MAINMuzike

Popstarët e lodhur: Kur fama kërkon pauzë

Nga ikonat si Adele dhe Rihanna deri te artistët e rinj si Angelina Mango, gjithnjë e më shumë yje të muzikës po i thonë “stop” koncerteve dhe albumeve. Arsyeja? Një lodhje psiko-fizike që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në botën e spektaklit.

Adele: “E kam serbatorin të zbrazur”

Adele, një nga këngëtaret më të dashura të botës (me mbi 170 milionë disqe të shitura), e ka pranuar hapur: “Nuk këndoj më as në shtëpi kur jam vetëm, dhe kjo është shumë e çuditshme.” Kjo deklaratë shënon pranimin e një burnout-i – një stresi të pakontrollueshëm. Pas disa viteve koncertesh në Las Vegas, ajo ka vendosur të marrë një pauzë të pakufizuar nga muzika.

Ky është çmimi i famës. As stadiumet e mbushura e as disqet e platinit nuk mund të shërojnë ndikimin që fama ka mbi shëndetin mendor. Historia tragjike e Elvis Presley, mbretit të rock and roll-it, e tregon më së miri. Ai luftoi me fobi dhe varësi nga ilaçet deri në fundin e jetës, duke u shuar në moshën 42-vjeçare.

Rihanna: Të zgjedhësh familjen mbi famën

Ndryshe nga Elvis, Rihanna ka zgjedhur të fokusohet tek roli i saj si nënë, duke e lënë muzikën në pritje. Ajo është një shembull se si një yll mund të ndalojë pa pasoja, duke vënë prioritetet personale mbi kërkesat e industrisë.

Thom Yorke dhe Peter Gabriel: Pauza pa presion

Lideri i grupit Radiohead, Thom Yorke, ka preferuar të ndjekë projekte alternative si The Smile, duke i lënë Radiohead-in në pauzë që nga viti 2016. Për të, pritshmëritë e të tjerëve nuk kanë rëndësi: “Nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët. Bëj atë që dua.” Po ashtu, Peter Gabriel, pas 21 vitesh heshtje, u rikthye me një album dhe një tur energjik, duke treguar se pushimi mund të jetë çelësi për të rifituar gëzimin krijues.

Edhe të rinjtë ndalen

Fenomeni nuk është i kufizuar te artistët me përvojë. Sangiovanni, vetëm 21 vjeç, pas Sanremos, deklaroi se nuk kishte më energjinë për të vazhduar: “Besoj te muzika ime, por nuk kam forcat për ta çuar përpara.” Angelina Mango, pas disa anulimeve për shkak të problemeve me zërin, u shpreh: “Dua të kujdesem për veten duke vënë shëndetin tim në plan të parë.”

Presioni i shekullit të ri

Në epokën e rrjeteve sociale, të qenit popstar ka sfida të reja. Britney Spears u bë simbol i presionit nervor kur në 2007 u qeth zero dhe sulmoi makinën e një paparaci. Sot, artistët ndihen të detyruar të shndërrojnë çdo moment të jetës së tyre në përmbajtje për rrjetet sociale, duke u përballur me pritshmëri të vazhdueshme nga fansat.

Kjo trysni ka çuar yje si Ariana Grande, Selena Gomez dhe Justin Bieber të shpallin publikisht nevojën për pauza. Deklaratat e tyre shpesh përforcojnë lidhjen me fansat, duke e bërë pranimin e dobësisë një akt që i humanizon dhe i bën më të dashur.

Një nostalgji për thjeshtësinë

Në kontrast, kujtojmë David Bowie-n, i cili në vitin 1973 u zhduk nga sytë e botës për një udhëtim sekret me Trans-Siberian Express. Pa Instagram, pa njoftime, ai shijoi një realitet të ndryshëm, duke u bërë një njeri mes njerëzve të zakonshëm.

Pauzat nuk janë shenjë dobësie, por një strategji për të mbijetuar në një industri që kërkon gjithçka. / bota.al

Back to top button