Për “flluska“ e perlage nuk kemi folur deri tani në Nunc est Bibendum. Por një shkrim i The Guardian dhe kundërpërgjigjet thummbuese e të legjitimuara të italianes Corriere della Sera e meritojnë një vend në Nunc est Bibendum!
Rreth një muaj më parë, The Guardian” shkruante se vera e gazuar italiane, “Prosecco” dëmton dhëmbët e anglezëve. Pohonte po ashtu, nisur nga përvoja personale e autores së shkrimit, se pasojat e një dehjeje me Prosecco janë edhe më të këqija sesa ato të një dehjeje me birrë. Prosecco është një verë e gazuar italiane e zonës verilindore e përftuar nga rrushi Glera, të paktën në rastet e emërtimeve të origjinës së kontrolluar si Prosecco, Conegliano-Valdobbiadene e Asolo. Metoda e përdorur është ajo Charmat, pra me autoclave dhe në më të shumtën e rasteve, me hedhje në shishe shumë të shpejtë.
Por siç, objektivisht vëren Il Corriere della Sera, pse pikërisht Prosecco dhe jo Champagne franceze apo vetë vera e gazuar angleze, të shkatojë dëmtime të zmaltit, vrima në dhëmbë, dhe zhvendosje të gengivave, shkrimi nuk e rrëfen. Që sheqernat dhe acidet – e gjendura në shumë verëra – dëmtojnë potencialisht dhëmbët e buzeqeshjen, kjo na është thënë që në fillore kur kujdeseshin qe të ishim të rregullt në higjenën e dhëmbëve dhe dhëmballëve. Tek e fundit, as vetë varieteti i rrushit e as proçesi i vinifikimit të Prosecco-s nuk mbartin ndonjë veçori, përsa i përket nivelit të rrezikut të sipërpërmendur. Kështu që diçka tjetër fshihet pas këtij shënjestrimi të flluskave italiane.
Britania e Madhe është kthyer së fundmi në tregun e parë për nga numrat, të verës së gazuar italiane. Plot 366 milionë euro vetëm në vitin 2016, që do të thotë një rritje me 33% krahasuar me vitin paraardhës. Britanikët rrëkëllejnë 40 milionë litra çdo vit. Afërmendsh, gjatë fazës së realizimit të plotë të Brexit-it, Britania do të bëjë çmos të kufizojë exportin dhe të rrisë konsumin e verës së gazuar angleze, e cila është tashmë realitet i konsoliduar në jugun e Gadishullit Britanik.
Sipas Corriere della Sera, disa muaj më parë, Ish-Kryetari i Bashkisë së Londrës Boris Johnson i kishte shpjeguar Ministrit italian të Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda: “Nëse nuk na e mundësoni lirinë e qarkullimit të mallrave, do të bllokojmë Prosecco-n”. Dhe Calenda e kishte paralajmëruar po ashtu: «Dhe ne do të bllokojmë fish and chips (të famshmet peshk dhe patate të skuqura, tipike britanike). Shkrimi i The Guardian ka vënë bashkë për herë të parë, guvernatorë të poleve të kundërta politike në reagimin ndaj lajmit. Legisti Luca Zaia i rajonit Veneto dhe Friuli Venezia Giulia, e quajti atë menjëherë të rremë, ndërsa Debora Serracchiani e PD-së bëri shaka më këtë lajm: “Mendoj se pas Brexit, Britania e Madhe ka nevojë të ndihmojë qytetarët që t’u kthehet buzëqeshja: e marrë në doza të moderuara, Prosecco jonë bën mrekulli. Me një tweet, edhe Ministri i Politikave Agrare, Ushqimore dhe Pylltarisë, Maurizio Martina i është drejtuar burimit britanik: “I dashur Guardian, thuaj të vërtetën: Prosecco ia del t’i bëjë edhe anglezët të buzëqeshin! Ndalini këto lajme të rreme, faleminderit”.
Prosecco është prej kohësh një verë, që përveçse fort e preferuar nga britanikët, pasuron zgjedhjen e cilitdo të apasionuar të “flluskave“, duke sjellë në gotë mençurinë, traditën, shijet dhe aromat e rajonit prej të cilit vjen, e prandaj çdo kritikë e pabazë, tendencioze e për më tepër e ngritur “varfërisht“, nuk shihet aspak me sy të mirë nga Nunc Est bibendum!