Shkence

PIRAMIDAT / Enigma yjore

Piramidat e Gizës janë të reshtuara me yjet e Orionit vetëm nëse mendohet që të jenë ndër- tuar shumë më herët. Po atëherë, nga kush?

piramidatEgjiptianët e lashtë ishin ndër vëzhguesit më kuriozë të qiellit, sipas disa autorëve mund të konsiderohen madje edhe të parët astronomë të vërtetë. Në Nabta Playa, një zonë depresive që ndodhet në shkretëtirën e Nubias, afro 100 kilometra larg nga Abu Simbel, ruhet një kompleks i madh megalitik, një bashkësi gurësh të vendosur në formë rrethi, që i përkasin mijëvjeçarit V para Krishtit. Ky Stonehenge në mesin e dunave të shkretëtirës duket i orientuar sipas pikave të ngjitjes dhe rënies së diellit në periudha të caktuara të vitit. Për njerëzit e lashtë, studimi i trupave yjorë dhe lëvizjeve të tyre kishte një përdorim praktik. Rregullimi i një kalendari në bazë të lëvizjeve qiellore ishte në fakt i domosdoshëm për të planifikuar festat dhe veprimtarinë bujqësore. Në mënyrë të veçantë, për egjiptianët, kishte rëndësi jetike spiralja në ngjitje, domethënë fenomeni i daljes, në lindje, i një ylli menjëherë përpara Diellit. Dhe ylli më i rëndësishëm ishte Sopdet, Siriusi i sotëm. Ylli lidhej me perënditë Hathor dhe Iside, dhe spiralja e tij e ngjitur pak javë përpara solsticit veror dukej se paralajmëronte përmbytjen e bekuar verore të Nilit.

Duke marrë parasysh lidhjen e ngushtë mes studimit të trupave qiellorë dhe fesë (astronomët e lashtë ishin në të njëjtën kohë priftërinj), është e natyrshme që rezultatet e vezhgimeve reflektoheshin edhe në ndërtimin e monumenteve të shenjtë. Po të njëjtat piramida, në fakt, duket se janë ndërtuar duke iu referuar pozicioneve të yjeve. Në fakt, është hedhur hipoteza që, përveçse përfaqësonin monumente funeralë të ngritur mbi varrin e sovranit, piramidat shërbenin për të lehtësuar ngjitjen në qiell të shpirtit të faraonit të vdekur. Pra, si të thuash makina shumë të mëdha për të “hedhur” sovranin në botën e përtejme. Virginia Trimble, astronome e Universitetit të Kalifornias, në vitin 1964 demonstroi se si kanali në jug të dhomës së mbretit në piramidën e Keopsit tregonte, në periudhën e ndërtimit të piramidës, mes viteve 2620 dhe 2500 para Krishtit, për nga zona e qiellit ku lëviznin yjet e Brezit të Orionit, ndërkohë që ai verior tregonte për nga ylli polar. Duke kujtuar se si egjiptianët e lidhnin me konstelacionin e Orionit hyjshmërinë e Osiridit, me të cilin identifikohej faraoni i vdekur, aëherë ngrihej spontane hipoteza që kanali ishte i destinuar të vendoste një lloj komunikimi të drejtpërdrejtë mes dhomës ku ndodhej i vdekuri dhe destinacionit yjor të faraonit. Që në vitet 800 një tjetër astronom kishte mbetur i magjepsur nga saktësia e piramidave, madje deri në atë pikë sa të formulonte megjithatë teori më të diskutueshme. Skocezi Charles Piazzi Smyth kreu matje të sakta në Piramidën e Madhe dhe arriti në konkluzionin që përmblidhte në vetvete një dije më të lartë të universit. Nga matjet dhe llogaritjet e tij, ai deduktoi se mund të nxirreshin gjëra të mëdha astronomike dhe madje data shumë të rëndësishme për historinë e njerëzimit, si ajo e mërgimit të hebrenjve apo e lindjes së Krishtit. “Në të vërtetë”, shpjegon astrofizikani Steno Ferluga i Universitetit të Triestes “metoda e përshtatur nga Piazzi Smyth do të lejonte të siguronim rezultate analogë edhe nëse do të aplikohej në çfarëdolloj ndërtese moderne. Në fakt, duke elaboruar në mënyrën e duhur çfarëdolloj objekti, mund të arrihet çfarëdolloj rezultati”.

INTERESANTE! Lexoni më shumë:

Screen Shot 2016-02-29 at 09.54.12

Megjithatë, hipoteza e një korrespondimi mes pozicionit të piramidave dhe atij të yjeve nuk gjendet veç aty. Autorët e Greqisë së lashtë na zbulojnë se për egjiptianët Rruga e Qumështit, fasha e yjeve që përshkon qiellin, ishte korresponduesi qiellor i Nilit.

Dhe nëse Rruga e Qumështit mund të ishte reflektimi qiellor i lumit, dhe e anasjellta, përse pika të tjerë mbi Tokë nuk do të mund të korrespondonin me pika specifike në qiell? Ishin Robert Bauval dhe Adrian Gilbert, në librin “Misteri i Orionit” që parashtruan tezën sipas të cilës piramidat ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që të riprodhonin kupën qiellore. Ideja e Bauval merr shtysë nga observacioni që pozicioni i 3 piramidave të mëdha të Gizës duket sikur riprodhon atë të 3 yjeve në Brezin e Orionit, domethënë Osiridin, perëndinë e të vdekurve.

Megjithatë, kjo hipotezë ka mangësi të ndryshme. Pohime të tillë janë vënë në provë mbi të gjitha nga dy astronomë, amerikani Ed Krupp dhe afrikanojugori Anthony Fairall. Si për fillim, korrespondimi është vetëm i përafërt: vija e tre piramidave kryesore është e drejtuar për nga veriu, ndërsa ajo e yjeve për nga jugu; për t’i përputhur duhet të rrotullohet një nga të dyja. Megjithatë, edhe kështu këndi i drejtimit është i ndryshëm. Nëse pastaj përfshijmë edhe piramidat e tjera, siç bën Bauval, nuk gjendet më asgjë dhe mbi të gjitha mungojnë pikërisht piramidat që i korrespondojnë dy yjeve më të shndritshëm të të gjithë konstelacionit: Betelguese dhe Rigel.

“Bauval dhe të tjerë”, thotë Robert Chadwick, historian i McGill University në Montreal, “nuk kanë arritur asnjëherë të çiftojnë më shumë se 3 piramida dhe po kaq yje. Duke qenë se janë afro 30 piramida në zonën mes Abu Ruwash dhe Dashur, ky përkim është gjithësesi i hamendësuar. Kombinimi i 10 % të piramidave me 3 yje në mijëra yje të dukshëm në kupën qiellore nuk është provë e një korrelacioni bindës”.

Ndoshta mundet që, për egjiptianët e lashtë, Orioni ishte i përbërë thjeshtë nga 3 yje të Brezit. Në varrin e Senmut, një arkitekt i dinastisë XVIII, konstelacioni i Orionit përfaqësohet nga tre yje në resht dhe jo nga 7 që formojnë konstelacionin siç e njohim ne. Kinezët e lashtë e quanin Orionin Shenche, dhe jo rastësisht ndoshta. Ky term përkthehet “Bashkimi i treshes”. Pra, mund të mos ketë asnjë kuptim të kërkosh tek piramidat korrespondimin e të shtatë yjeve. Ndoshta, me 3 piramidat e Gizës egjiptianët përpiqeshin të riprodhonin në mënyrë të përafërt vendosjen e yjeve të brezit dhe asgjë më shumë.

Por për Bauval dhe një tjetër studues mbështetës të kësaj teze, Graham Hancock, kjo nuk mjafton. Të dy thonë në fakt se një herë e një kohë të tre piramidat e Gizës kanë qenë pozicionuar me saktësi milimetrike. Dhe që, bazuar vetëm në konfigurimin e tyre, mund të arrihesh tek mosha e tyre reale. Arsyetimi është ky: përllogaritet raporti mes këndit të reshtimit të piramidave të mëdha dhe Nilit me këndin e Brezit të Orionit dhe Rrugës së Qumështit.

Me anë të një simulimi në kompjuter përllogaritet më pas rrotullimi i kryer nga konstelacioni gjatë mijëvjeçarëve dhe arrihet në një koinçidencë të përsosur mes 2 këndeve diku rreth vitit 10500 para Krishtit. Konkluzioni: piramidat janë 8 mijë vite më të lashta nga sa është menduar deri sot. Dhe pikërisht mbi këtë bazë, shumëkush ka hedhur hipotezën e ekzistencës së qytetërimeve shumë të lashtë dhe të panjohur (për disa edhe jashtëtokësorë) që mendohet të kenë ndërtuar piramidat në kohë shumë të largëta. Por ekzistojnë prova në gjendje të përgënjeshtrojnë ato historiko-kulturore të akumuluara me kalimin e kohës nga arkeologë që e shohin ndërtimin e piramidave të mëdha të Gizës nga faraonët e dinastisë IV? Fatkeqësisht jo. E vetmja “provë” është ajo ngjashmëri mes pozicionit të tre piramidave dhe tre yjeve të brezit të Orionit./bota.al

Lexoni edhe:

Screen Shot 2016-02-29 at 09.54.32

Leave a Reply

Back to top button