Bota

Përse nuk i ndalim dot ekstremistët??

Edhe nëse shërbimeve të sigurisë u ofrohen më shumë kompetenca për survejimin, nuk është se kjo do të japë zgjidhje përfundimtare. Agjencitë janë të përmbytura tashmë prej sasive të mëdha të të dhënave. Informacionet njerëzore mbeten mjeti më i vlefshëm – dhe gabimet njerëzore, burimi më i madh i dështimeve

Screen Shot 2015-11-18 at 08.56.56

Nga Jason Burke

Zyrtarë në Francë dhe në Belgjikë janë nën presionin e qytetarëve të frikësuar dhe të zemëruar, të cilët duan të dijë se si ka mundësi, që shërbimet e tyre të sigurisë, lejuan që njerëz të njohur si të përfshirë në ekstremizëm, të kryenin aktet e të premtes mbrëma.

Të paktën tre nga nëntë personat që tashmë dihet se u përfshinë në sulmet e Parisit, kishin qenë identifikuar nga shërbimet e sigurisë si rreziqe potencialë. Ismail Omar Mostefai, 29 vjeç, i përfshirë në sulmin në sallën e koncerteve të Bataclan, ishte listuar në vitin 2010 si një person i radikalizuar. Gjithësesi, ai arriti të udhëtojë për në Turqi, dhe ndoshta në Siri, në vitin 2013.

Samy Amimour, një 28-vjeçar nga Drancy, një zonë e veriut të Parisit, kishte qenë nën hetim zyrtar që prej tetorit 2012, dhe që nga fundi i 2013-ës për të ka patur edhe një fletë-arrest ndërkombëtar. Pikërisht në kohën kur mendohet se ka udhëtuar për në Siri.

Abdel-Hamid Abu Oud, personi që dyshohet se është truri i sulmeve, është mburrur publikisht madje, se ka hyrë e ka dalë sa herë që ka dashur nga Franca, për të planifikuar sulme terroriste. Ai ishte i përfshirë në një seri sulmesh të planifikuar, të cilët u parandaluan nga policia në janar, por arriti të largohet drejt Sirisë gjashtë muaj më parë.

Fatkeqësisht, këto lloje gafash nuk janë të reja. Mohammed Merah, i cili vrau shtatë vetë në 2012 ishte jo vetëm në radarin e shërbimeve të sigurisë në vendlindjen e tij në Tuluzë, por ai ishte intervistuar madje pas rikthimit nga një kamp stërvitor në Pakistan, pak muaj përpara se të kryente vrasjet. Një oficer e pranoi historinë e tij, se po ërkonte grua në shtetin e paqëndrueshëm aziatik.

Edhe shërbime të tjerë kanë bërë gabime të ngjashëm. Autoritetet amerikane kishin rënë në gjurmë të atentatorëve të 11 shtatorit, por nuk arritën “të bashkojnë pikat”. MI5 britanike kishte rënë në gjurmë të Mohammed Sidique Khan, udhëheqësi i atentatorëve të 7 korrikut, shumë vite përpara atentateve. Shërbimet britanike kishin kohë që mbanin nën mbikëqyrje Michael Adeboualen dhe Michael Adebolajon, përpara se këta të vrisnin Lee Rigbyn, një ushtar britanik, në Londër në vitin 2013. Më i madhi i vëllezërve Tsarnaev, që vendosën bombat në Maratonën e Bostonit po atë vit, ishte hetuar nga FBI, por ishte konsideruar i padëmshëm.

Një arsye për këta dështime është natyra e militantëve islamikë, sidomos po të kesh parasysh burimet që nevojiten për të mbajtur nën mbikëqyrje një individ të vetëm. Duhen një dyzinë oficerësh për një survejim 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë për një person, dhe orë të tëra për të dëgjuar telefonata, apo për të krehur të dhënat e komunikimit të tij. Kështu që, edhe shërbimeve me burimet më të mëdha në dispozicion, duhet të prioritizojnë.

Shërbimet e sigurisë kanë zhvilluar mënyra të ndryshme për ta bërë këtë. Shumica e tyre shkallëzojnë rrezikun që vjen prej një individi, duke u fokusuar tek ata që i gjykojnë si me rrezik të lartë. Ata që nuk konsiderohen një rrezik i afërt, pothuajse nuk monitorohen.

Por ekstremistët, ashtu si kushdo tjetër, nuk sillen në mënyrë të parashikueshme. Radikalizimi nuk është një proces linear, uniform. Dikush që konsiderohet periferik dhe i padëmshëm, mundet që befas të bëhet më i rrezikshëm. Po kështu, dikush që konsiderohet i rrezikshëm, për shumë arsye, mund të kalojë në veprimtari më pak kërcënuese, apo mundet që edhe të heqë dorë fare nga ekstremizmi.

Në të vërtetë, siç e thotë Stephen Grey, një ekspert i spiunazhit, janë pikërisht këta militantët e parë, që shpesh herë shndërrohen në burimet më të mirë për shërbimet e zbulimit. “Sigurisht që survejimi ka një vlerë shumë të madhe… por është absolutisht tejet e rëndësishme që të sigurosh informacione të mirë njerëzore nga brendësia e një komuniteti të radikalizuar. Disa prej burimeve më të mirë kanë qenë njerëz të brendshëm, por të cilëve nuk u pëlqen mënyra si po zhvillohen gjërat. Fushatat anti-terrorizëm kanë patur kthesë, atëherë kur njerëzit janë shprehur gati të “shesin” vëllanë apo bashkëshortin”, thotë Grey, autori i një libri të botuar së fundmi, me titull “Mjeshtrat e rinj të spiunazhit”.

Në rastin e Mohammed Merah, ajo që në pamje të parë u duk si një braktisje e aktivizmit xhihadist, mund të ketë qenë një plan i qëllimshëm për të humbur gjurmët. Ose mund të ketë qenë e vërtetë, por e përkohshme. Interesi i Adebelajos, një prej vrasësve të Rigbyt, për aktivizmin e dhunshëm ose edhe jo të dhunshëm, dukej se kishte vite që ishte zbehur.

Edhe nëse shërbimeve të sigurisë u ofrohen më shumë kompetenca për survejimin, nuk është se kjo do të japë zgjidhje përfundimtare. Agjencitë janë të përmbytura tashmë prej sasive të mëdha të të dhënave. Informacionet njerëzore mbeten mjeti më i vlefshëm – dhe gabimet njerëzore, burimi më i madh i dështimeve./ The Guardian

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button