Histori

“Princërit” / Dishepujt modernë të Nikolo Makiavelit

Cilët janë “makiavelistët” më të mëdhenj të kulturës popullore

Print

Kanë kaluar 500 vite që kur Nikolo Makiaveli shkruajti “Princin”, guidën e tij për një udhëheqës hipotetik. Ka patur një seri të jashtëzakonshme personazhesh në kulturën popullore që tashmë i kemi konsideruar si “Makiavelistë”.

Fjala “Makiavelist” përshkruan pikësëpari një marrëdhënie me veprat e teoricienit fjorentin të shekullit 16, Nikolo Makiaveli. Por në përdorimin më të zakonshëm lidhet me cilësitë që njerëzit kanë grumbulluar pak e nga pak prej “Princit” të Makiavelit. Fjalori i Oksfordit në anglisht thotë: “Një person që praktikon pragmatizmin në kurriz të moralitetit; një intrigant apo një mjeshtër intrigash. Zakonisht përcmues si kuptim”. Në një tjetër fjalor thuhet: “Shenjuar prej dinakërisë, hipokrizisë apo keqbesimit”. Studiuesit shpesh herë janë shqetësuar prej interpretimeve të ashpër popullorë që i janë bërë veprës së Makiavelit, por karakteri i tij ka fituar jo pak lavdi në shumë personazhe të përsosur dinakë të ekranit. Ja disa prej tyre.

1. Tony Soprano – “The Sopranos”
Bosi në film i familjes Soprano të krimit në veri të Nju Xhersit është një njeri i prirur të gënjejë, të mbysë apo të cajë rrugën e tij me armë në dorë me qëllim që të ruajë fronin e vet. Por kreu i familjes shpreh pakënaqësi me “Princin” dhe mënyrën se si kolegët e tij italianë të krimit zbatojnë veprën e Makiavelit. Ai lexon dhe përqafon “Artin e luftës” të gjeneralit dhe filozofit kinez, Sun Tzu, pasi këtë ia rekomandon terapisti i tij. “Shumica e atyre që njoh lexojnë atë Princin, Matchabelli. Një herë i kërkova Camellës të marrë librin me shënime, dhe ishte jo keq, por ky libri “Arti i luftës” i Sun tzu është shumë më i mirë sa i përket strategjisë”. Megjithatë, edhe një lexues rastësor i Princit do të shohë paralele me mënyrën e veprimit të Tony Sopranos. Pjesa më e famshme e Princit është ajo flet nëse është më mirë të të duan apo të të kenë frikën. “Mbi këtë, ngrihet një pyetje: nëse është më mirë të të duan se sa të të kenë frikën, apo më mirë të të kenë frikën se sa të të duan?” shkruan Makiaveli. “Mund të përgjigjesh se duhet të urosh që të kesh të dyja, por për arsye se është e vështirë t’i bashkosh tek i njëjti person, është shumë më e sigurtë të të kenë frikën se sa të të duan, kur duhet të zgjedhësh njërën”.

2. Francis Urquhart – House of Cards
Francis Urquhart (i njohur me inicialet e tij, FU), një politikan në serialin House of Cards, me një ambicie të panginjshme, i
krijuar nga Michael Dobbs, është padyshim një supermakiavelist, me dhunti në artin e errët të politikës. I luajtur prej aktorit Ian Richardson në serinë televizive të viteve nëntëdhjetë, House of Cards, etja e Urquhart për pushtet, mungesa e mëshirës që ai shfaq si dhe zhdërvjelltësia e bëjnë atë një antihero klasik, që mbahet mend për frazën e famshme: “Ti mund ta mendosh kështu, unë nuk mundem të komentoj”. Lidhja me filozofin italian u tha qartë prej skenaristit Andreu Davies. Në të kaluarën e tij, Urquhart ka dhënë mësim Rilindjen e Italisë përpara se të hyjë në politikë dhe është ekspert i familjes Medici dhe i Makiavelit. Ashtu si Princi, ai është m i interesuar për qëllimin se sa për mjetin. Ai është njëkohësisht njeri me parime të fortë, i dhënë pas politikave sociale autoritare dhe një doktrine ekonomike strikte. Nga ana tjetër, ai është një njeri pa moral në të dhënit pas pushtetit. Pasi kandidati i tij për kryeministër nuk i jep një post ministror kur vjen në pushtet, Urquhart vihet për të shkatërruar këdo që i del para teksa nis e thur një rrjet manipulimi. Përdor shantazhin, tradhëtinë dhe vrasjen.

3. Tom Ripley
Për protagonistin amoral të romaneve të Patricia Highsmith dhe filmit të Anthony Minghella “The Talented Mr Ripley”, filozofi John Gray thotë se Tom Ripley është “një makiavelist i vërtetë”. “Ripley nuk lejon që sjellja e tij të komandohet prej emocioneve por kurdo kur është e mundur ndjek një rrugë mashtrimi të kujdesshëm të planifikuar kohë më parë. Ai është gati të përdorë dhunë për të arritur qëllimet e tij, por vetëm kur llogarit se është
e domosdoshme ta bëjë këtë dhe se do të jetë efikase. Ai është i shkëputur nga moraliteti tradicional dhe ka një maskë publike, e cila fsheh qëllimet dhe strategjitë e tij.
Ripley është e kundërta e Makiavelit, në qëllimet e tij. Makiaveli donte që pamëshirshmëria të përdorej për qëllime politike – arritjen e një republike të vetëqeverisur – ndërkohë që Ripley është i pamëshirshëm me qëllim që të arrijë synime të pastër personalë – një jetë të pasur, të ngeshme, plot me lehtësira. Praktikisht, Ripley është Makiaveli por për një epokë të privatizuar”.

4. Jago – Otello
Ndërkohë që Tony Soprano, Francis Urquhart dhe Tom Ripley janë personazhe të këqinj për të cilët lexuesve dhe shikuesve u duhet shumë mund që të mos i pëlqejnë, Jago i Otellos është krejt i ndryshëm. “Jago është Makiaveli më i famshëm i Shekspirit, megjithatë ai nuk e pranon asnjëherë ndikimin e Makiavelit”, shkruan Profesori Gordon McMullan i Qendrës Shekspir në Kings College në Londër. “Ndryshe nga Mysafiri i Garter tek Gratë e Lumtura – i cili pyet troc: A jam unë politik? A jam delikat? A jam Makiavel? – Jago nuk pretendon ndikim prej tij, duke krijuar përshtypjen se i ka menduar vetë të gjithë veprimet e tij, dhe sigurisht, duke parë ekzekutimin e rrëmujshëm që i bën planit të tij në fund të tragjedisë, ai nuk ka arritur të ndjekë këshillën e Makiavelit për të ruajtur pushtetin, por në kurriz të të tjerëve. Por, në fund të fundit, Makiavelët britanikë janë të gjithë të prirur të dështojnë – shihni Barabasin e Cristopher Marlou tek “Hebreu i Maltës”, i cili përfundon i
vdekur para audiencës – dhe Jago në cdo rast nuk është në pozitën për të ndjekur këshillën e Makiavelit, pasi ai thjeshtë nuk ka statusin, ai nuk ka atë pozicion pushteti tek i cili Makiaveli adreson këshillën e tij. Motivet e Jagos janë perversë, kontradiktorë në vetvete, dhe të komplikuar, mjafton të themi që kanë sfiduar përpjekjet e brezave të tërë të kritikëve për t’i zbërthyer – a e bën ai atë që bën për arsye se do një ngritje rroge, sepse mendon që Otello ka fjetur me gruan e tij, sepse është i dashuruar me vetë Otellon? T S Elliot ka vërejtur se ndikimi i Makiavelit ka qenë “historia e mënyrave të shumta se si ai është keqkuptuar” – domethënë, Makiaveli përshkruante se cfarë bënin, ose duhej të bënin, sundimtarët e qytet-shteteve italianë për të qëndruar në pushtet, dhe ai nuk mbronte me focë që këto ishin gjëra që ata duhej të bënin pa e vrarë mendjen për vlerat morale të veprimeve të tyre. I keqkuptuar apo jo, Makiaveli ka qenë një burim i pashtershëm për dramaturgët anglezë”.

5. Becky Sharp – Vanity Fair
Ah, Miss Sharp, anti hero i “Vanity Fair” të autorit Uilliam Thackeray. E mprehtë në emër dhe e mprehtë në natyrë, ajo shfrytëzon dhuntitë dhe mprehtësinë e saj për t’iu ngjitur shkallës sociale nëpërmjet të vetmes mënyrë që ka në dispozicion një grua në Anglinë e mbretit George: flirtimit strategjik. “Kini parasysh që Miss Sharp nuk kish të afërm që të organizonin këto cështje delikate për të, dhe se nëse ajo nuk gjente vetë një burrë, nuk kish njeri tjetër në botë që do të hiqte telashet nga duart e saj”, thotë rrëfyesi. Elegante dhe tërheqëse,

Sharp është gjithashtu, sic thotë sërish rrëfyesi, “një vajzë e re me një zgjuarsi të jashtëzakonshme”. Ajo përdor këtë zgjuarsi dhe këtë bukuri me një efekt të konsiderueshëm. Për pjesën më të madhe të librit, mospëlqimi i saj për të birin, Raudonin e vogël, është i dukshëm. Por gjatë një takimi të familjes për Krishtlindje, kur sheh se “butësia e nnës ishte në modë”, ajo e thërreth për t’i dhënë një të puthur. Sic thotë Makiaveli tek Princi, sa kohë që dikush shfaqet sikur vepron virtytshëm, shumica e njerëzve do të besojnë në virtytin e tij. Megjithatë, kjo shfaqje publike e dashurisë nga Sharp zhbëhet kur i biri, pasi skuqet, i thotë: “Mami, po ti nuk më puth asnjëherë në shtëpi”.

6. Lord Varys dhe Lord Baelish – “Game of Thrones”
Beteja mes Lord Varys (alias Merimanga) dhe Lord Petyr Baelish (alias Gishti i vogël) për t’ia kaluar njëri-tjetrit për Makiavelizëm është shumë e këndshme për fansat e “Game of thrones”. Varys është një eunuk sipas traditës më të mirë të historisë bizantine, të cilit i mungon si një lindje nga një derë e madhe ashtu edhe mundësia për të ecur përpara përmes një karriere ushtarake. Ai zgjedh që të mbrojë pasurinë dhe jetën e tij duke u siguruar që të jetë gjithmonë i dobishëm për ata që përndryshe mund të tundohen ta shkatërrojnë. Si kryespiuni i mbretit, nofka e tij Merimanga buron prej rrjetit të spiunëve që ai ka krijuar për të mbledhur copëzat e informacionit që i nevojiten për të manipuluar të tjerët dhe për të cuar përpara interesat e tij.
Baelish është absolutisht i pamëshirshëm, dhe më hakmarrës se sa Varys. Kur një ndihmëse e tij zbulon informacion tek Varys,
ai ia ofron atë mbretit sadist duke e ditur se ajo do të qëllohet për vdekje me shigjeta. Ai është ambicioz, në kërkim të statusit fisnik që i mungon. Ekspertiza kryesore e tij është në financë, një jehonë kjo e familjes Medici që, përgjatë disa brezash, e shndërruan fuqinë financiare në kontroll politik në Italinë veriore. Përvec kontrollit që i bën financave të pallatit, Gishti i vogël shfrytëzon edhe ai informacionin për të vendosur fraksionet e ndryshëm kundër njëri-tjetrit. “Kaosi nuk është gropë. Kaosi është një shkallë”, thotë ai. “Shumë prej atyre që përpiqen t’i ngjiten dështojnë, dhe nuk arrijnë të përpiqen më. Rënia nga shkalla i thyen. Dhe disa të tjerë, kur u jepet një shans që të ngjiten, refuzojnë. Ata kapen pas mbretërisë, ose perëndive, apo dashurisë. Iluizone. Vetëm shkalla është e vërtetë. Dhe e vetmja gjë që mbetet është ngjitja”.

7. Satanai i Miltonit – Parajsa e Humbur
“Satanai i John Miltonit – heroi rebel, karizmatik dhe tragjik – buron nga pena e një republikani radikal dhe të sinqertë që kishte lexuar dhe kuptuar shumë mirë veprën e Makiavelit”, shkruan Filippo Del Lucchese, lektor i shkencave politike dhe historisë në Universitetin Brunel. “Në shkrimet e hershëm të Miltonit, si për shembull libri Commonplace, ai kishte vlerësuar Makiavelin për pozicionet e tij më radikalë, duke përfshirë idetë e tij se “kryengritjet popullore janë shans për rikthimin e lirisë dhe si pasojë nuk duhet të dënohen, pasi përgjithësisht ato nisin duke u bazuar në kauza dhe ankesa të drejta”. Makiaveli theksonte se është “e nevojshme, për një Princ, që të mësojë të jetë në gjendje jo të jetë i mirë, dhe ta përdorë këtë jo duke u
nisur vetëm nga nevoja” – përmes Miltonit, ai gjeti jo më pak se sa një engjëll të rënë për ta dëgjuar.

8. Markezja Isabelle de Merteuil – Les Liaisons Dangereuses (Lidhjet e rrezikshme)
Markezja Isabelle de Merteuil, e luajtur nga Glen Close tek Lidhjet e rrezikshme, bazuar në romanin e shekullit 18 me autor Pierre Choderlos de Laclos, është një gjysmë e një dysheje makiaveliste aristokratësh të shekullit 18 (tjetri është Vicomte de Valmont i John Malkovich). Duke përdorur seksin si armë për të pushtuar ata që ka përreth, markezja sajon një plan të ligë për t’u hakmarë ndaj një ish të dashuri duke shkatërruar virtytin e një gruaje të re me të cilën ai pret të martohet. Ajo përdor një tjetër ish të dashur – Valmont – për të bërë punën e pisët dhe për të joshur gruan e re, Cecile Volanges. Bota e markezes është një botë intrige, manipulimi dhe mashtrimi. Ashtu si Princi i Makiavelit, markezja është e neveritshme dhe karizmatike njëkohësisht.

Një intrigante e përsosur, ajo nuk do të ndalet para asgjëje për të shkatërruar burra dhe gra, sa kohë që ajo ruan kontrollin. Kur Valmont admiron mënyrën se si ajo i con njerëzit që të bëjnë atë që ajo dëshiron, ajo shpjegon se si është “formuar” për të mbijetuar në një botë të dominuar prej burrave. “Kur unë dola në shoqëri, isha 15 vjec. E dija tashmë se roli që isha e dënuar të kisha, domethënë të rrija urtë dhe të bëja atë që më thoshin, më jepte shansin e përsosur për të dëgjuar dhe vëhzguar. Jo atë që njerëzit më thoshin, që natyrisht nuk më interesonte, por gjithcka që ata përpiqeshin të fshihnin. Praktikova mënjanimin, shkëputjen. Mësova si të dukesha e gëzueshme, ndërkohë që nën tryezë ngulja një pirun në kurrizin e dorës. U bëra një virtuoze e mashtrimit. Nuk kërkoja kënaqësi, por dije. U konsultova me moralistët më striktë se si të shfaqesha, me filozofë për të gjetur se cfarë të mendoja, dhe shkrimtarë për të parë se cfarë mund të përfitoja dhe në fund, distilova gjithcka në një parim të thjeshtë: fito ose vdis”.

Në një botë ku, sipas Makiavelit, kaq shumë njerëz janë të prirur drejt “të keqes”, të fitosh, dhe jo të vdesësh, kërkon adoptim të strategjive amorale. Megjithatë, nuk ka ngjashmëri mes mizorisë së të dyve. Mizoria, shkruante Makiaveli, ishte një e keqe e domosdoshme për të ruajtur rendin dhe e justifikuar para të mirës publike. Ndërsa Markezja duket se e përdor thjeshtë për kënaqësinë e saj.

9. Francis Ualsingham tek Elizabeth
Jo Francis Ualsinghami i vërtetë, por ai i luajtur nga Geoffrey Rush tek Elizabeth, i Shekhar Kapur. Në versionin e filmit ai është një vrasës tinzar, por Ualsinghami i vërtetë ka gëzuar një reputacion si kryespiuni, që kontrollonte rrjetin informal të spiunazhit që mbronte Elisabetën dhe Anglinë gjatë një mbretërimi të mbushur me intriga. Ai kish shumë pak pendesë për torturimin që i bëhej katolikëve për t’u nxjerrë atyre dëshmi për komplote në pallat. Por në mjedisin moral të kohës, kjo gjë ishte tipike për një njeri në pozicionin e tij. Më shumë se sa një njeri i dobishëm, Ualsinghami i Rush duket se shijon manovrimet, duke nxitur ai vetë rënien e shumë të pafajshmëve.

10. Sonny LoSpecchio
Një tjetër mafioz në listë. Filozofi britanik Bertrand Russell e ka quajtur Princin “një manual për gangsterë”, dhe në filmin e vitit 1993 të Robert De Niros “A bronx tale”, libri është i spikatur. Bosi i pamëshirshëm i krimit, Sonny LoSpecchio i thotë një adoleshenti që e ka bërë shok se ka lexuar Makiavelin në burg dhe e jeton jetën sipas mësimeve të tij. Konceptet që ai ka për lidershipin burojnë direkt nga Princi. LoSpecchio shpjegon rëndësinë e “disponueshmërisë” – qëndrimi afër territorit të tij. Kështu, thotë ai, aleatët e tij do të kenë “më shumë arsye për ta dashur”, sepse mund të besojnë në mbrojtjen e tij, ndërkohë që armiqtë e tij do të kishin më shumë arsye për t’u frikësuar prej tij “dhe do të mendohen dy herë, pasi e dinë që jam afër”. Adoleshenti e pyet: “Eshtë më mirë të të duan apo të të kenë frikën?”, pyetje të cilës LoSpecchio i përgjigjet: “Pyetje me vend. Eshtë mirë t’i kesh të dyja, por është shumë e vështirë. Por po të më duhej të zgjidhja, do të preferoja më mirë të më kishin frikën. Frika zgjat më shumë se sa dashuria”.
“Hileja”, vazhdon ai, “është që të mos të të urrejnë”. Duket sikur flet vetë Princi – por këtu ngjashmëritë marrin fund. LoSpecchio përfundon i vrarë – dicka që një princ më i mencur do ta kishte shmangur.


Screen Shot 2015-02-23 at 12.36.26 PM

 

 

 

 

Leave a Reply

Back to top button