmi dhe integrimi global? Përse kjo ndarje në rritje e fshatit global mes kampeve fondamentalistë që i ulërasin dhe vrasin njëri-tjetrin?
Të gjithë ne kërkojmë çlirim nga forma të ndryshme zhgënjimi, që po na e shkaktojnë globalizimi dhe ballafaqimi i kulturave – dhe që po ushqen ngjitjen e fondamentalizmit dhe terrorizmit transnacional. Por nuk duhet që në asnjë mënyrë të pranojmë reagimin që pamë në Paris.
Fanatikët dhe fondamentalistët e kanë refuzuar gjithmonë dhe e kanë luftuar njëri-tjetrin. Kur fondamentalizmi përpiqet të imponojë sektarizmin përmes shtrëngimit dhe dhunës, kjo gjë pashmangshmërisht çon në terrorizëm. Kur njerëzit besojnë se kanë të vërtetën absolute, ata përfundojnë duke mohuar ekzistencën e të tjerëve. Ata nuk e dallojnë më të mirën nga e keqja, e si pasojë nuk janë në gjendje të krijojnë një modus vivendi mes vlerave të ndryshme.
Gjetja e një terreni të përbashkët mund të funksionojë vetëm nëse ndajmë mjaftueshëm vlera për t’u sjellë në mënyrë civile. Nuk ka dyshim që, ndonëse disa hebrenj, të krishterë, myslimanë dhe hindu mund të jenë terroristë, asnjë fe e botës, aq më pak Islami, nuk predikon terrorizmin apo frymëzon ndokënd për të vrarë njerëz të pafajshëm.
Eshtë politizimi i fesë dhe ideologjizimi i saj që përbën një rrezik të madh për paqen dhe qetësinë në botën tonë. Nëse fondamentalizmi, në të gjithë format e tij të ndryshme, është i ngjashëm me dhunën në mënyrën e të menduarit dhe metodat e veprimit, ai nuk mund të presë që të pranohet apo tolerohet nga të tjerët. Siç thotë psikanalistja gjermane Karen Horney, “nuk mundet që të shkelësh njerëzit dhe ata të të duan në të njëjtën kohë”.
Përballë këtij shpërthimi të barbarizmit – i lindur në grahmat e fundit të Pranverës Arabe dhe pas sulmeve terroristë të 11 shtatorit si dhe luftërave në Afganistan e Irak, për të mso përmendur përplasjen izraelito-palestineze – ne nuk mund t’i kthehemi politikës së tiranëve, motoja e të cilëve nuk është e ndryshme nga ajo e fondamentalistëve: “të sundosh të tjerët pa kushte”.
Të jesh antibarbar në kohën tonë është të thuash “JO” pa kushte fanatizmit – jo si tiranë apo si “engjëj hakmarrës” – por duke u angazhuar në një dialog domethënës me besimtarë antifanatikë. Qytetërimi është thirrja e njerëzimit përballë barbarizmit./HuffPost/
e.gj./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button