Nga Steven Pressman
“The Conversation”
Republikanët dhe demokratët po debatojnë sërish shumë ashpër në lidhje me tavanin e borxhit të SHBA-së, duke vënë në rrezik stabilitetin financiar të vendit. Sekretarja e Thesarit Janet Yellen, deklaroi kohët e fundit se 1 qershori është “afati i fundit” për arritjen e kompromisit mbi rritjen e kufirit aktual të borxhit, i vendosur aktualisht në 31.38 trilion dollarë, për të shmangur një falimentim, që do të ishte i paprecedentë në historinë e këtij vendi.
Qeveria e ka prekur këtë kufi në janar, dhe që atëherë ka përdorur “masat e jashtëzakonshme” për të vazhduar pagesën e faturave të saj. Negociatat e minutës së fundit midis Shtëpisë së Bardhë dhe republikanëve, kanë qenë kryesisht të pafrytshme pasi konservatorët në Kongres po kërkojnë shkurtime të mëdha të shpenzimeve dhe ndryshime politikash.
Ndërkohë presidenti Joe Biden, këmbëngul në heqjen e tavanit të borxhit, pa e kushtëzuar me ndonjë gjë. Negociatat pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Po çfarë është tavani i borxhit, dhe pse mund të ketë ardhur koha për heqjen e tij.
- Çfarë është tavani i borxhit?
Ashtu si ne qytetarët, edhe qeveritë duhet të marrin hua kur shpenzojnë më shumë para sesa arrijnë të mbledhin. Ato e bëjnë këtë duke emetuar obligacione, pra letra me vlerë që premtojnë t’u paguajnë para në të ardhmen mbajtëseve të tyre, si dhe të bëjnë pagesa të rregullta të interesit.
Borxhi i qeverisë, është shuma totale e gjithë parave të mara hua. Tavani i borxhit, të cilin Kongresi e vendosi një shekull më parë, është shuma maksimale që mund të marrë hua qeveria. Është një kufi maksimal për borxhin kombëtar.
- Cili është borxhi kombëtar?
Borxhi i qeverisë amerikane prej 31.38 trilion dollarësh, është rreth 22 për qind më shumë se vlera e të gjitha mallrave dhe shërbimeve që do të prodhohen në ekonominë amerikane këtë vit. Rreth çerekun e këtyre parave, qeveria ia detyron në fakt vetes së saj.
Administrata e Sigurimeve Shoqërore, ka grumbulluar një tepricë dhe i investon paratë shtesë, aktualisht 2.8 trilion dollarë, në obligacione qeveritare. Edhe Rezerva Federale mban 5.5 trilion dollarë në degët e thesarit anembanë vendit. Pjesa tjetër është borxh publik.
Që nga tetori 2022, vendet e huaja, kompanitë dhe individët zotëronin 7.2 trilion dollarë borxh të qeverisë amerikane. Japonia dhe Kina, janë zotëruesit më të mëdhenj, me rreth 1 trilion dollarë secila. Pjesa tjetër u detyrohet qytetarëve dhe bizneseve amerikane, si dhe qeverive në nivel federal dhe shtetëror.
- Pse ekziston një kufi mbi huamarrjen?
Përpara vitit 1917, Kongresi autorizonte qeverinë që të merrte hua një shumë fikse parash për një afat të caktuar. Kur shlyhej borxhi, qeveria nuk mund të merrte përsëri hua pa kërkuar paraprakisht miratimin e Kongresit. Akti i Dytë i Bonove të Lirisë i vitit 1917, i cili krijoi tavanin e borxhit, e ndryshoi këtë rregull.
Ai lejoi një zgjerim të vazhdueshëm të borxhit edhe pa miratimin e Kongresit. Kongresi e miratoi këtë masë për ta lejuar presidentin e atëhershëm Woodroë Wilson të shpenzonte paratë që ai i konsideronte të nevojshme për të luftuar në Luftën e Parë Botërore, pa pritur të vepronin ligjvënësit që shpeshherë mungonin në sallë.
Megjithatë, Kongresi nuk donte t’i jepte presidentit një çek të bardhë, ndaj e kufizoi huamarrjen në 11.5 miliardë dollarë dhe kërkoi miratimin e një ligji të ri për çdo rritje të re. Që nga ajo kohë, tavani i borxhit është rritur me dhjetëra herë, dhe madje është pezulluar në disa raste. Ndryshimi i fundit ndodhi në dhjetor 2021, kur u rrit në 31.38 trilion dollarë.
- Çfarë ndodh kur SHBA-ja e prek këtë “tavan”?
Sa herë që SHBA-ja i afrohet kufirit maksimal të borxhit, Sekretarja e Thesarit mund të përdorë “masat e jashtëzakonshme” për të ruajtur paratë e gatshme, një lëvizje që ajo që nisi më 19 janar të këtij viti. Një masë e tillë, është mos-financimi i përkohshëm i programeve të daljes në pension për punonjësit e qeverisë.
Pritshmëria do të jetë që sapo të rritet tavani i borxhit, qeveria do të mbushë diferencën. Por kjo do të blejë vetëm një sasi të vogël kohe. Në rast se tavani i borxhit nuk rritet përpara se Departamenti i Thesarit të shterojë opsionet e tij, do të duhet të merren vendime se kush paguhet me të ardhurat ditore nga taksat.
Huamarrja e mëtejshme, nuk do të jetë më e mundshme. Punonjësit e qeverisë ose kontraktorët mund të mos paguhen plotësisht. Mund të pezullohen kreditë për bizneset e vogla apo studentët. Kur qeveria nuk mund të paguajë dot të gjitha faturat e saj, ajo është teknikisht në kushtet e mospagimit.
Politikë-bërësit, ekonomistët dhe Wall Street janë të shqetësuar nga një krizë e mundshme financiare dhe ekonomike me pasoja katastrofike. Shumë njerëz druhen se mospagimi i faturave nga qeveria do të kishte pasoja të rënda ekonomike, rritje të normave të interesit, tregje financiare në panik, dhe ndoshta edhe një krizë të thellë ekonomike.
Në rrethana normale, sapo tregjet hyjnë në panikun, Kongresi i SHBA-së dhe presidenti hidhen zakonisht në veprim. Kjo është ajo që ndodhi në vitin 2013, kur republikanët kërkuan ta përdorin tavanin e borxhit për të zhvlerësuar Aktin e Kujdesit të Përballueshëm të presidentit Barack Obama.
Por ne nuk jetojmë më në kohëra politike normale. Partitë kryesore politike janë më të polarizuara se kurrë, dhe lëshimet që Mccarthy ka bërë për republikanët e krahut të djathtë, mund ta bëjnë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje për tavanin e borxhit.
- A ka ndonjë mënyrë më të mirë?
Një zgjidhje e mundshme, është një boshllëk ligjor që e lejon Thesarin e SHBA-së të presë monedha platini të çdo prerjeje. Nëse Thesari i SHBA do të presë një monedhë 1 trilion dollarë, dhe do ta depozitojë atë në llogarinë e saj bankare në Rezervën Federale, paratë mund të përdoren për të paguar programet e qeverisë ose për të shlyer zotëruesit e obligacioneve qeveritare.
Madje kjo mund të justifikohet duke iu referuar seksionit 4 të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA:”Vlefshmëria e borxhit publik të Shteteve të Bashkuara … nuk do të vihet në dyshim”. Pak vende kanë një tavan borxhi si SHBA-ja. Pra qeveritë e tjera funksionojnë në një mënyrë efektive edhe pa të.
Edhe Amerika mund të veprojë kështu. Tavani i borxhit është jofunksional dhe e vë periodikisht në rrezik ekonominë amerikane për shkak të pozitës politike. Zgjidhja më e mirë, do të ishte heqja e plotë e tavanit të borxhit. Kongresi ka miratuar së fundmi shpenzimet dhe ligjet tatimore që kërkojnë marrjen e akoma më shumë borxheve.
E pse duhet të miratojmë edhe huamarrjen shtesë? Duhet mos harruar se tavani fillestar i borxhit, u vendos sepse Kongresi nuk mund të mblidhej shpejt dhe të miratonte shpenzimet e nevojshme për të zhvilluar një luftë. Në vitin 1917, udhëtimi nëpër SHBA kryhej më shpesh me tren, dhe duheshin disa ditë për të shkuar në Uashington. Kjo kishte disi kuptim atëherë. Sot, kur Kongresi mund të votojë në internet nga shtëpia, nuk është më rasti.