Analiza

A po i hedh SHBA benzinë zjarrit të Lindjes së Mesme?

Fareed Zakaria

A po I hdh SHBA benzinw zjarrit tw Lindjes sw MesmeVendimi i administratës Obama për të kërkuar 500 milionë dollarë për stërvitjen dhe financimin e opozitës siriane është përshëndetur me një mbështetje bipartizane në Uashington. Në përgjithësi pranohet se, nëse administrata do ta kish bërë këtë gjë tre vjet më parë, situata në Siri nuk do të ishte shndërruar në një luftë civile sektare. Por kjo ide është e gabuar. Administrata po mbërthehet prej dëshirës klasike të Uashingtonit për “të bërë diçka” kur gjendet në një situatë e tmerrshme, pa patur një mendim të qartë nëse kjo do të përmirësonte, apo do të përkeqësonte gjërat.

“Populli sirian e nisi këtë revolucion përmes demonstratave paqësore”, deklaroi Senatori Lindsey Graham (republikan, Karolina e Jugut) – një prej të shumtëve që ka thënë se lufta është shndërruar në sektariane, për arsye se Uashingtoni ka qëndruar pasiv, ndërkohë që ajo intensifikohej. “Këta radikalë islamikë po marrin peng revolucionin”shpjegoi Graham.

Në fakt, islamikët radikalë kanë qenë në zemër të opozitës ndaj regjimit të Assadit që në fillim, disa dekada më parë. Babai i Bashar al-Assadit, Hafez al-Assad erdhi në pushtet me anë të një grushti shteti në vitin 1970, dhe ka qenë i pari josunit që ka udhëhequr vendin. Në fundin e viteve shtatëdhjetë, ai u përball me një kryengritje të armatosurislamike që u përhap në qytetet kryesorë të vendit. Mes viteve 1979 dhe 1981, ai vrau më shumë se 300 mbështetës të regjimit vetëm në Aleppo. Assadi nga ana e tij organizoi shtypjen që solli vrasjen e më shumë se 200 mijë oponentëve islamikë.

Libri i Eugene Roganit, “Një histori e arabëve” rrëfen historinë e një komandanti të ri alavit gjatë atyre viteve, Isa Ibrahim Fayyad, i cili u dërgua në misionin e tij të parë në burgun e Tadmurit. “Ata na hapën dyert e një blloku birucash. Gjashtë apo shtatë prej nesh hynë dhe vranë ata që gjetëm brena, 60 apo 70 vetë në total. Unë vetë mund të kem vrarë nja 15… Në tërësi duhet të jenë vrarë 550 prej atyre bastardëve të Vëllazërisë Myslimane”.

Fushata e terrorit e islamikëve u përhap, duke u zhvendosur edhe në Damask, aty ku në nëntor 1981 shpërthyen një autobombë në qendër të qytetit, që shkaktoi vdekjen e 200 personave dhe plagosjen e 500 të tjerëve. Më pas, në vitin 1982 erdhi kryengritja dhe masakra e tmerrshme në qytetin e Hamas, ku trupat qeveritare masakruan 10 mijë deri 20 mijë vetë – mes tyre shumë gra dhe fëmijë. Që atëherë, regjimi është organizuar për luftë kundër islamikëve dhe ata, nga ana e tyre, janë përgatitur për të rrokur shanset për luftë kundër regjimit.

Siria ka qenë e paqëndrueshme që në lindje. Es pavarësisë në 1946 dhe grushtit të shtetit të Assadit, ka patur rreth 10 grushte shteti të tjerë, apo tentativa për grushte shteti. Në fundin e viteve 1970, ishte ndarë në kampe, kryesisht të përcaktuar prej islamizmit dhe sektit. Fuqitë e huaja në Lindjen e Mesme – Arabia Saudite, Iraku, Irani – kanë financuar, armatosur dhe stëvitur militantë të të dy palëve. Në vitin 2011, këta tensione që kishin kohë që zienin, dolën në sipërfaqe.

Sot, sipas James Clapperit, drejtor i shërbimit kombëtar të zbulimit, janë afro 1500 grupe të ndryshëm kryengritësish në Siri, me 75 mijë deri 115 mijë kryengritës. Veç kësaj, janë 7500 luftëtarë të huaj nga vendet fqinjë. Grupet më të fuqishëm janë të gjithë islamikë radikalë – Shteti Islamik, Ahrar al-Sham, Jabhat al-Nusra.

Mos harroni se fuqitë fqinje, si qeveria turke, harxhoi muaj të tërë për të krijuar një opozitë të moderuar siriane. Unë kam takuar disa prej liderëve të saj në Stamboll në vitin 2012. Ata ishin njerëz vërtetë liberalë dhe demokratikë. Fatkeqësisht, këta grupe as nuk kishin kontakte, e jo më të influenconin grupet që në realitet po luftonin në Siri. Përpjekjet e Turqisë dështuan, ashtu sikurse dhe ato të shteteve të tjerë.

Por tani, Uashingtoni do të “shqyrtojë” këtë opozitë të madhe dhe të shpërndarë, prej 1500 grupesh, dhe të gjejë aty të moderuarit. Paçin fat! Kompleksiteti i detyrës së Uashingtonit mund të shihet në qasjen që ka Amerika ndaj Shtetit Islamik. Kur grupi lufton ndaj qeverisë Maliki në Irak, ajo është një armik i frikshëm dhe duhet të sulmohet pa mëshirë. Por kur kapërcen kufirin (tashmë joekzistent) mes Irakut dhe Sirisë dhe lufton ndaj regjimit të Assadit, ajo reshtohet për plotësimin e objektivit të shpallur të Amerikës për ndryshim regjimi në Damask. Asnjë vend tjetër nuk e ka këtë mungesë koherence strategjike. Grupet sunitë po luftojnë kundër atyre që i shohin si regjime femohues në Bagdad dhe Damask. Ata regjime shiitë apo pothuajse shiitë mbështeten prej fuqive shiite të rajonit – Irani dhe Hezbollahu. Vetëm Amerika po kërkon për të gjetur “djemtë e mirë”.

Me këtë histori në mendje, është e vështirë të besosh se tre vjet më parë një ndërhyrje modeste e armatosur e amerikanëve do të kishte ndryshuar trajektoren e ngjarjeve në Siri. Por a mund të besojë ndokush tani se një ndërhyrje modeste amerikane do të gjejë demokratë në këtë vorbull, t’i ndihmojë ata të fitojnë kundër Assadit dhe radikalëve, dhe stabilizojnë Sirinë? Apo mos aktivizmi i rigjetur i Uashingtonit do të hedhë më shumë benzinë në gjithë këtë zjarr të madh? /Washington Post/

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button