Bota

Përse nuk u besojmë udhëheqësve tanë, dhe një leksion nga Gjenerali Marshall

Screen Shot 2016-08-08 at 21.57.22

Eshtë koha për të rigjallëruar udhëheqjen e mirë. Votuesit kanë nevojë të shohin kandidatë që shfaqin qëllim, paanshmëri dhe kompetencë. Nëse nuk i shohin, do të vazhdojnë të votojnë kundër establishmentit, që besojnë se i ka lënë në baltë – edhe nëse kjo nënkupton votë për trazira në Europë, apo një narcisist të pashoq në SHBA

Ngaire Woods*

OXFORD – Në demokracitë e zhvilluara sot, udhëheqja politike është gjithnjë e më e disponueshme për këdo. Votuesit, qartësisht të lodhur nga status quo-ja duan ndryshim në krye, duke bërë që edhe partitë e mëdha të luftojnë shumë, për të vendosur udhëheqësit që ato duan.

Në Mbretërinë e Bashkuar, deputetët e Partisë Laburiste janë bllokuar në përpjekjet e tyre për larguar Jeremy Corbynin, si udhëheqës. Në Japoni, kandidati i preferuar i Partisë Demokratike Liberale, për Guvernator të Tokios, Hiroya Masuda, humbi thellë përballë Yuriko Koikes. Sa për Shtetet e Bashkuara, Partia Republikane donte praktikisht këdo, përveç Donald Trumpit, për të fituar nominimin për presidencën; por Trumpi është kandidati i saj. Dhe ndërsa Partia Demokratike është duke u përfaqësuar nga e zgjedhura e partisë, Hillary Clintoni, konkurrenti i saj, Bernie Sandersi, zhvilloi një “luftë” shumë më të ashpër, nga sa kishte parashikuar shumëkush.

Mesazhi për establishmentin është i qartë: ne nuk ju besojnë më. Por, disa nga udhëheqësit të cilëve votuesit u besojnë, mund të paraqesin një rrezik shumë real – për mbështetësit e tyre, vendet e tyre dhe për botën.

Trumpi – me admirimin e tij për diktatorët, racizmin e pandruajtur dhe seksizmin, injorancën në lidhje me çështjet politike dhe temperamentin e ndezur – qëndron në krye të kësaj liste. Ata që udhëhoqën fushatën britanike për të lënë Bashkimin Evropian – konservatorët si Boris Johnson (tani sekretar i jashtëm) dhe Nigel Farage, lider populist i krahut të djathtë i Partisë për Pavarësinë e Mbretërisë së Bashkuar – janë diskredituar në mënyrë të ngjashme, për shkak të vënies papërgjegjshmërisht në rrezik, të të ardhes së Britanisë së Madhe dhe BE-së.

Nëse udhëheqësit kryesorë duan të ndryshojnë mendjen e votuesve, ata duhet të shohin me kujdes, se çfarë do të thotë me të vërtetë udhëheqje. Këtu, kanë shumë vlerë mendimet e Gjeneralit amerikan George C. Marshall, i cili u mor me këtë temë, teksa punonte për të rindërtuar ushtrinë amerikane në vitin 1940. Marshall argumentonte se udhëheqja është një çështje që ka të bëjë, jo me retorikën, por me karakterin. Në veçanti, udhëheqësit duhet të shfaqin tre cilësi kryesore që të fitojnë besimin e nevojshëm, për të udhëhequr në mënyrë efektive: Qëllimin, paanshmërinë, dhe kompetencën.

Qëllimi, në pikëpamjen e tij, nënkuptonte vendosjen e të mirës së përgjithshme, mbi interesat e gjithësecilit. Ky lloj lidershipi ekziston ende. Një shembull që shndërrin është Jo Cox, deputetja e re britanike, e cila u vra gjatë fushatës së Brexit, lidershipi i të cilës në mbrojtjen e të drejtave të refugjatëve u pranua përtej vijave partiake.

Por, në shumë raste, politika është bërë një çështje e promovimit vetiak – dhe një garë për vlerësime. Në kulturën e sotme të famës, politikanët duhet të jenë “personalitete”. Ata bëjnë fushatë sikur po garojnë në një shfaqje televizive “reality”. Trumpi, me pamjen e tij prej gaztori dhe të kaluarën në botën e televizionit, është ndoshta shembulli më i fundit i këtij ndryshimi. (The Huffington Post, madje vendosi verën e kaluar që të botonte mbulimin e fushatës së Trumpit, në rubrikën e argëtimit).

Problemi nuk është vetëm se kjo mund të çojë në zgjedhjen e udhëheqësve krejtësisht të pakualifikuar. Problemi është gjithashtu se, njëherë që zgjidhen, edhe udhëheqësit e kualifikuar mund të kenë vështirësi në vënien në zbatim të elementeve personale të vendim-marrjes, dhe t’i shërbejnë në mënyrë të paanshme vendit të tyre.

Ky shteg mes një “shpati të rrëpirtë” – zbuluar kohët e fundit si pjesë e investigimit Chilcot në Britaninë e Madhe – ekspozohet më së miri në një memo të shkruajtur nga ish Kryeministri britanik, Tony Blair, drejtuar ish presidentit amerikan, George W. Bush, në prag të luftës në Irak. Memoja fillon kështu: “Unë do të jem me ty, çfarëdo që të ndodhë”. E kishte fjalën për të udhëhequr vendin e tij në luftën e Irakut. Megjithatë, gjuha e përdorur prej tij lë të kuptohet se lidhja personale e Blairit me Bushin, kishte përparësi ndaj detyrës së tij si Kryeministër.

Udhëheqja me një qëllim, dhe jo personaliteti, është e lidhur ngushtë me paanshmërinë që Marshalli e mendonte si thelbësore. Pasi marrin postin, udhëheqësit duhet të veprojnë me ndershmëri dhe sinqeritet. Ata duhet t’i rezistojnë tundimit për të përdorur pushtetin zyrtar, për të përfituar vetë, familjet e tyre, ose grupi i tyre i identitetit kulturor, si dhe të refuzojë joshjet, sado të forta që mund të jetë, për të ofruar qasje të veçantë, apo mbrojtje, për miqtë, financuesit, dhe lobistët.

Ruajtja e një standardi të lartë të paanshmërisë nuk është e lehtë, por nuk është aspak e pamundur. Presidenti Pedro Pires i Cape Verde mori Çmimin  “Ibrahim” për arritje në udhëheqjen afrikane në vitin 2011, për transformimin e vendit të tij në Pires “në një model të demokracisë, stabilitetit, dhe rritjes së prosperitetit”. Pires u largua detyra, pa patur as edhe një shtëpi në emrin e tij; ai punoi për njerëzit, jo për të grumbulluar pasuri personale.

Kriteri i tretë për udhëheqje të mirë – kompetenca – nuk është vetëm një çështje se sa njohuri zotëron tashmë një udhëheqës. Siç vinte në dukje Marshalli, ajo gjithashtu konsiston në kapacitetin e udhëheqësve për të mësuar nga gabimet e tyre, dhe për të përgatitur veten, si dhe ata që kanë përreth, për vendime të rëndësishme. Verdikti i Chilcot mbi mungesën e përgatitjes për luftën në Irak dhe pasojat e saj për Britaninë, është “dënues” në këtë drejtim. E tilla është edhe e një plani nga mbështetësit e Brexit, për rrugën që do të ndiqej pas referendumit.

Eshtë koha për të rigjallëruar udhëheqjen e mirë. Votuesit kanë nevojë të shohin kandidatë që shfaqin qëllim, paanshmëri dhe kompetencë. Nëse nuk i shohin, do të vazhdojnë të votojnë kundër establishmentit, që besojnë se i ka lënë në baltë – edhe nëse kjo nënkupton votë për trazira në Europë, apo një narcisist të pashoq në SHBA. /Bota.al

Marrë me autorizim për Bota.al, nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Why Don’t We Trust Our Leaders?

Leave a Reply

Back to top button