Horizonti.al

Pse bota është kaq e çmendur? Frojdi mund të na ndihmojë të kuptojmë

Nga Eli Zaretski*

President i SHBA i quan meksikanët përdhunues, dhe mbështetja ndaj tij nuk e ndien aspak. Armët luftarake përdoren rregullisht për të zgjidhur mosmarrëveshjet në vendin e punës, ndërsa mbështetja për kontrollin e tyre është ende e vakët. Ishujt Marshall dhe Maldive po zhduken nën det, ndërsa udhëheqësit botërorë nuk arrijnë dot të ndalojnë ngrohjen globale.

Forcat mendore irracionale, janë duke luajtur një rol jashtë kapacitetit të tyre, mbi jetën tonë politike dhe shoqërore. Por cilat janë këto forca dhe si mund të kuptohen? Në shekullin XX-të, njerëzit u përpoqën shumë për të kuptuar rolin e të paarsyeshmes në çështjet njerëzore, të shndërruar në një variant të mendimit frojdian, por të dallueshme nga psikoterapia, që unë e quaj “Frojdizëm politik”.

Ndodhi kështu sidomos me progresistët që u përballën me racizmin, fashizmin, luftën, seksizmin dhe homofobinë. Mendoni për shembull për Ueb Dy Bya. Afro-amerikani i parë që fitoi një doktoraturë në Harvard, dhe themelues i Këshillit Kombëtar të zezakëve në SHBA, Dy Bya e filloi karrierën e tij duke supozuar se “problemi i zezakëve ishte një çështje e hulumtimit sistematik dhe mirëkuptimit inteligjent”.

Më pas, ndërsa jepte mësim në Universitetin e Atlantas, ai qe dëshmitar e linçimit të një zezaku në një dyqan ushqimor. I tronditur, Dy Bua kuptoi se “në luftën kundër paragjykimeve raciale, ne nuk u përballëm thjesht me vendosmërinë racionale dhe të vetëdijshme të popullit të bardhë për të na shtypur; por me komplekset e një kohe të gjatë, që tashmë qenë ngulitur në masë të madhe, tek zakonet e pavetëdijshme, si edhe nga një shtysë irracionale”.

Duke rishqyrtuar pikëpamjet e tij të mëparshme, Dy Bya arriti në përfundimin se nuk kishte qenë  “mjaftueshëm frojdian për të kuptuar, se sa pak veprimi njerëzor është i bazuar tek arsyeja”. Kini parasysh ndërkaq traditën e mendimtarëve, që u tërhoqën nga mendimi frojdian, për të kuptuar shkaqet e luftës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Frojdi shpjegoi dukurinë e tronditjes nga predhat (tanimë e njohur si çrregullimi i stresit post-traumatik) në rastin e meshkujve, të “mohimit mbrojtës të cënueshmërisë”, dhe “preferencës së tyre për rolin aktiv”.

Më vonë, pasuesit e Melani Kleinit, e shpjeguan Luftën e Dytë Botërore në kuadër të kompleksit të “Mynihut”, “paaftësisë së djalit për të luftuar, për nënën dhe vendin”. Kohët e fundit, për të shpjeguar reagimin irracional të SHBA-së ndaj sulmeve të 11 Shtatorit, pra pushtimin e Irakut, Xhudit Batler bën përgjegjës plagët narcistike që iu hapën Amerikës nga sulmi, por dhe paaftësinë e amerikanëve për ta mbyllur atë plagë përmes zisë, kujtesës kolektive, dhe hapjes ndaj pjesës tjetër të botës.

freudi

Pastaj, ishin përpjekjet e frojdianëve politikë, për të kuptuar shfarosjen e hebrenjve evropianë. Tek “Moisiu dhe Monoteizmi”, Frojdi u përpoq të hedhë dritë mbi zemërimin vrastar dhe cilësinë gjenocidale, që e dallonte anti-semitizmin nazist nga paraardhësit e tij të krishterë. Ai argumentoi se monoteizmi hebraik, kishte qenë një përparim shpirtëror, i lidhur me të arsyeshmen dhe fitoren mbi instinktet, në thelbin e traditës perëndimore.

Megjithatë, populli hebre u rebelua kundër kufizimeve të ashpra dhe vetëmohimit, që përmbante mesazhi origjinal monoteist. Krishtërimi u përpoq të pajtojë këtë konflikt përmes “lajmit të mirë” të flijimit të Birit të Zotit. Nazizmi u ndërtua mbi anti-semitizmin e krishterë, por shkoi përtej tij. Në përpjekje për të krijuar një rend të ri ose Rajhun, nazistët u përpoqën të shkatërrojnë origjinën e Perëndimit në gjenezën e tij, takimin hebraik me Perëndinë.

Së fundmi, merrni në konsideratë lëvizjet çlirimtare të grave dhe homoseksualëve të fundit të viteve ‘60. Asokohe, mendimtaret feministe si Kejt Milet dhe Shulamit Fajërstoun e përkufizuan vetë frojdizmin si një “armik”. Megjithatë, shumë shpejt feministet e tjera, si Xhuliet Miçëll dhe Xhesika Beniamini e kuptuan se ishte gabim të hidhje fëmijën, bashkë me govatën.

Ato e interpretuan vetë frojdizmin si një teori patriarkale, dhe e përdorën atë për të hetuar frikën seksuale dhe frikërat e të tjera fëminore, që shtresëzohen tek seksizmi dhe homofobia. Duke kërkuar ta shndërrojnë feminizmin dhe çlirimin e homoseksualëve, si diçka me shumë sesa liberale, ato e dinin se kishin nevojë për një kuptim të thellë të pavetëdijes patriarkiale.

Ato gjetën tek frojdianizmi politik, mjetet që iu nevojiteshin. Ne kemi edhe sot nevojë për mekanizma të tillë. Psikologët bashkëkohorë nuk do të na ndihmojnë. Neuroshkenca mund të hedhë dritë mbi sëmundje të përcaktuara mendore, si disa lloje të skizofrenisë, por ajo s’ka thuajse asgjë për të thënë mbi çmendurinë e përditshme, që dikur etiketohej nën emrin “neurozë”, si dhe shumë pak për modelet irracionale që ndodhin përgjatë historisë njerëzore.

Gjithashtu, psikologjia njohëse, ashtu si psikologjia e zgjedhjes racionale, “studimet e lumturisë”, dhe të ekonomisë, nuk kanë asgjë për ta thënë në lidhje me çmenduri që ndodhin në jetën tonë politike. Sot, në përputhje me rrethanat, ne kemi ende nevojë për frojdizmin politik.

Sigurisht, ka pasur arsye të  forta pse progresistët e kritikuan frojdizmin në vitet ’60-’70, dhe unë nuk jam duke sugjeruar se duhet të kthehemi tek idetë e diskredituara. Por është ndërkohë rasti të kujtohet se rritja e neo-liberalizmit dhe e kapitalizmit financiarisht të globalizuar, u shoqërua nga një kundër-revolucion i madh intelektual, që shtypi njohuritë si për individin e pandërgjegjshëm, ashtu edhe për forcat sociale dhe politike të pandërgjegjshme, të cilat e karakterizojnë shoqërinë moderne. Libri im i ri, “Frojdianizmi politik”, i cili tregon historinë e këtyre betejave të hershme, ka për qëllim të rivendosë në vendin që i takon, një nga rrymat më të rëndësishme të mendimit modern radikal.

  • Shënim: Eli Zaretsky është profesor i historisë në Shkollën e Re për Kërkime Sociale. Ai është autor i librit “Frojdi Politik: Një Histori”. / Përgatiti: www.bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button