Bota

Provokimi i Donald Trumpit: “Shpresoj që Rusia të gjejë emailet e Hilarisë”. Pentagoni: Manovra të Moskës për të promovuar Trumpin

Screen Shot 2016-07-28 at 12.22.38

Polemikë pas fjalëve të kandidatit republikan për zgjedhjet presidenciale. Stafi i Hilari Klintonit: “Eshtë i pari kandidat për president, që nxit spiunazhin kundër rivales së vet”

Provokimi i fundit nga Donald Trumpi, gjatë një konference për shtyp në Doral, Florida: “Rusi, në qoftë se jeni duke dëgjuar, ndoshta ju jeni në gjendje që të gjeni 30.000 emailet, të cilat janë zhdukur nga serveri privat i Hilari Klintonit. Gazetarët amerikanë do të të jenë mirënjohës”. Më pas, sërish Trumpi në Tuiter, me një mesazh drejtuar 10 milionë e 279 mijë ndjekësve: “Nëse Rusia apo ndonjë vend tjetër, apo qoftë edhe ndonjë person ka 33.000 emailet e fshehur në mënyrë të paligjshme nga Hilari Klintoni, ndoshta duhet t’ia dorëzojnë FBI-së”.

Demokratët: “Trumpi nxit spiunazhin”

Dalja e Trumpit po errëson në fakt ditën e tretë të Konventës Demokratike në Filadelfia. Stafi i Hillari Klintonit u përgjigj me vendosmëri: “Donald Trumpi është kandidati i parë presidencial i cili inkurajon spiunazhin kundër rivalit të tij.” Polemika e shkaktuar nga Trumpi ka marrë vrull edhe prej emaileve të tjerë: atyre të shkëmbyer në muajt e fundit mes drejtuesve të Partisë Demokratike, për të penguar fushatën e Bernie Sandersit, kundërshtar i frikshëm i ish-Sekretares së Shtetit. Emailet janë zbuluar për publikun nga Uikileaks. Menjëherë, administrata amerikane ka pasur dyshime se hakerat në fakt kanë punuar për llogari të Rusisë. Dhe tani Pentagoni ka sinjalizuar se është pothuajse e sigurt që ndërhyrja në serverat e Partisë Demokratike është një manovër e Moskës. Qëllimi është për të promovuar zgjedhjen si President të Donald Trumpit.

“Nuk e njoh Putinin”

Në konferencën për shtyp të mërkurën, kandidati republikan është nisur pikërisht prej aty. Së pari ai mohoi çdo lidhje me Presidentin Vladimir Putin: “Unë nuk e njoh”, dhe madje pohoi se “kam menduar në vitet e fundit për të bërë një sërë investimesh në Rusi, por më pas nuk kam bërë me të vërtetë asgjë”. Dhe më tej, është kundërpërgjigjur: në qoftë se hakerat janë rusë, atëherë ne shpresojmë që të kenë edhe emailet e Departamentit të Shtetit, që Hilari Klintoni i kishte mbajtur në serverat e saj privatë, kur ishte Sekretare e Shtetit.

Sulmi ndaj Obamës

Në fund, Trumpi iu përgjigj gjithashtu komenteve të Barack Obamës, i cili e kishte sulmuar fort: “Ai nuk di asgjë rreth politikës ndërkombëtare,” tha presidenti amerikan. Manjati nga Nju JOrku u përgjigj: “Unë mendoj se Obama është presidenti më injorant që vendi ynë ka pasur ndonjëherë. Dhe unë po ju them se Hilari Klinton do të jetë edhe më keq”. /corriere.it – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button