Analiza

Pse është e pamundur që Kremlini të gënjejë për zhdukjen pazakontë të Putinit

Imazhi i kultivuar me kujdes i presidentit mbështetet tek mostregimi asnjëherë i dobësisë

Screen Shot 2015-03-16 at 2.13.39 PMNga Julia Ioffe

Presidenti rus, Vladimir Putin qëndroi për 10 ditë larg syve të publikut. Ai pati një takim të zakonshëm me kryeministrin italian Matteo Renci në datën 5 mars, dhe pastaj … asgjë. Presidenti rus anuloi pjesëmarrjen në një numër ngjarjesh, duke përfshirë analizën vjetore të Shërbimit rus të Inteligjencës, dhe krerët kazakë, të cilët Putini duhej t’i takonte këtë javë, thanë se presidenti ishte i sëmurë. Por u detyruan shpejt të tërhiqen, pasi Kremlini e mohoi një gjë të tillë.

Më pas, Kremlini nisi të manovrojë me oraret e Putinit. Televizioni shtetëror filloi transmetimin e axhendës së takimeve të planifikuara për të ardhmen, sikur ato të kishin ndodhur tashmë, për të treguar se Putini ishte mjaftueshëm gjallë, për të marrë pjesë në ato aktivitete.

Zëdhënësi i Putinit Dimitri Peshkov, ka kundërshtuar gjithë javës hamendësimet, duke këmbëngulur se bosi i tij, jo vetëm që merr frymë, por të “thyen duart” me shtrëngimin burrëror të duarve të tij. Pa ndonjë habi të madhe, pati një kombinim mes shtirjes dhe mohimit, se çdo gjë që është e gabuar, është e përkryer për Internetin.

“#Putinkavdekur”- ishte shprehja që gëloi rrjetin social Tuiter, dhe në blogosferën ruse filluan të tjerren teoritë mbi atë se çfarë i ka ndodhur Liderit të Dashur pa Këmishë, me çdo version njëri më qesharak se tjetri.

Kishte një letër anonime, që pretendonte të vinte nga një punonjës i spitalit elitë të Moskës, e cila thoshte se Putin kishte kishte pësuar një goditje në zemër, dhe po lëngonte në spital. Kishte ndërkaq edhe mesazhe të furishme nga njerëzit, të cilët kanë të njohur në ambasadën ruse në Londër, duke thënë se këta të fundit e kishin braktisur Londrën në masë, dhe se do të kishte një deklaratë brenda 3 orësh, çka nuk ndodhi kurrë.

Kishte gjithashtu raporte (false) për shtyp nga Kremlini, të cilat u kërkonin korrespondentëve të huaj të mos linin Moskën, përpara atij që do duhej të ishte një njoftim i madh fundjavën e shkuar. Një ish-ndihmës i Putinit, që jeton në Uashington, tha se presidenti ishte rrëzuar nga pushteti si pasojë e një grushti shteti, të drejtuar nga siloviki (“burrat e fortë”).

Kreu i Republikës Çeçene, Ramazan Kadirov, shkroi një postim interesant në Instagram, ku shprehte besnikërinë e tij ndaj Putinit “edhe nëse ai është në detyrë apo jo”. Putini u gjet madje një çast, në afërsi të Ticinos në Zvicër, ku një tabloid lokal  njoftoi se e dashura e tij gjimnaste Alina Kabajeva, kishte lindur fëmijën e tyre të parë. Shpresat u thyen, kur Peshkov u shfaq përsëri duke thënë se kjo ishte shumë e pavërtetë. Në atë moment, ai kishte arritur nivele të reja irritimi. “Po. Ne tashmë e kemi thënë këtë njëqind herë”- i tha ai një gazetari të “Reuters”, që e pyeti nëse Putini gëzonte apo jo shëndet të mirë. “Kjo nuk është më për të qeshur”- tha ai.

E gjithe kjo ngjarje, në një pjesë të madhe, përbën një krizë të vendimmarrjes së Kremlinit. Nëse Peshkov nuk mund të bënte që Putin të rishfaqej, është e qartë se duhej të siguronte një shpjegim të arsyeshëm, si për shembull “presidentin e ka zënë një virozë e keqe gripi, porse po ndjek gjithësesi të gjitha zhvillimet, dhe do kthehet së shpejti në punë”.

Por kjo deklaratë është e pamundur për dy arsye. Së pari, burrat e mëdhenj nuk sëmuren. Imazhi që Putin ka kultivuar me kujdes, mbështetet tek mostregimi asnjëherë i dobësisë, çka është vendimtare në një Rusi hiperkonkurruese. Nëse dikush tregon disa dobësi, atëherë e gjitha është  dobësi e për pasojë një pre e lehtë.

Është kjo arsyeja, përse Putini nuk kërkon falje, dhe kur rrallë ai e anulon një vendim të marrë më herët, do ta bëjë këtë vetëm pas një kontestimi të ashpër publik apo organizimit të protestave. Putin është udhëheqësi kombëtar, dhe nuk pranon gabimet. Është veti e udhëheqësve kombëtarë, të sillen në këtë mënyrë.

Problemi i dytë është se askush nuk do të besonte Peshkovin. Gripi do të shndërrohej shpejt në një figuracion, ndërsa njerëzit do të bënin një analizë gramatikore të asaj deklarate, duke nënkuptuar vdekjen e Putinit nga një goditje apo tumor sekret. Kjo për shkak se Kremlini, ka fshehur gjëra të tilla edhe më parë.

Siç e theksonte edhe kolumnisti Leonid Bershidski në “Bloomberg View”, zyra e shtypit e Boris Jelcinit u bë eksperte në rrëfimin e përrallave të tilla, qëkur ky i fundit zhdukej periodikisht në kohë kritike-qoftë në gjendje tejet të dehur apo për shkak të ndonjë sulmi tjetër në zemër. Vetë Putin, u zhduk për një farë kohe në vitin 2012, pasi zhvilloi një ndeshje xhudoje, sipas presidentit bjellorus Aleksandër Llukashenko.

Para atij rasti, ka pasur edhe një mungesë tjetër të shkurtër, pasi Putin qe rishfaqur në publik relativisht i fryrë në fytyrë. Ai u ul në vendin e tij, për të parë një shfaqje komedie, dhe ndërsa kamerat u fokusuan tek ai, Putin u përpoq të jepte më të mirën, duke e bërë të qeshë fytyrën e tij të re.

Pastaj ka patur edhe raste shumë herë më alarmuese. kur udhëheqësit rusë janë zhdukur. I pataksur nga pushtimi nazist i Bashkimit Sovjetik, në qershor të vitit 1941, Josif Stalini u zhduk për 10 ditët që pasuan dhe shumë të rëndësishme të luftës. Ndërsa “Sulmi rrufe” i Hitlerit, rrethoi të gjithë territorin sovjetik, duke asgjësuar divizione të tëra ushtarake sovjetike që hasi përpara, Stalini u fsheh në zyrën e tij, pikëllues dhe duke mos mbajtur asnjë fjalim për popullin e tij të lemerisur, po aq i çoroditur sa edhe udhëheqësi.

Pesëdhjetë vjet më vonë, në gusht të vitit 1991, Sekretari i Përgjithshëm Sovjetik, Mikail Gorbaçov ndodhej me pushime në vilën e tij në Krime, kur përfaqësues të vijës së ashpër në kabinetin e tij e izoluan atë, duke ndërprerë të gjitha linjat e komunikimit. Publikisht, ata njoftuan se “për arsye shëndetësore”, Gorbaçov nuk mund të çohej më nga shtrati. Ndërkohë, drejtuesit e grushtit të shtetit, nxorrën tanket në rrugët e Moskës.

Ju mund të shihni, se përse disa në Rusi aktualisht i ka kapur paniku, ose e mbulojnë sikletin me humor. Sigurisht, nuk ndihmon që zhdukja e Putinit, vjen në një kohë veçanërisht nervoze për vendin. Moska është në luftë me Ukrainën, ekonomia e saj po vuan pasojat e rënda të sanksioneve perëndimore, dhe çmimet e ulëta të naftës. Ndërkohë edhe lideri i opozitës, Boris Nemçov, u vra së fundmi pak hapa larg nga Kremlini.

Ka një ndjesi në Moskë, se koha po ndalet. Për shtresën llafazane të Moskës, zhdukja e Putinit e konfirmon këtë përshtypje. Sa për pjesën tjetër të Rusisë, nëse murmurimat për mungesën misterioze të Putinit nuk mbërritën në ekranet televizive, kjo nuk ndodhi, sepse për 90 përqind e popullsisë ruse, televizioni është burimi kryesor i lajmeve.

Por edhe nëse do ta dinin, për shumicën e rusëve, kjo ngjarje do të ishte si shumica e ngjarjeve të tjera politike, përtej shkallës së tyre të interesit. Kur është fjala për intrigat politike, sjellja mbizotërues jashtë qarqeve liberale të Moskës është gati gjysmë-fetare, dhe kjo vjen nga kultura bizantine. Ashtu si Eukaristi, përgatitet pas murit të ikonave, që ndan altarin nga sytë e laikëve, kështu ndodh edhe me manovrat politike:Ne jemi njeri të thjeshtë, të paaftë për të kuptuar mistere të tilla. Le t’ua lëmë profesionistëve të merren me to.

Problemi është se as profesionistët, nuk po merren me të. Pas 15 vitesh në pushtet, Putin e ka personalizuar sistemin, kështu që bëhet gjithnjë e më e vështirë për nënshtetasit e tij të parashikojnë një Rusi pa të. Gati gjysma e rusëve të anketuar, në një sondazh të kohëve të fundit, u shprehën se dëshironin që Putin të shërbejë për një mandat të katërt presidencial, duke filluar nga viti 2018.

Ky numër është më shumë se dyfishi, krahasuar me një sondazh të zhvilluar disa muaj më parë. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me vizionin. Sistemi i ”kontrollit manual”, që zbaton Putini i ka hyrë mjaft në hak institucioneve të Rusisë. Të vetmet institucione që Putin ka forcuar, janë shërbimet e sigurisë./“Uashington Post”/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button