Shkence

“PROJEKTI PERSEFONI” / Arka e Star Trekut që do të shpëtojë njeriun

projekti persefonQuhet “Projekti Persefoni”, misioni për të cilin po punon Universiteti i Greenwichit, për të ndërtuar një anije kozmike që do të mbajë në jetë me mijëra persona

Për të mbërritur atje ku askush nuk ka arritur ndonjëherë dhe për të shpëtuar specien njerëzore nga një planet, Toka, që po vdes. Një mision mes “Enterprise” e “Star Trek” dhe Arkës së Noes të kujtesës biblike. Quhet Projekti Persefoni, nga bashkëshortja e Hadit, Zotit të botës së nëndheshme. Një emër jo shumë bekues për komunitetin ndërkombëtar të shkencëtarëve, arkitektëve, projektuesve, sociologëve, inxhinierëve dhe krijuesve që po punon prej një viti nën drejtimin e Rachel Armstrong, bioarkitekte në universitetin e Greenwichit në Britaninë e Madhe. Por në të vërtetë, asnjëri prej tyre nuk do ta shohë të funksionojë krijesën e tyre. Sepse kjo Arkë 2.0 do të jetë gati pas më shumë se njëqind vjetësh.

Objektivi

Objektivi i Armstrong dhe të tjerëve është që të krijojë një anije kozmike të jetueshme, tërësisht të pavarur, që mund të mbajë në jetë për disa breza me mijëra persona. Të mbijetuarit e fundit të planetit tonë, që do të kenë misionin të udhëtojnë përtej sistemit tonë diellor për të gjetur një shtëpi të re, një mënyrë të re për t’u rindërtuar dhe burime të rinj për të shfrytëzuar.

Jo vetëm ngrohja globale është duke shkatërruar tokën, thonë shkencëtarët. Por ka edhe alarme të tjerë për t’u marrë në konsideratë. Si mbipopullimi global dhe mungesa e mundshme e burimeve të ushqyerjes. Si shfrytëzimi i pafre i burimeve natyrorë, që po ezaurohen. Dhe në fund, por jo më pak i rëndësishmi, skenari shqetësues i një lufte botërore bërthamore, që mund ta eleminojë botën ashtu si e njohim sot.

Domethënë, një mënyrë arratisjeje, një arkë hapësinore për të shpëtuar njerëzit, mund të jetë e dobishme. Dhe kështu projekti Persefoni (një nismë e “Icarus Interstellar”, organizatë jofitimprurëse që i dedikohet udhëtimeve hapësinorë) po përqëndrohet në studimin e materialeve të rinj bioteknologjikë që mund ta transformojnë anijen kozmike në një qytet të vogël me vetëmjaftueshmëri. Pjesë integrale e strukturës do të jenë materiale organikë, si algat dhe dheu. Falë energjisë diellore, do të jetë në gjendje të prodhojë biokarburant dhe për të zhvilluar bujqësinë, e bashkë me të edhe zinxhirin ushqimor. Në mënyrë të veçantë doktoresha Armstrong, eksperte e bioteknologjive, po përqëndrohet në gjenerimin e dheut artificial, veçanërisht pjellor, dhe pikave të ujit që përmbajnë thërrmijat themelore për të nxitur dhe përshpejtuar rritjen e bimëve ushqyese. “Jemi duke sfiduar nocionin tonë të qëndrueshmërisë. Cfarë kushtesh mbijetese do të kemi në një anije kozmike? Duhet të punojmë për këtë”, ka deklaruar Armstrong për “Times” të Londrës.

Teknologjia

Ndërkohë, arkitekti anglez Richard Haymes është duke investiguar si të krijojë infrastrukturat e qëndrueshme të anijes kozmike. “Që të jetë një njësi e vetëmjaftueshme duhet që pjesët e ndryshme strukturore të funksionojnë si një motorr – shpjegon eksperti. A do të jemi në gjendje të krijojmë pjesë që gjenerojnë karburantin e tyre, ndoshta nëpërmjet algave? A do të jemi në gjendje të përdorim mbetjet për të prodhuar metan dhe ricikluar ujin? Këto janë sfidat tona”.

Ndërkohë, sociologu Steve Fuller i universitetit të Warwickut, edhe ai pjesë e ekipit, thotë se anija kozmike e të ardhmes duhet të gjejë mënyrën për të shpëtuar jo vetëm njeriun, por edhe natyrën. “Do të jetë e domosdoshme të ruhet qytetërimi njerëzor, kur Toka të jetë bërë e pajetueshme”, thotë ai. Në qëllimet e krijuesve të vet, Persefoni do të jetë edhe një sistem i hapur. Për shembull, mund të lëvizë me energjinë nga mbetjet hapësinore, asteroidet e madje edhe përmes spektrit elektromagnetik. E gjitha me qëllim që të shmanget rreziku nga një blackout që, nëse do të zgjaste, do i vriste të gjithë pasagjerët.

Kritikat

Dyshimeve dhe kritikave të dikujt (a nuk mund të hidhen paratë për diçka tjetër?) ekipi i shkencëtarëve i përgjigjet se studimi i Persefonit shërben edhe për të tashmen, për arkitekturën tonë urbane  dhe për sfidat që paraqesin, sa i përket jetueshmërisë, metropolet e mëdhenj si New Yorku, San Paolo apo Pekini. Imagjinoni qiellgërvishtës që prodhojnë energji, ushqim dhe ujë. Që ndërveprojnë me mjedisin e jashtëm, duke e pastruar në vend që ta ndosin, si deri më sot. Do të ishte ëndra e ekologjistëve, e cila mund të bëhet realitet falë arkës ndëryjore.

Leave a Reply

Back to top button