Nga Andi Qinami
Përmendet shpesh si realizues i disa përmirësimeve gjenetike në krijimin e kultivarëve të qëndrueshëm ndaj klimës, cilësisë së lartë e shijes së verës, apo edhe rendimentit të prodhimit në varietetet tradicionale të vreshtarisë shqiptare, të vlerësuara me çmime ndërkombëtare. Më pak është i njohur, pse ishte një “kuadro i përgatitur”, por “paksa jashtë skemave”, i parë me sy jo të mirë nga disa, gjatë rregjimit komunist, por i aftë, që kur qe djalë i ri, t’i sqaronte gjatë një degustimi, një verë shqiptare krijuar nga ai vetë, Nikita Hrushovit.
E po t’i shtosh gjithë kësaj kënaqësinë e të shkëmbyerit të një bisede me Prof. Petraqin e më shumë akoma, privilegjin e miqësisë së tij, nuk ka se si të mos vijë natyrshëm ta ftosh në “Nunc est Bibendum”, për t’ia drejtuar 6 pyetjet tona për verën. Sepse janë me të vërtetë shumë, vitet që me pasion e energji, ky viveur, “i pandreqshëm” – e thënë me shumë dashuri – i dedikoi verës.
Sot po i afrohet të nëntëdhjetave, por ka ende atë shikim zhbirilues e të mbushur me jetë, të cilin mbaj mend t’ia kem dalluar kur e kam takuar fillimisht, shumë kohë më parë teksa vinte në jetë dijet e zanatit, në një kodër – “të bekuar” me vokacion verëtar – të Shqipërisë së Mesme.
Tamam atëherë, kishte më shumë pamjen e një Indiana Jones-i të Vreshtarisë e Pemëtarisë, sesa atë të një profesori “konvencional” të Shkencave Bujqësore.
Në fakt pikërisht me prof. Petraqin, ishte menduar të niste kjo rubrikë rreth 10 vjet më parë. Por regjistrimi i atëhershëm i bisedës humbi menjëherë më pas e nuk u zbardh kurrë për lexuesin... po ja ku jemi sot për ta vazhduar denjësisht bisedën tonë. Edhe kësaj here, vetëm pasi diskutuam gjatë mbi pasionin e tij të momentit (mjerë ai që e shkon jetën pa pasione):
A e mbani mend shijimin tuaj të parë të verës? Kur ka qenë?
Mbaj mend që herën e parë verën e kam shijuar nëpërmjet një përzjerjeje me niseshte, buillon do thoja, që nëna përgatiste për mua, kur isha i vogël. Më vonë pastaj, kur bëhej mushti i ri, nga vreshti i familjes, bëja përsheshin me verë.
Cila është / janë vera / verërat tuaja të preferuara?
Në fakt ka të bëjë shumë edhe me cilat je stërvitur. Një verë që të le mbresa, që ka një harmoni, që ka aromë, shije dhe ekuilibër kuptohet menjëherë që me gllënjkën e parë. Kjo është vera më e mirë … e pra kjo mund të vijë nga variete të ndryshme. Verë që unë kam shijuar… do thoja... nga rrushi shiraz… shirazi ynë këtu në Shqipëri apo edhe serina e Korçës.
Nga intervista e dhjetë viteve me parë, do të shtoja edhe një shesh të zi, shijuar diku aty nga viti 1963, prodhuar në një fshat të Elbasanit.
Njëfarë H. Warner Allen ka thënë: “Nëna natyrë kishte ndërmend të kuqen kur bëri verën”. Po sipas jush?
Ky dallim besoj, historikisht, ka ardhur thjesht si pasojë e defekteve teknologjike, sepse një verë e bardhë që të ruante karakteristikat, freskinë ngjyrën, shijen siç duhet, nuk ia dilte. Oksidohej apo pësonte nga shumë faktorë.
Një verë e bardhë nuk ia dilte të rronte gjatë …nuk i duron sbalzot termike… e kuqja falë tanineve rezistonte më mirë. Me shkallën e njohjes që kemi sot mund të pohojmë se vlerat që ka e kuqja nuk i ka e bardha. Kjo ka flavonoidet etj, amaresveratrolin dhe polifenolet mbi të gjitha, i ka e kuqja.
Ç’mendim keni për verërat shqiptare?
Disa realizime janë të mira, për shembull Kallmeti. Rastësisht sipas viteve e ruan tipicitetin por jo standardin, çdo vit… pse është i paseleksionuar … shumë këmbëngulin ta mbajnë të tillë.
Sheshi i bardhë, po ashtu nuk ka rivalë mes të bardhash, po të dish ta punosh. Verëra të mira tashmë vijnë edhe nga zona kodrinore e Tiranës dhe Durrësit. Por ka akoma prodhues të cilët nuk e dinë ku duhet të mbërrijnë (lidhur me standartin e verës). Me shaka, profesori na përshkroi disa prej tyre.
Me hibridizimet mund të arrihen nivele shumë më të larta, si psh të arrihen nivelet e disa cabernet sauvignon të Bordeaux të çmuar botërisht.
Sa e rëndësishme është vera sot në jetën tuaj?
Vera duhet të jetë një “ushqim” i parë, i pandashëm nga tavolina.
Minimumi 200-250 ml në ditë. Pra fare mirë, një shishe në dy tri ditë. S’është e thënë të shoqërohet vetëm me mish… pastaj nga vij unë e kemi dhe pjesë të shume riteve e ceremonive fetare. Ekziston një gamë e gjerë bashkëshoqërimesh, të disponueshme nga të gjithë, të cilat bëjnë për rastin.
Unë vetë nuk e ndaj verën, qoftë edhe vetëm me një copë djathë, madje deri edhe me fasule.
Për poetin më të madh të gjermanëve “Jeta është tepër e shkurtër, për të pirë verëra mediokre’’. Po për Ju?
Ashtu mendoj dhe unë. / Nunc Est Bibendum