Bota

Prej nga vjen terrorizmi islamik? Interpretimi i Alen Badu

Screen Shot 2016-07-05 at 08.54.11Nga Antonella Tarpino

E keqja jonë vjen nga larg. Në këtë mënyrë e shpjegon Alen Badu, filozof francez me origjinë marokene, terrorin që kaploi Evropën pas masakrës së Bataklanit në nëntor të vitit të shkuar në Paris. Dhe që e rinovon veten vazhdimisht, në Bruksel ashtu si edhe në masakrën e fundit të Stambollit. Vjen sa nga larg por njëherazi edhe afër:nga vetë horizonti ynë, Perëndimi i barbarizuar dhe i dhunshëm në të cilin jetojmë. Këto vrasje masive, janë simptomat e një sëmundjeje të rëndë të botës bashkëkohore. Më poshtë po paraqes një përmbledhje të cunguar të rrugëve kryesorë të treguara nga Badu në librin e tij të fundit të botuar së fundmi edhe në Itali:

Sot po shohim kudo, veçanërisht në vendet evropiane, shkatërrimin e tentativave të shekullit XX-të për të futur tek kapitali një “masë” që është kontrolli i shtetit, organizimin sindikal, logjikat e shtetëzimit, ligjet antitrust, zgjerimin e të drejtave sociale të popullsisë në përgjithësi.

Një proces jashtë kontrollit, siç e vë në dukje edhe agresiviteti i nënkuptuar i fjalës të saj kyçe: “privatizimi” në radhë të parë, për të vënë në dukje, pas mekanizmave të ndërmjetëm, se disa aktivitete të përcaktuara për të mirën publike duhet të kthehen në pronësi private deri në prishjen e fragmenteve të tëra të legjislacionit social me Kodin e Punës, të sigurimeve shoqërore, sistemit arsimor …

Kështu pra u çlirua liberalizmi. Dhe ky çlirim merr dy forma konvergjente: zgjerimin e pandërprerë të kapitalizmit në territore të tëra të tilla si Kina, dhe në të njëjtën kohë, fuqinë e jashtëzakonshme të përqëndrimit të kapitalit. Për shkak se dihet, kapitali duke u zgjeruar përqënrohet (një shembull mes shumë të tjerëve: bashkimi i dy gjigantëve të tilla si Fnac dhe Darty, libra dhe frigoriferë!)

Humbja e sovranitetit të shteteve kombëtare dhe shkatërrimi i vendeve ish-koloniale. Në fund të fundit, në disa zona gjeografike me burime natyrore (Lindja e Afërt dhe e Mesme), ju mund të krijoni zona enklavash, anarkiste, ku nuk ka më shtet. Mundet fare mirë të shmangni rrezikun e vazhdueshëm që shteti do të preferonte një tjetër klient, apo probleme të tjera tregtare.

Në një zonë ku është zhdukur çdo pushtet i vërtetë shtetëror, i tërë mikrokozmosi i kompanive private do të veprojë pa kontrolle të mëdha. Do të qarkullojnë disa lloje bandash të armatosura të kontrollueshme ose jo, gjë që nuk do të pengojë zhvillimin e biznesit, madje do të ecë edhe më të mirë se më parë. Megjithatë duhet kuptuar se në kundërshtim me atë që thuhet, kompanitë, përfaqësuesit e tyre mund të negociojnë me bandat e armatosura, dhe në disa aspekte edhe më lehtë se sa me shtetet.

Prandaj nuk është e vërtetë, që anarkia shtetërore dhe mizoritë e paimagjinueshme me të cilat ajo shoqërizohet, janë domosdoshmërisht në një kundërshti formale me strukturën e botës së sotme. Për shembull, mund të pyetet se cili ishte interesi i vërtetë i ekspeditës perëndimore në Libi. U shkatërrua plotësisht një shtet, u krijua një zonë anarkike për të cilën ankohen të gjithë apo shtiren sikur e bëjnë këtë, por tek e fundit amerikanët kanë bërë të njëjtën gjë në Irak, dhe francezët në Mali dhe në Afrikën Qëndrore.

Ndoshta ka një precedent dhe ky është shkatërrimi total i Jugosllavisë, që e ndau vendin në një duzinë territoresh, thuajse të gjitha shumë të sëmura dhe të korruptuara, duke paralajmëruar praktikat e zonimit (Fabio Mini ka folur për shteteve të ndërtuara me vetëdijen se do të dështonin).  Marrëveshjet e brishta ndërmjet pakicave, feve, bandave të ndryshme të armatosura për zëvendësimin e sunitëve me shiitët, apo e kundërta, megjithatë bëhet gjitha fjalë për operacione jo-shtetërore në kuptimin e vërtetë të fjalës. Me efekte katastrofike mbi popullsitë…

Atëherë, kush janë vrasësit e nëntorit, dhe në përgjithësi përkrahësit e ISIS-it? Në shumicën e rasteve, vëren Badu, Islamizimi është më shumë një proces fundor sesa nistor. Është fashistizimi (sa për të përdorur një term të vjetër) që islamizon, dhe jo Islami që fashistizon. Dhe çfarë mund të thuhet për aktet e tyre? Këtu gjendet edhe ndarja e brendshme e këtij subjektiviteti fashist.

Vrasësit e sotëm janë në një kuptim produkte tipike të dëshirës së frustruar për Perëndimin, njerëz të pushtuar nga një dëshirë e ndrydhur, njerëzit të përbërë nga ajo dëshirë. Ata  imagjinojnë se veprojnë me impulsin e tyre anti-perëndimor, por kjo është vetëm një nga simptomat nihiliste të zbrazëtisë së verbër të kapitalizmit të globalizuar, të paaftësisë së tij për t’i atribuar vlera të gjithëve në botën që po ndërton.

Akti i tyre – një vrasje masive në verbëri të plotë – nuk është një atentat. Një sulm është diçka që Rezistenca Franceze organizonte kundër nazistëve pushtuese dhe bashkëpunëtorëve të tyre petenistë ose, më mirë akoma, ajo që populistët e lavdishëm rusë urdhëronin për të vrarë carin. Në fakt, nëse marrim parasysh masakrën e 13 nëntorit dhe mënyrën sesi u zhvilluan ngjarjet, nuk ishte një veprim i organizuar, as ushtarak:ishte sinqerisht një aksion i përgjakshëm, por frikacak.

Mund të përkufizohet si e tillë, pasi të rinjtë “fashistë” (kështu i quan Badu vrasësit masive të Parisit apo Brukselit), vendosën që jeta e tyre nuk kishte më rëndësi, dhe jeta e të tjerëve akoma më pak. Në thelbin e asaj masakre qëndron vërtetë nihilizmi. Shkohet për të shkatërruar jetën e tyre me një “heroizëm” qesharak dhe artificial, po aq sa edhe kriminal.

Në fakt “një vrasje masive”, në të cilën vrasësi përfshin edhe veten. Kjo është një formë vetëvrasje kriminale që ngre në kulm instinktin e vdekjes. Nuk ekziston asgjë, as viktimat, dhe as vrasësit. Nga të gjitha pikëpamjet, një akt i urryer dhe kriminal. Megjithatë, a është e përshtatshëm të pajtohemi me zhargonin zyrtar dhe të flasim për “barbarë”?  Termit “barbar” i është kundërvënë gjithmonë termit “i qytetëruar”. “Lufta kundër barbarëve”, është lufta e popujve të qytetëruar kundër barbarëve. Por pastaj, për asnjë arsye s’mund të bihet dakord me arrogancën perëndimore, që pretendon se përfaqëson të qytetëruarit edhe kur kryhen një akt i neveritshëm dhe kriminal.

Veç të tjerash ka mbërritur momenti për të kujtuar se masakrat perëndimore tashmë janë të përhershme dhe jashtëzakonisht të përgjakshme. Nëse në rastin e parë të barbarisë, barbarisë së barbarëve, kemi një vrasje masive. Në rastin e barbarisë së popujve të qytetëruar, kjo është një vrasje masive teknologjike, e maskuar dhe më pas e realizuar.

“Huffingtonpost.it” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button