Ekonomi

Pesë rregulla financiare që çdo student duhet t’i zbatojë

Screen Shot 2015-08-16 at 21.41.45Mos prisni diplomimin që të filloni të mendoni rreth parave. Kurseni para që në universitet dhe mendohuni dy herë përpara se të shpenzoni. Kjo do t’ju ndihmojë të akumuloni një kapital të rëndësishëm pasi të mbaroni studimet.

The Washington Post

Nëse jeni gati për të filluar universitetin, ndoshta do të jetë hera e parë që do të keni përgjegjësinë e përdorimit të parave. Është një ndjenjë lirie por edhe një periudhë kur duhet të bashkëjetoni me këshillat e prindërve.

Përballë kredive studentore, duke shtuar edhe shpenzimet për ushqim dhe qera, pjesa më e madhe e studentëve nuk janë të përgatitur për botën e re financiare ku do të futen. Shkollat e mesme nuk bëjnë një punë të mirë për menaxhimin e parave nga ana e studentëve. Për shumë studentë, të shkuarit në universitet është njësoj si të praktikojnë në botën reale teoritë e financës.

Por si mund të kalohet me sukses periudha e universitetit me qëllim që pas mbarimit të studimeve mos të jetoni akoma me paratë e prindërve? Më poshtë janë pesë këshilla se si mund t’ia dilni mbanë gjatë viteve të studimeve tuaja.

Filloni të mendoni për paratë që tani

Planifikoni strategjinë tuaj financiare që përpara se të shkoni në universitet, thotë Katherine Dean, drejtore e menaxhimit pranë kompanisë Wells Fargo. Bëni preventivin e shpenzimeve tuaja duke filluar nga librat, qeraja, ushqimi, transporti, festat etj. Tregohuni transparent në rradhë të parë me veten tuaj dhe më pas me prindërit lidhur me gjithë shpenzimet që kërkon arsimimi juaj.

Flisni dhe rrini me prindërit tuaj për të mësuar mbi mënyrën se si ata i shpenzojnë paratë. Provoni të shkoni për të bërë pazar me babain tuaj për të mësuar çmimet e ushqimeve. Po bëheni gati të shkoni me pushime? Bëni prenotimet së bashku me mamanë tuaj që të kuptoni sa kushton udhëtimi i familjes tuaj.

“Sa më shpejt, aq më mirë, pasi kjo ju përgatit më mirë mbi atë se çfarë ju pret kur të jeni të pavaruar”, thotë Katherinë Dean. Nuk është kurrë vonë për të mësuar nga prindërit tuaj ose akoma më shumë nga gjyshërit. “Gjeni dikë në familje apo në rrethin shoqëror që është i suksesshëm në menaxhimin e parave dhe informohuni mbi rrugën që kanë ndjekur ata”.

Bëni një bilanc dhe qëndrojini strikt

Mbani mend se çfarë thamë mbi shpenzimet e tilla si libra, udhëtime, ushqime etj? Përcaktoni se sa duhet të shpenzoni për çdo kategori dhe përmbajuni objektivave tuaj. Ndani në ‘shporta’ llojet e shpenzimeve që do të keni, sugjeron Rick Harkins, menaxher në Harkins Wealth Management. Dhe nëse keni tendencën të shpenzoni më shumë për njërën shportë, mos merni para nga shportat e tjera për të hedhur në të.

Përdorni faqet e internetit për të gjetur çmimet më të mira në treg. Kjo do t’ju ndihmojë që t’u përmbaheni objektivave. Gjithashtu përpiquni të paguani faturat online pasi do t’ju kursejë kohë dhe gjithashtu nuk do të keni rrezikun e kamatvonesave. Dhe nëse ende vazhdoni të keni vështirësi në menaxhimin e financave tuaj, përse të mos ndiqni një kurs bazë finance? Do të ndihmonte që të qartësonit idetë dhe të jeni më rigorozë ndaj bilancit tuaj.

Monitoroni dhe mbroni kartën tuaj të kreditit

Për një numër të madh studentësh, universiteti është koha kur për herë të parë përdorin një kartë krediti ose debiti. Të kesh një kartë krediti mund të ndihmojë studentët të kenë një pikë mbështetjeje në shpenzimet e tyre dhe të krijojnë një histori krediti. Por gjithashtu ekzistojnë edhe shumë rreziqe.

Të humbni kartën tuaj të kreditit do të rrisë komisionet dhe taksat e kartës suaj. Gjithashtu, shumë karta të cilat jepen me lehtësira për studentët, mbajnë përqindje të larta interesi. Krahasoni të dhënat e kartave që mund të merni nga bankat. Një kartë krediti mund të ketë një përqindje të ulët interesi, por komisioni për çdo blerje apo tërheqje parash mund të jetë mjaft i madh. Nëse keni një punë në universitet dhe merni pagesa të rregullta, filloni të paguani që atëherë shpenzimet dhe të shlyeni kredinë studentore nëse keni përfituar një të tillë. Nëse nuk e keni një punë, merni informacion rreth kredisë studentore. Pagesa e saj duhet të fillojë pasi ju të diplomoheni ç’ka ju jep kohë të gjeni një punë stabël dhe të filloni të shlyeni detyrimet.

Kurseni, kurseni dhe vetëm kurseniKeni filluar të kurseni? Nëse jo, ekspertët e financave sugjerojnë që duhet t’ia nisni sa më parë. Universiteti në larminë e tij, ofron edhe ngjarje të papritura duke e bërë të nevojshme zotërimin e një sasie parash. Si do të veproni nëse makina juaj pëson difekt ose duhet të udhëtoni urgjentisht për në shtëpi?

Është mirë që të kurseni 10-15% nga të ardhurat tuaja mujore. Nëse jeni edhe në marrëdhenie pune përpiquni të kurseni deri në 20%. Është një mënyrë e mirë për të krijuar një kapital sado të vogël për shpenzime që do të keni në të ardhmen. Gjithashtu bashkëpunoni me prindërit apo me të tjerë njerëz të bësuar për të ruajtur në mënyrë të sigurt kursimet tuaja.

Jetoni më poshtë mundësive tuaja

Mendoni në këtë mënyrë: nëse jetoni më poshtë mundësive tuaja të vërteta, kur të mbaroni universitetin do të keni më shumë para të kursyera për të përballuar “jetën reale”. Gjithmonë pyesni nëse ka ulje në çmim për studentët, që nga transporti, ushqimi apo biletat e kinemasë.

Mendohuni dy herë përpara se të vendosni për të blerë një xhup të ri apo për të dalë për të pirë diçka në mbrëmje. Ndani shpenzimet e përgjithshme me shokët e shtëpisë dhe gjithashtu caktoni detyrat e secilit. “Flisni rreth parasë”- sugjeron Harkins – “Mendoj se më parë, kur unë isha student, ne nuk flisnim sa duhet mbi paratë sepse kjo ishte një tabú. Ky nuk duhet të jetë një problem sidomos për të rinjtë të cilët marin përsipër të menaxhojnë jetesën gjatë kohës së universitetit”, përfundon ai.

Përktheu: Erjon Uka për MAPO

Leave a Reply

Back to top button