Bota

Prifti që nuk donte të gjunjëzohej dhe barbaria brenda një kishe. Askush nuk është më i sigurtë

Screen Shot 2016-07-27 at 08.37.11

Askush nuk është i sigurt. Nuk ka vend ku Shteti islamik nuk mund të arrijë.  Lufta është në Evropë, midis nesh, në tren, në stadium, në një tavolinë bari, në shëtitoren e bregdetit, ose në një kishë. Fshati i Saint-Étienne-du-Rouvray nuk ka asgjë nga balieu-të e degraduara, asgjë simbolike, asgjë të rëndësishme, jeta këtu është e ngadalshme, me sanë, mërzi dhe djathë.

Një fshat i vogël normal

Ambroise shet gazetat pak më tutje se kordoni i policisë, që pengon  futjen në kishën e tmerrit. Mund të vësh bast se askush aty, nuk ka kërkuar ndonjëherë një kopje të vetme të Charlie Hebdo, dhe, për të qenë i sinqertë, edhe vetë Ambroise nuk ka pasur ndonjëherë kuriozitet për të parë një karikaturë satirike të Muhamedit. Ka 4 mijë kisha në Francë. Tre mijë janë pak a shumë si kjo: çatia e zezë, guri ngjyrë e bardhë për të krijuar harqet gotike. E pamundur të vendosësh policë para të gjithave, për shkak se do të duhej të vendoseshin edhe përpara çdo dyqani, çdo ndërtese, në cepat e rrugës. Kisha e Saint-Étienne-du-Rouvray, dhjetë kilometra nga Roueni, në zemër të Normandisë, ishte i fundit i objektivave të pritshme në vend, por dje u shndërrua në vendxhirimin e tmerrit, filmuar si me një selfie, nga dy terroristë të rinj në moshë, dy “ushtarët”, që ISIS i pranoi menjëherë si të tijtë.

Kërcënimet dhe ekzekutimi

Në orën 9:43, të dy terroristët hynë në kishë, nga një derë e vogël që çon në Rue Gambetta. Mesha e parë e mëngjesit ishte duke përfunduar.”Kryqtarët”, që dëshironin të godisnin ishin pesë: Ati Jacques Hamel mbi altar, më pas dy motrat dhe dy besimtarë në banga. “Ata dukeshin si të çmendur”, thotë Motra Danielle. “Bërtisnin Daesh, Daesh, apo edhe Allahu Akbar”. Njëri prej tyre u identifikua si Adel Kermiche, 19, brezi i dytë i emigrantëve nga Afrika Veriore, i kombësisë franceze. Ishte përpjekur dy herë për të shkuar në Siri, ndoshta si një vëlla. “Donin që Atë jacques të ulej në gjunjë, silleshin rreth altarit duke bërë një lloj shpalljeje në islame, në arabisht. Të gjithë ulërinin.

“Ndaluni, ju nuk e dini se çfarë jeni duke bërë.” “Është një marrëzi.” Por të dy kishin thika dhe i kërcënonin të gjithë”. Ndoshta dikush do të shohë pamjet që të dy vrasësit i kishin regjistruar. Tani për tani janë vetëm fjalët e murgeshës guximshme. “Ulu në gjunjë”, i thoshin priftit. Tetëdhjetë e gjashtë vjeçari, ndoshta ka mbrojtur kishën e tij nga sakrilegji, ndoshta vetëm ka reaguar si i moshuar, ndaj arrogancës së dy djemve. Ata e masakruan. “Atë Jacques nuk donte të binte në gjunjë, u rezistoi dhe besoj se gjithçka degjeneroi në ato momente”. Një nga dy djemtë i futi thikën në fyt. “Të gjithë ulërinin, besimtarët e tmerruar, por edhe edhe dy vrasësit. “Ndaluni, ndaluni”. Unë isha pranë derës, askush nuk më shihte”. Ati Jaques duhet të ketë rënë, sepse murgesha rrëfen që “ai me thikë ishte ulur për ta tërhequr. Tjetri falej në arabisht para altarit. Një barbari. Pikërisht në atë moment dola jashtë pa më vënë re kush”.

Të përdorur si mburoja

Motra Danielle dha alarmin. Në një kohë rekord zona u izolua. Gjithashtu mbërritën forcat speciale. Presioni veproi si duhet. Franca është gjendje të jashtëzakonshme prej muajsh. Dhjetë mijë ushtarë patrullojnë zonat e ndjeshme në Operacionin Sentinel. Alarmi është maksimal dhe të paktën për shpejtësinë e reagimit, nuk do të ketë polemika. Në 76 minuta pas fillimit të inkursionit, sulmi ishte “neutralizuar”. Pas vrasjes së priftit, dy “ushtarët” nuk ikën. Ata mbetën në kishën e larë në gjak, dhe ndoshta do të vazhdonin të filmonin, dhe me thika në duar të hidhnin regjistrimet e tyre në internet. Tre “kryqtarët” e mbetur ishin bërë mburoja njerëzore.

Policia u përpoq për të hapur një negociatë. Një agjent u përvodh nga dera e pasme. Ai pa tre “besimtarët që po përdoreshin si mur përballë terroristëve”. Është ende e paqartë se si dhe kur u plagos një peng i dytë. Edhe kushtet e negociatave janë të paqarta. Në fakt, në 11 dy “ushtarët ISIS” doli në shesh përmes derës së përparme, me thika në duar. Snajperat në shtëpitë përballë i vranë. Sipas disa raporteve, të tre pengjet u liruan më herët. Të tjerë thonë se terroristët dolën duke përdorur pengjet si mburojë dhe se ishte një plumb i policisë që plagosi një prej besimtarëve. Dinamika e sulmit dhe zgjidhja janë të paqarta. Heshtja është e kuptueshme. Ndërkohë është arrestuar edhe i tretë, minoren.

Atentatori ishte i “Kodit S”

Adel Kermiche, terroristi të cilit i doli emri, kishte një byzylyk elektronik dhe ishte i detyruar që të raportonte në polici një herë në javë. Ishte me kodin “S”, pra një subjekt nën vëzhgim maksimal. Kishin të drejtë analistët, kishte të drejtë shërbimi i fshehtë dhe gjithashtu bashkëpunimi me shërbimet gjermane dhe turke të sigurisë kishte funksionuar. Megjithatë, kjo nuk ka ndihmuar për të shmangur barbarizmin. Dy herë në vitin 2015 ai ishte përpjekur për të shkuar në Siri, pasi ishte bllokuar në Gjermani, një herë tjetër në Turqi. Abdel kishte bërë 11 muaj burg në Francë, por në muajin mars u lirua. Deri ditën e vrasjes, nëntëmbëdhjetë vjeçari nuk kishte shkelur asnjë dispozitë juridike: në mëngjes, gjatë atyre orëve, ai mund të largohej nga shtëpia. Menaxhimi i rastit të tij dhe atyre të mijëra luftëtarëve të huaj që aspirojnë apo që i përkasin tashmë Shtetit Islamik të Al Bagdadit vetëm mund të përkeqësojë diskutimin mbi strategjinë e reagimit. Prokurori Publik i Parisit kishte apeluar kundër lirimit të tij, të vendosur nga gjyqtari mbikëqyrës.  /corriere.it / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button