Analiza

Pse Brukseli s’mund të pranojë “më pak Evropë”?

bru

Nga Martha Simms

“The Weekly Standard”

BE-ja nuk është dukur kurrë më keq sesa sot. Vetëm javën e kaluar, Danimarka refuzoi përmes një referendumi popullor, thellimin e lidhjeve me BE, partia anti-BE në Francë doli e para në zgjedhjet lokale, ndërsa Suedia, Gjermania, dhe Austria kanë rivendosur rregjimin kufitar, duke i dhënë efektivisht fund  sistemit Shengen për pjesën më të madhe të Europës.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, reagimi i BE-së nuk ndryshon kurrë:Është gjithmonë për “më shumë Evropë”. “Një qasje kombëtare nuk është e mjaftueshme. Ne kemi nevojë për më shumë Evropë”- tha Etien Shnajder, anëtar i Partisë Socialiste të Luksemburgut, në përgjigje të sulmeve terroriste të Parisit.

Dy javë më pare në Madrid, Partia Popullore Evropiane, fraksioni më i madh në Parlamentin Evropian, votoi një rezolutë ku pohonte se “integrimi është filozofia themelore e BE-së”.

Këto dhe zëra të tjerë, i bëjnë jehonë Angela Merkelit, e cili ka marrë qëndrimin më të fortë në favor të “më shumë Evrope”.

Teksa BE-ja po rritet gjithnjë e më pak, dhe është përherë e më pak e pranueshme për popullin e Evropës, këmbëngulja e “eurokratëve” për “më shumë Evropë”, fillon të tingëllojë e paarsyeshme. Më shumë se çfarë, mund të pyesë dikush. Kur burokratët e BE-së thonë “Evropa”, ata zakonisht nënkuptojnë institucionet e Bashkimit Evropian. Me fjalë të tjera, ata janë duke folur për zyrat e tyre. Thirrja e tyre për “më shumë Evropë”, është një thirrje për më shumë pushtet ndaj vetë burokratëve:më shumë pushtet të centralizuar në duart e burokracisë së BE, dhe më pak në duart e shteteve sovrane.

Por kush në fakt mund t’i fajësojë ata pse kanë këtë reagim? Koncepti i “më shumë Evropë”, është sanksionuar në kushtetutën që e udhëheq punën e tyre. Traktati mbi Bashkimin Evropian, i nënshkruar në vitin 1992, përshkruan “procesin e krijimit të një bashkimi, gjithnjë e më të ngushtë”.

Thirrja për më shumë pushtet politik në duart e Brukselit, është e rrënjosur në vetë strukturën e BE-së. Pikërisht këtu qëndron problemi:BE-ja u themelua mbi konceptin e paqartë dhe jopopullor të centralizimit dhe të ndarjes (lexo kufizimit) të sovranitetit kombëtar.

Në thelbin e BE-së, është ideja se rritja e centralizimit nxit unitetin dhe minimizon dallimet kombëtare. Pabarazitë e kulturës, gjuhës, dhe qeverive ndërmjet shteteve anëtare të BE-së, mund të tejkalohen nëse vetëm një burokraci e largët dhe e paanshme, e rregullon jetën në të gjithë kontinentin.

Me kalimin e kohës, vijon ideja, europianët do të bëhen gjithnjë e më shumë të ngjashëm, Brukseli do të qeverisë kontinentin, dhe ato qeveri të bezdisshme kombëtare, do të shndërrohen në relike të një epoke të shkuar. Edhe “Babai Themelues” i BE-së Zhan Mone, zbuloi shpresat e tij për rritjen e sovranitetit të përbashkët.

Në vitin 1953, ai e cilësoi krijimin e Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut, si hapi i parë në “krijimin e institucioneve dhe promovimin e progresit material”, drejt qëllimit përfundimtar të një “ideali të përbashkët”. “Ne s’mund të theksojmë kurrë mjaftueshëm, se 6 vendet e Komunitetit, janë pararendësit e një Evrope më të gjerë e të bashkuar”- tha ai më vonë.

Burokratët e BE-së e ushqejnë me entuziazëm këtë ide. Thënë thjesht, ata ndajnë një besim të përbashkët se shtetet-kombe të Evropës, kanë një tendencë drejt luftës dhe shkatërrimit, dhe se BE-ja është antidoti i duhur për to. Ata shpesh ia detyrojnë BE-së parandalimin e  luftërave në Evropë – për shembull Angela Merkel iu referua këtij argumenti në një fjalim në Parlamentin Britanik vitin e kaluar.

Ky pretendim nënkupton, se nëse BE-ja nuk do të ekzistonte në formën që është sot, lufta me shumë gjasa do të kishte shpërthyer; një supozim i bazuar tek e fundit mbi asnjë dëshmi, dhe pa lidhje me shumë faktorë që e kanë më pak të mundshme shpërthimin e një lufte të re që prej Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë zhvillimin e armëve bërthamore dhe pozicionin e fuqishëm që Shtetet e Bashkuara luajnë, si garantues ndërkombëtar i sigurisë.

Në vitin 2010, “Charlemagne”, një kolonë periodike e “The Economist” mbi çështjet evropiane, vinte theksin tek besimi ndaj të gjitha gjërave mbikombëtare dhe jo lakmisë për pushtet, si nxitësi kryesor i linjës për “më shumë Evropë”. Burokratët e BE-së, pretendohej në shkrim, janë një racë e ndryshme nga francezët, gjermanët, apo anglezët.

Ata e përkufizojnë veten si mbikombëtarë, që flasin shumë gjuhë dhe ndoshta janë martuar me një të huaj. Ata i edukojnë fëmijët e tyre në shkolla speciale evropiane, të projektuara për familjet e nëpunësve civilë të BE-së. Ata nuk e fsheh mospëlqimin e tyre ndaj identitetit kombëtar./the Weekly Standard

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button