Speciale

Përse shemben qytetërimet

Të gjithë faktorët që ndikojnë në mënyra të ndryshme në tatëpjetën e civilizimeve

Screen Shot 2015-07-28 at 12.21.11

Qindra vite më parë, në atë që është sot Hondurasi, Copan ishte një qytetërim i lulëzuar, një qendër e jetës kulturore të Maja-ve. Dhjetëra-mijëra vetë kishin ndërtuar shtëpitë në Luginën Copan. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë që kishte, Copan hyri në rrugën e rrënimit. Përgjatë territorit shumë të madh të Maja-ve të lashtë, të tjerë vende shumë të rëndësishëm po pësonin një fat të ngjashëm. Qytetërimi klasik Maja po shembej.

Përse ra ky qytetërim i madh? Historia e njerëzimit është shënuar nga modele rritjeje dhe rënieje. Disa prej këtyre të fundit kanë qenë graduale, të shtrira nëpër shekuj. Të tjera kanë qenë të shpejta, ndodhur brenda vetëm disa viteve. Lufta, thatësirat, fatkeqësitë natyrore, sëmundjet, mbipopullimi, problemet ekonomike: çdonjëri prej kombinimeve të këtyre ngjarjeve mund të sjellë shembjen e një qytetërimi. Shkaqet e brendshme (si luftërat politike) mund të bashkohen me shkaqe të jashtme (si luftëra apo fatkeqësi natyrore) për të sjellë shembjen. Cfarë do të thotë kjo për qytetërimet modernë? Cfarë mund të mësojmë nga e kaluara?

Maja-t e lashtë zinin dikur një hapësirë shumë të madhe gjeografike në Amerikën Qendrore. Qytetërimi i tyre shtrihej në pjesë të asaj që është sot Meksika, Hondurasi dhe El Salvadori, si dhe pjesa më e madhe e Guatemalës dhe Belizes. Copan ka qenë dikur një qendër e lulëzuar e qytetërimit Maja. Nga shekulli i tretë deri në shekullin e nëntë, qytetërimi Maja prodhoi tempuj dhe piramida që frymëzojnë një frikë të përzier me nderim, kalendarë me një saktësi shumë të lartë, shkrime matematikore dhe hieroglife, si dhe një rend shumë kompleks social dhe politik. Mjafton të shohësh rrënojat mbresëlënëse ë qytetërimit Maja, dhe është shumë e vështirë të imagjinosh se si mund të shembet një shoqëri e tillë.

TË DHËNA NË COPAN

Disa të dhëna për shkaqet e këtij kolapsi mund të gjenden në Copan, një vend i Maja-ve në Hondurasin perëndimor. Copan ishte dikur një qendër mbretërore e Maja-ve klasikë, vendbanimi më i madh në pjesën juglindore të hapësirës së Maja-ve. Ai ishte ndërtuar në brigjet e Lumit Copan, në një tarracë artificiale e ndërtuar me afro një milionë metër kub dhe. Me kalimin e kohës, njerëzit u përhapën nga bërthama qendrore dhe ndërtuan shtëpi në zonat periferike, që më parë ishin përdorur për mbjelljen e drithërave. Fisnikët e Copanit ndërtuan komplekse më të vegjël, rivalë, në vendbanime që ishin gjithnjë e më larg qendrës.

Pavarësisht pasurisë, fuqisë dhe madhësisë, Copani u shemb si qytetërim. Duket se pas vitit 822 nuk është ndërtuar asnjë monument. A do të thotë kjo se kolapsi ishte i menjëhershëm? Apo është e mundur që shoqëria të ketë pësuar një kolaps më të ngadaltë?

TË KUPTOSH KOLAPSIN

Kur shtete të fuqishëm brenda një shoqërie bien, impakti mbi shoqërinë si një e tërë është shumë i madh. Popullsia e këtyre shteteve bie dhe dendësia pëson gjithashtu një rënie dramatike. Shoqëria si e tërë ka prirjen të bëhet më pak e centralizuar politikisht, dhe elementë të sponsorizuar nga shteti si arkitektura, arti dhe letërsia pësojnë edhe ato rënie. Tregta dhe veprimtari të tjera ekonomike pakësohen, gjithashtu dhe rrjedhja e informacionit ndërmjet njerëzve pëson një ngadalësim. Elitat sunduese mund të ndryshojnë, por zakonisht klasat punëtore kanë tendencën që të qëndrojnë dhe të sigurojnë vazhdimësi (ndonëse në disa raste, nuk mbetet praktikisht askush).

A është e mundur të parandalohet kolapsi i një qytetërimi? Sociologu Melvin Tumin dhe antropologu Xhon Benet kanë hartuar atë që e kanë quajtur “parakushtet për mbijetesë”, ose më saktë, nevojat që duhet të përmbushen me qëllim që një shoqëri të ketë vazhdimësi:

* Cdo shoqëri duhet të jetë në gjendje të përmbushë nevojat biologjike bazë për anëtarët e vet: ushqim, pije, strehim dhe kujdes shëndetësor.

* Cdo shoqëri duhet të garantojë shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve (ndoshta përmes ndarjes së punës, rregullave që kanë të bëjnë me pronësinë dhe tregtinë, apo ideve për rolin e punës).

* Cdo shoqëri duhet të garantojë dhe mbrojë riprodhimin e anëtarëve të rinj, si dhe të mendojë ligje dhe çështje që lidhen me riprodhimin (rregullat, moshën e martesës, numrin e fëmijëve e kështu me radhë).

* Cdo shoqëri duhet të garantojë trainimin (arsimimin, stazhin, transmetimin e vlerave) të një individi, me qëllim që ai ose ajo të jetë një i rritur me një funksion në shoqëri.

* Cdo shoqëri duhet të garantojë ruajtjen e rendit të brendshëm dhe të jashtëm (ligje, gjykata, polici, luftëra, diplomaci).

* Cdo shoqëri duhet t’u ofrojë domethënie dhe motivim anëtarëve të saj.

Ky kushti i fundit është më i rëndësishëm nga sa mund të duket. Asnjë aktivitet shoqëror nuk është i mundur, nëse njerëzit nuk janë të motivuar që të marrin pjesë. Përse zgjohemi në mëngjes? Si e shohim vetveten në lidhje me pjesëtarë të tjerë të shoqërisë? Pse ndjekim rregullat e shoqërisë? Pa patur një ndjesi të domethënies dhe motivimit, njerëzit bëhen apatikë. Dhe nëse kjo ndodh, shoqërisë i kanoset kolapsi.

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button