Bota

Presidencialet në SHBA: Erërat që janë shndërruar tashmë në stuhi

us debate

Nga Loretta Napoleoni

Ronald Regani përsëriste shesh se nuk ka asgjë të ngjashme me shoubizin, industrinë e kinemasë dhe argëtimit. Regani, i cili u rrit në shkollën e uesternëve të Xhon Fordit, muzikalëve të Fred Esteir dhe Xhinger Roxherit dhe Hollivudin e pasluftës, në fushatën presidenciale luajti pjesën e heroit, kampionit të vlerave të Amerikës së madhe. Armiku ishte qeveria, establishmenti që e kishte varfëruar Amerikën dhe shkaktuar recesionin ekonomik.

Megjithatë, në politikën e jashtme, armiku qe perandoria sovjetike e së keqes dhe regjimi khomeinist në Iran, që kërcënonte lumturinë e popujve të lirë. Një retorikë që pas Revolucionit Iranian, dhe në kontekstin e krizës së pengjeve amerikane në Teheran, funksionoi mirë.

Midis rreshtave lexohej në fakt kritika e thellë ndaj Xhimi Karterit, presidentit demokrat që e kishte zvarritur Amerikën në krizën iraniane, pasi qe liberal dhe i paaftë për të marrë vendime të rëndësishme.

Pra beteja ideologjike, në ato zgjedhje historike amerikane u zhvillua edhe mbi çështjet e politikës së jashtme, ndërsa në lidhje me politikën e brendshme Regani futi në zbatim  ekonominë neo-liberale, si një shtyllë të re të shoqërisë. Sot Donald Tramp, miliarderi dhe personazhi popullor i emisioneve televizive ‘reality’, drejton një fushatë që ka disa pika të përbashkëta me atë të Reganit.

Në radhë të parë, ashtu si Regani, ai nuk është një njeri i përmbajtjes, por i spektaklit, nuk e njeh retorikën e liderëve të mëdhenj politikë, ndërsa flet përmes sloganeve që duket se janë kopjuar prej reklamave. Është e pamundur të përcaktohet saktësisht, se cila do të jetë politika e tij e brendshme, apo ajo e jashtme, ose si do të menaxhojë shpenzimet fiskale dhe kështu me radhë.

Këto janë detaje, për të cilat nuk interesohet askush, dhe ndoshta ka të drejtë. Është e pamundur në sistemin amerikan, por edhe në sistemin demokratik perëndimor në përgjithësi, t’i bësh politikanët përgjegjës pse nuk kanë mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale. Atëherë mund t’ia vlejë zgjedhja e dikujt, tek i cili mund të besohet, dikush që mendon si shumica e votuesve, dhe që flet si ata.

Tramp ashtu si Regan e ka zhvendosur kursin e Partisë Republikane përmes një stili spektakolar. Ai i tiji është një ‘reality show’. Në rast se Regani ishte heroi mbi kalin e bardhë, që shpëtonte karvanin e rrethuar nga indianët, Tramp është Xherri Springer që gërmon tek pjesa e kalbur e shoqërisë për ta pastruar atë. Amerika do të rikthehet të jetë e madhe, thotë Tramp, sepse ‘do ta pastrojmë nga mbeturinat, emigrantët’.

Ndër parullat më të njohura është në fakt  ajo që thotë, se murin përgjatë kufirit me Meksikën do të paguajnë vetë meksikanët. Në politikën e jashtme, retorika është identike me atë të Reganit:presidenti demokrat është përgjegjës për katrahurën aktuale në Lindjen e Mesme, ai s’ka qenë në gjendje të mbrojë interesat amerikane, dhe tashmë terrorizmi i fondamentalizmit islamik ka ardhur në shtëpinë tonë.

Por zgjidhja që propozohet është ekstreme:bllokimi i vizave për të gjithë myslimanët, më pas të shohim se çfarë duhet të bëjmë, por si masë parandaluese të mos i lejojmë të vijnë në shtëpinë tonë. Ky është thelbi i mesazhit të Tramp. Ndryshe nga Regani, ai nuk ka nevojë për financues, dhe kjo është pika e tij më e forte, në një fushatë vendosmërisht anti-establishment.

Kjo do të thotë se Tramp ka mundësi të thotë atë që dëshiron, dhe kërcënojë se do të shkatërrojë sistemet e vjetra të pushtetit klientelist, jo vetëm në Uashington por edhe në Wall Street. Dhe kjo është arsyeja pse establishmenti dridhet nga frika. Këtë javë votohet në Ajoua, një test kyç për të parashikuar që kush do ta fitojë garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Fakti i thjeshtë që Tramp arriti deri në këtë pikë të garës, duhet të na bëjë të kuptojmë se mënyra e vjetër e të bërit politikë, nuk është duke funksionuar, sistemi është i kalbur dhe cilido që ka para për të bërë fushatë mbi këtë çështje, tërheq mbështetje. Dhe nuk ka asnjë rëndësi, nëse mesazhi transmetohet përmes parullave ‘politikisht jokorrekte’, nga një kandidat haptazi narcizist dhe më një stilim flokësh të shëmtuar.

Në thelb Obama u votua me bindjen se do ta çmontonte sistemin aktual për të krijuar një të ri, më pak të korruptuar, më funksional në raport me interesat e popullsisë, një shpresë që u venit që në raundin e parë presidencial. Nëse Tramp do ta fitojë apo jo në këtë fushatë zgjedhore, kjo është e parëndësishme. Erërat anti-establishment, janë shndërruar tashmë në një stuhi të vërtetë në SHBA, dhe herët a vonë do të korrë një rezultat fitues. Shpresojmë që kjo që ndodhë me një kandidat me peshë, dhe jo me një yll të ‘reality show’.

“Il Fatto Quotidiano” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button