Bota

PROFIL / Berni Sendërs, kryebashkiaku i “kuq” që donte më shumë

Libri i ri Herri Xheif zbulon se si një “djalë 74-vjeçar hebre nga Bruklini” arriti të bëhet tërheqës për studentët, fermerët dhe punëtorët e fabrikave, në garën për president të SHBA-së

Screen Shot 2016-03-08 at 07.42.11

“New Statesman”

“Përqëndrimi i pushtetit, e bën njeriun mesatar të ndjehet i parëndësishëm”- u shpreh Berni Sëndërs i Partisë Bashkimi i Lirisë për gazetën “Burlington Free Press” në vitin 1971, në përpjekjen e tij të parë për tu zgjedhur në senatin amerikan. Sanders zhvilloi fushatën në Vermont, shtetin e dytë më pak të populluar të Amerikës, duke biseduar me punëtorët e fabrikave mbi pagat dhe kushtet e punës, dhe duke pretenduar se një pjesë të vogël e njerëzve të fuqishëm kontrollonin industri të tëra.

“Sa për kualifikimet e mia”- theksoi Sanders:”Unë nuk jam politikan”! Bashkimi i Lirisë, i themeluar në një fermë një vit më parë si një alternativë progresive ndaj demokratëve, shpresonte se mesazhi i tij për drejtësi ekonomike dhe pavarësi nga rrjedhat kryesore politike (si dhe thirrjen e kandidatit të saj për të legalizuar drogën), do të rezononte me braktisjen urbane dhe hipitë që kishin shkuar të strehoheshin në Green Mountains.

Megjithatë në zgjedhjet e janarit 1972 Sendërs mori vetëm 2.2 përqind të votave, duke dështuar për t’u bërë senatori i parë socialist i Amerikës. Ai e braktisi partinë 5 vjet më vonë. U desh të vinte viti 2007 që ai të zgjidhej senator për Vermontin, dhe në këtë post ai po kandidon tashmë për t’u bërë kandidati i demokratëve për president i SHBA-së.

Pasi deklaroi për revistën “Playboy” në tetor të vitit 2013, se ishte “të paktën 99 përqind i sigurtë” se nuk do të merrte pjesë në këto zgjedhje, Sendërs tani është kandidati i 99 Përqindëshit, dhe e gjen duke garuar përballë pasardhëses së mirosur të Barak Obamës, ish-zonja e parë dhe sekretarja e shtetit, Hilari Klinton.

Qëkur fushata e Sendërs tërhoqi vëmendje, mbështetja ndaj tij në sondazhe u rrit në mënyrë të qëndrueshme dhe po ashtu edhe baza e mbështetjes, ndërsa publiku reagoi pozitivisht ndaj retorikës së tij kundër pabarazisë në të ardhura dhe “manipulimit” të ekonomisë, si dhe thirrjet e tij për një “revolucion politik”. Ndërsa rivalja e tij ka grumbulluar më shumë para për fushatën nga Uoll Striti se çdo kandidat tjetër nga të dyja partitë e mëdha, Sendërs krenohet se ka mbledhur vetëm 1 milionë dollarë donacione individuale, mesatarisht nga 27 dollarë secili.

Në librin “Pse Berni Sandërs ka rëndësi”, Herri Xheif shpreson t’i përgjigjet pyetjes kryesore se si një “djalë 74-vjeçar hebre nga Bruklini dhe me një theks të pagabueshëm” (Sanders i trajton turmat si “brothuhs dhe sistuhs”, vëllezër dhe motra) e gjen veten tërheqës për nxënësit 18-vjeçarë të kolegjeve, fermerët, punonjësit e fabrikave dhe punëtorët në pension.

Autori bën një përshkrim të tillë mbi personazhin e librit të tij:”Sanders flet si një djalë bujar dhe nganjëherë duket si një njeri i moshuar që lëshon anatema ndaj njerëzve të pasur”. Ai ka “stilin e një profesori ekonomie…dhe pamjen e xhaxhait tuaj zemerak”. Para se lexuesi të jetë në gjendje të ndërtojë një imazh të qartë mendor, vëzhguesit e rastit e kanë bërë paraprakisht këtë – një politikan lokal e cilëson Sendërsin si “një kone që ka kapur makinën”, ndërsa ish-sekretari i tij i shtypit e krahason atë me “prind të cilin ju s’mund ta kënaqni kurrë”.

Xheif është më mirë në pikturimin e një portreti të gjallë të jetës së hershme të Sanders në Bruklin. Babai i tij, Eli, emigroi nga Polonia në Amerikë në vitin 1921 dhe ka punuar si shitës bojë në një qytet i vogël plot me italianë, irlandezë, grekë dhe hebrej”, të gjithë në garë për të siguruar një farë jete normale. Bernard, i lindur në vitin 1941, u rrit në një godinë me tulla ngjyrë bezhë të pushtuar thuajse tërësisht nga familjet hebreje, dhe i kaloi ditët e tij duke luajtur sport në rrugë. Fqinjët e përshkruajnë atë si një “fëmijë imcak por me dhunti të mira sportive”.

Përvoja familjare qe e dobishme për zgjimin politik të Sendërs. Ai ka thënë se Hebraizmi “ka ndikuar shumë në zhvillimin tim intelektual dhe emocional”, duke kujtuar ndikimin e mësimit se familja e babait të tij qe praktikisht e shfarosur nga nazistët. Interesi i tij ndaj pabarazisë ekonomike, erdhi nga “presioni i vazhdueshëm i të mos pasurit para të mjaftueshme” që vuanin prindërit e tij.

Vëllai i tij i madh, Lerri (i cili u zhvendos në Britani në fund të viteve ’60, dhe nuk arriti të zgjidhet deputet  në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, si një kandidat i Partisë së Gjelbër, në një zone elektorale jo shumë larg nga ajo e Dejvid Kameronit), solli mjaft libra në shtëpi dhe e njohu Bernin me poezinë dhe Frojdin.

Sendërs shijoi përvojën e parë të aktivizmit të tij publik, me mbledhjes së nënshkrimeve të një peticioni të demokratët e rinj, si dhe mbledhjen e fondeve në shkollën e mesme për jetimët e viktimave të Luftës së Koresë. Pas përfundimit të kolegjit, Sendërs shkoi në Universitetin e Çikagos (pasi ishte refuzuar nga Harvardi) tamam në kohë për të dëshmuar “përplasjet e para të trazirave studentore” të viteve ‘60.

Duke u frymëzuar nga figura të tilla të ndryshme si seksualisti utopik Vilhelm Rajsh, ish-lideri i Partisë Socialiste të Amerikës Eugjen Debs (“idhulli i tij”), organizatori i komunitetit Saul Alinski dhe desegregacionistët zezakë, ai mori energji politike, duke organizuar tubimet civile sit- in (përmes uljes në sheshe dhe rrugë).  Ai u përball me një rrezik të vërtetë kur një polic e bëri atë vonë për një leksion në universitet mbi shkencat politike mbi qeverisjen lokale. Po Ai tymoste marijuanë, i veshur si hupi, qe përjashtuar nga rekrutimi në luftën e Vietnamit, dhe u bashkua me Lidhjen Socialiste të Njerëzve të Rinj.

Pasi lëvizja kundërkulturore u shpërbë, shumë figura të shquara të lëvizjes studentore të ’68-ës ranë sërish në kontakt me lidershipin politik zyrtar, duke u kthyer djathtas për të bërë para në Silicon Valley duke filluar të mbështesin luftërat e republikanëve, por disa përfshirë edhe Sendërs (i mbetur jetim në fillimet e të njëzetave të tij), luftuan për të “mbajtur ushqimin në frigorifer, dhe dritat e ndezura në shtëpi”.

Sipas miqve të tij, ai ishte “gjithmonë i varfër”, dhe për të mbijetuar u angazhua në punë të ndryshme – si marangoz në Nju York; në një spital shtetëror për shëndetin mendor në Kaliforni; për sindikatat e prodhuesve të mishit; dhe regjistrimin e njerëzit për marrjen e tallonave falas të ushqimit në një organizatë jo-fitimprurëse.

Puna që Sendërs shijoi më shumë, ishte ajo e një “eseisti provokues” në profesion të lirë. Ai zhvilloi një pasion për prozelitizmin në lidhje me revolucionin seksual në gazetën e tij të vjetër të studentëve. Ai do të pyeste lexuesit:”Sa faje dhe nervozizma keni derdhur mbi vajzën tuaj në lidhje me seksin?” Dhe argumentuar se ”kanceri mund të shkaktohet nga shqetësime emocionale”.

Xheif citon në libër disa nga pasazhet që Sander shkroi në rininë e tij:Revolucioni po vjen, dhe ai është një revolucion shumë i bukur…ky revolucion nuk do të ketë nevojë për asnjë armë. . . Revolucioni ndodh kur dy të huaj i buzëqeshin njëri-tjetrit, kur babai refuzon të dërgojë fëmijën e tij në shkollë, për shkak se shkollat i shkatërrojnë fëmijët, kur të rinjtë. . . të marrin kontrollin e jetës së tyre. . . Ne do të fitojmë!”

Pa punë dhe duke u kujdesur për një fëmijë të vogël nga një marrëdhënie e shkuar, Sendërs u zhvendos në Vermont. Shteti kishte qenë një bastion republikan që nga Lufta Civile, por vendasit kanë një preference të dukshme për ikonathyesit. “Askund tjetër”- shkruan Xheif “nuk mundet që një njeri i panjohur dhe i porsaardhur, me një fëmijë në prehërin dhe pa përvojë paraprake politike” të merrej seriozisht si kandidat.

Pas përplasjeve me Bashkimin e Lirisë, Sanders qëndroi si i pavarur, dhe për katër herë me rradhë, me mbështetjen e sindikatave dhe të varfërve, u zgjodh kryetar i Bashkisë së Barlingtonit, qytetit më të madh në Vermont. Midis viteve 1981- 1989, kundër një sfondi kombëtar të moralizmit të përtërirë të krishterë dhe paranojës së Luftës së Ftohtë, ai lejoi zhvillimin e paradave të homoseksuelave, themeloi një ekip bejzbolli të quajtur Vermont Reds, mikpriti vizitorë nga Alen Ginsbergut tek Kori Rinor i Leningradit, dhe kreu vizita në Nikaragua dhe Bashkimin Sovjetik.

Megjithatë, “kryebashkiaku i kuq në Green Mountains”, ishte gjithnjë në kërkim të një audiencë më të madhe. Në vitin 1991 Sanders bëhet i pari i majtë i vetëshpallur që u zgjodh në Kongres në epokën post-Mekkarthiane, dhe i katërti në të gjithë shekullin e XX-të. Autori shpjegon më pas arsyet se “pse Bernie Sanders ka rëndësi”. Na është thënë, se ai po zhvillon “një lloj fushate të ndryshme’, edhe pse kjo nuk është saktësisht e vërtetë.

Metodat e tij janë provuar dhe testuar më parë, dhe mesazhi i tij qëndror – që një klasë e elitës “është duke e kontrolluar politikën amerikane; klasa e mesme është duke degraduar; dhe se kërkohet një revolucion politik i udhëhequr nga miliona amerikanë të zakonshëm për të ndryshuar kursin e vendit” – është miratuar nga çdo kandidat tjetër në garë, demokrat apo republican qoftë.

Sendërs mund të ketë rrikthyer gjuhën e klasës politike të sistemit më të vjetër dypartiak  në botë (ai pretendon se ka shpikur termin “1 përqind”), por ajo vazhdon të dominohet nga një makineri partiake e drejtuar nga lart-poshtë, dhe që ka përqindjen më të lartë të milionerëve se çdo demokraci tjetër në botë.

Hilari Klinton bën zëdhënësen jobindëse të 99 Përqindëshit, duke u përpjekur të krijojë një koalicion të përbashkët rreth identiteteve, e duke argumentuar se shpërbërja e bankave të mëdha do të ndihmonte pak në zvogëlimin e diskriminimit ndaj grave dhe minoriteteve. Demokratët mund të pretendojnë me vështirësi se janë zëri i masave të punonjësve.

Në vitin 2008, kur Obama fitoi presidencën, ai pati më shumë mbështetje nga 5 përqindëshi i popullatës që fiton më tepër se sa rivali i tij republikan, Xhon Mekein, i cili mblodhi shumicën e votave të amerikanëve të bardhë, me më pak se 50 mijë dollarë të ardhura në vit. Edhe në fushatën kryengritëse të Sendersit, konvertimet nga brenda klasës politike janë manovruar në role të rëndësishme, duke përfshirë edhe atë të mediave sociale që fuqizuan makinerinë elektorale të Obamës në vitin 2008.

Ndërkohë që strategu demokrat Ted Devin, shpreson në fund ta përfshijë veten në një garë të suksesshme presidenciale, duke pasur punuar në fushatat e dështuara të Xhimi Karterit, Uollter Mondal, Majkëll Dukakis, Al Gor dhe Xon Kerri. Historia e shkuar e Berni Sendërsit, mosgatishmëria e tij për të braktisur parimet e tij dhe rëndësia e vogël që ai vendos tek prezantimi, janë të gjitha avantazhe. Megjithatë, “njeriu vetullngrysur në një kostum gri”, i cili i ka mbajtur të njëjtin fjalim në një formë apo një tjetër që nga viti 1981, do të ketë vërtetë rëndësi në rast se ai e përfundon garën duke shkuar në Shtëpinë e Bardhë. /Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button