Your Life

Pse e qeshura është “ilaç” për shpirtin

E qeshura është një reagim emocional, shkaktuar nga një përvojë komike ose nga ndjenja të forta gëzimi, kënaqësie, mirëqenieje ose argëtimi, të cilat përfshijnë të gjithë trupin. Është një shpërthim i lumturisë, argëtimit dhe gëzimit, psikika nuk është në gjendje ta përmbajë dhe që, si një orgazmë, shpërndahet në të gjithë trupin. Siç e dinin të lashtët dhe siç e kanë vërtetuar studimet mjekësore të viteve të fundit, e qeshura është e mirë: përmirëson cilësinë e marrëdhënieve, redukton stresin e përditshëm dhe e mbush jetën me humor, shkujdesje dhe entuziazëm.

I BËN MIRË TRUPIT DHE MENDJES

Shumë studime kanë konfirmuar se e qeshura është shumë e rëndësishme për mirëqenien dhe për shëndetin e psikikës dhe trupit. Përmirëson dhe rregullon frymëmarrjen dhe oksigjenimin e gjakut, redukton rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe forcon sistemin imunitar. Përveç kësaj, ul nivelet e kortizolit në gjak dhe stimulon sekretimin e endorfinës në nivel nervor.

Prandaj e qeshura është një antidot i shkëlqyer ndaj stresit, ajo parandalon dhe lufton ankthin dhe depresionin dhe nxit gjendjen e qetësisë, të relaksimit dhe gëzimit. Dhe kur njerëzit qeshin në shoqëri, ata ndërtojnë marrëdhënie të shëndetshme dhe të qëndrueshme.

ËSHTË NJË FENOMEN UNIVERSAL

E qeshura është një lëvizje e thellë, tërësore që ka qenë gjithmonë dhe universalisht pjesë e botës njerëzore.

Ne nuk e dimë pse njerëzit qeshin.

Është një mekanizëm i brendshëm i lindur dhe instinktiv që nuk është e mundur të mësohet. Edhe kur fëmijët janë ende të verbër dhe të shurdhër dhe nuk kanë mësuar ende të flasin, ata dinë të qeshin. E qeshura, në fakt, është një nga reagimet e para emocionale që ndodh tek fëmija: që pas 17 ditësh nga lindja, të sapolindurit lëshojnë tingujt karakteristikë të zërit dhe marrin shprehjet e fytyrës së të qeshurit. Ky është ndoshta reagimi më spontan i emocioneve: nuk është e mundur të parashikohet ose programohet e qeshura, e cila shpërthen, buron nga brenda dhe na kthen në kontakt me anën tonë fëmijërore, Puer Aeternus që është e pranishme në secilin prej nesh. Rritemi, ndeshim problemet, përgjegjësitë, vështirësitë e jetës, por brenda nesh ajo vazhdon të rrjedhë me energji gazmore, e shkujdesur dhe krijuese. Për këtë, grekët kishin një zot-fëmijë, Hermesin, i cili ishte gjithashtu zoti i shërimit.

E QESHURA NË LASHTËSI

Bota e lashtë e dinte mirë vlerën dhe rëndësinë e të qeshurës, të cilën e konsideronte të shenjtë dhe hyjnore. Eshtë i famshëm humori hebraik, rrënjët e të cilit janë shumë të lashta: në Tora dhe në Talmud gjenden histori me humor.

Me ironi, mësuesit e vjetër u shëruan duke vënë në pikëpyetje dogmat e besimit dhe të fesë, por mbi të gjitha mësonin se jo frika dhe pendimi, por gëzimi dhe hareja e afron njeriun me Zotin.

Grekët, gjithashtu i donin shumë barcaletat.

Në Athinë kishte një rreth prej 60 vetësh të quajtur Të Gjashtëdhjetët, të cilët mblidheshin në tempullin e Herakliut për të treguar barcaleta dhe batuta. Për shkak të kësaj, barcaletat në Greqi shpesh fillonin me formulën “Të gjashtëdhjetë tregojnë se …”.  

Në simpozium të ftuarit e argëtonin mysafirin me shaka dhe barcaleta: konsiderohej shumë e vrazhdë të paraqiteshe në banket pa një shaka të re ose një barcaletë për t’u thënë të pranishmëve. 

Tradicionalisht, barcaletat përcillen gojarisht, por nga bota helene kemi një koleksion historish qesharake që qarkulluan në Greqi në shekullin e IV pas Krishtit: Philogelos (që do të thotë “dashnor i të qeshurës”).

Protagonist i shumicës së këtyre barcaletave është skolastiku, pra intelektuali, mendimtari, teprica e arsyetimit dhe reflektimit të të cilit e bën absurd dhe paradoksal, larg arsyes së shëndoshë dhe thjeshtësisë së realitetit. / bota.al

Back to top button