Histori

Polemika në Itali për eshtrat e Viktor Emanuelit III

Eshtrat e Víctor Manuel III u kthyen të dielën në Romë nga Egjipti, ku vdiq në ekzil, pasi kishte qeverisur nga 1900-1946, gjatë luftrave botërore dhe diktaturës së Benito Musolinit. Të gjitha këto kanë stisur një debat në Itali. Një avion ushtarak solli eshtrat e mbretit të parafundit të Italisë që nga Aleksandria, ku vdiq në vitin 1947 dhe do të varroset në varrezat e shtëpisë Savoja në Vicoforte, rajon i Piemontes. Ai do të varroset pranë bashkëshortes, Elena e Malit të Zi, e cila vdiq në ekzil në vitin 1952 në moshën 79 vjeçare në Montpellier, që gjithashtu është zhvarrosur këto ditët e fundit në fshehtësi të plotë. Víctor Manuel III mbretëroi gjatë një periudhe kontroverse që çoi më pas në abdikimin e tij në favor të djalit të vet Umberto II, një muaj para referendumit që do të shpallte republikën. Gjatë mandatit të tij Italia hyri në luftë, nga e cila mori edhe nofkën “mbreti ushtar” dhe ishte dëshmi e ngritjes dhe rënies së Duçes, bashkëpunoi për shpalljen e ligjeve raciale që lejuan deportimin e mijëra hebrenjve italianë.

Kthimi i eshtrave, kur mbushen 70 vjet nga vdekja e tij, ka provokuar përçarje në gjirin e familjes Savoja si dhe në debate publike. Presidentja e komunitetit hebraik italian, Noemi Di Segni tha: “Në një epokë të shënuar nga humbje të vazhdueshme të kujtesës dhe të vlerave themelore, kthimi i Víctor Manuel III në Itali sjell veçe shqetësim, sepse vjen në një vit të shënuar me përvjetorë të ndryshëm, mes tyre 80 vite nga firma e ligjeve raciale.” Stërnipi i sovranit, Manuel Filiberto, 45 vjeç, ia la në dorë tetos së tij, Marias vendimin për ta varrosur në Piemonte dhe kritikoi vendin dhe mënyrën e fshehtë të varrimit, pa një flamur. “Ndihem i neveritur sepse iniciativa mbeti në familjen time dhe nga tetoja ime Maria Gabriela. Edhe pse duhet të falenderoj presidentin Sergio Mattarela për gjestin e tij human,”- u shpreh ai për Corriere della Sera. Zhgënimi i familjes së dinastisë Savoja lind pse  eshtrat e Victor Manuel III nuk u varrosën në Panteonin e Romës, vend ku gjenden mbretër të tjerë si  Víctor Manuel II, Umberto I dhe mbretëresha Margarita.

“Beteja jonë ka qenë gjithmonë që ta varrosim me mbretërit e tjerë, i vetmi vend i denjë për të, në Panteonin e Romës dhe jo në një varr të çfarëdoshëm në Piemonte,” – u shpreh ai.  Sipas burimeve thuhet se kjo mundësi është mohuar plotësisht nga shteti. Historiani, Gianni Oliva që u shpreh për “La Repubblica” thotë motivet e këtij mohimi, të cilat janë tre, të gjithë të lidhura me rolin që luajti gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe diktaturës fashiste. Qortohet që nuk e ka hequr Musolinin  pas vrasjes në 1924 të liderit socialist Giacomo Matteotti, negociatat e tij me aleatët për të ruajtur monarkinë pas rënies së regjimit, lejimin e pushtimit gjerman si dhe firmën për ligjet raciale që është edhe krimi i tij më i madh, – u shpreh ai. / Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button