AnalizaMAIN

Pse kapja e Madurós është basti më i madh politik i Trumpit

A është kjo “lufta e parë e Trumpit”? Apo një tjetër “ndërhyrje kirurgjikale”, sipas modelit të bombardimit të shkurtër ndaj Iranit më 21 qershor 2025? Është gjesti imperialist i një autokrati që hedh maskën dhe shkel pa u ndëshkuar të drejtën  duke sulmuar një shtet sovran? Apo është ndëshkimi i një diktatori që ka bërë të vuajë urie popullin venezuelian dhe ka vjedhur me dhunë fitoren elektorale nga liderja demokratike e opozitës, fituese e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Machado?

Federico Rampini

A është kjo “lufta e parë e Trumpit”? Apo një tjetër “ndërhyrje kirurgjikale”, sipas modelit të bombardimit të shkurtër ndaj Iranit më 21 qershor 2025? Është gjesti imperialist i një autokrati që hedh maskën dhe shkel pa u ndëshkuar të drejtën  duke sulmuar një shtet sovran? Apo është ndëshkimi i një diktatori që ka bërë të vuajë urie popullin venezuelian dhe ka vjedhur me dhunë fitoren elektorale nga liderja demokratike e opozitës, fituese e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Machado?

Gjykimet mbi veprimin e Trumpit kundër Madurós janë ende të parakohshme, të varura nga shumë të panjohura. Para së gjithash duhet pritur për të parë se cilat do të jenë rezultatet përfundimtare. A do t’i rikthehet Venezuela traditës demokratike që kishte njohur përpara Chávezit dhe Maduros, apo do të zhytet në një fazë tjetër kaosi?

Eksportimi i demokracisë nuk ishte një operacion i suksesshëm as nën George W. Bushin dhe as nën Barack Obaman, që e provuan në Lindjen e Mesme. Sipas pesimistëve, që nuk mungojnë as brenda kampit Trumpian, Venezuela mund të shndërrohet në një tjetër Afganistan ose Libi, me narkotrafikantë dhe guerilas marksistë në vend të forcave tribale dhe xhihadiste. Por Lindja e Mesme dhe Amerika Latine nuk janë e njëjta gjë. Në çdo rast, gjykimi duhet mbajtur pezull, derisa të ulet pluhuri dhe të kuptohet çfarë ndodh në Venezuelën pas Madurós.

Vlerësimet mbi atë që bën Trumpi rrezikojnë gjithmonë të ndikohen nga emocionet ekstreme që ngjall personazhi. Tundimi i hiperbolës është i vazhdueshëm: kur flitet për të, ekziston gjithmonë prirja që çdo veprim i tij të shpallet i paprecedentë, i padëgjuar më parë. Për të ulur tonet dhe për ta vendosur atë që po ndodh në një kontekst historik, ia vlen të nisemi nga… banaliteti i tij.

Ndërhyrjet e Uncle Sam në “oborrin e vet”, pra në Amerikën Latine, janë normalitet, jo përjashtim. Shpesh është përmendur precedenti i Doktrinës Monroe, e shpallur në vitin 1823: “Amerika u përket vetëm amerikanëve”. Ajo shërbente për të dëbuar kolonializmat e mbetura evropiane dhe për të mbështetur luftërat për pavarësi në Amerikën Latine, duke u ofruar mbrojtjen e demokracisë së re amerikane. Më pas, në fund të shekullit XIX, lufta kundër Spanjës, e fituar nga Shtetet e Bashkuara, çoi në një protektorat mbi Kubën, që mori ngjyrime neokolonialiste.

Demokrati John Kennedy, një ikonë progresiste, nisi pushtimin e Gjirit të Derrave në Kubë në vitin 1961 për të rrëzuar regjimin socialist dhe filo-sovjetik të sapolindur të Fidel Castros: zbarkimi i organizuar nga CIA rezultoi një dështim i turpshëm, një fiasko katastrofike, e cila më pas u zbeh vetëm pjesërisht në kujtesën historike, nga përplasja me Hrushovin gjatë krizës së raketave bërthamore në Kubë.

Por ky dështim i Kennedyt shpjegon pse Havana kastroiste mbeti një pykë e futur nga kundërshtari sovjetik mes bazave ushtarake amerikane të Guantanamos, Porto Rikos, Key West-it dhe Miamit. Demokratët progresistë Kennedy dhe Johnson patën më shumë “sukses” në vende të tjera të Amerikës Latine, duke mbështetur grushte shteti dhe regjime të djathta për të frenuar përhapjen e komunizmit.

Vitet ’70 panë, me Richard Nixonin dhe Gerald Fordin, një vazhdimësi të ndërhyrjeve të lidhura me Luftën e Ftohtë, me operacione të reja, më shumë ose më pak të fshehta dhe klandestine, në mbështetje të grushteve ushtarake të shtetit të organizuar nga forca të djathta: më simboliku mbetet ai i Kilit (1973), me vrasjen e Allendes dhe ardhjen e diktaturës ushtarake të Pinochetit.

Ardhja e një presidenti si Jimmy Carteri, që i bëri të drejtat e njeriut një flamur, hapi rrugën për ndërhyrje në drejtim të kundërt: soft power-i amerikan filloi të favorizojë tranzicionet demokratike. Por për të rrëzuar një diktaturë ushtarake brutale si ajo argjentinase, u desh akti i fundit i imperializmit britanik: lufta e Ishullit Falkland, e fituar nga Margaret Thatcher, fillimisht kundër vullnetit të aleatit dhe mikut të saj Ronald Reagan. Ky i fundit praktikoi gjithashtu ndërhyrje të ndryshme, nga pushtimi i Grenadës deri te shitjet ilegale të armëve Iranit për të përdorur të ardhurat në dobi të guerilasve të djathtë në Nikaragua.

Më në fund, një republikan i moderuar dhe multilateralist si George Bushi i madh nuk hezitoi të dërgonte forcat e armatosura në Panama për të rrëzuar dhe kapur diktatorin Manuel Noriega, i akuzuar për narkotrafik. Dhe ky është ndoshta precedenti që i afrohet më shumë modelit të një operacioni “policie” që Trump dëshiron t’ia ofrojë si trofe Amerikës MAGA (Make America Great Again): sipas kësaj narrative, Maduro meritonte një operacion ushtarak të kësaj përmase për përgjegjësitë e tij në narkotrafik dhe, rrjedhimisht, në masakrën e të varurve nga droga në Shtetet e Bashkuara.

Por ekziston edhe një dimension gjeopolitik që të kujton më shumë kohët e Kennedyt, Johnsonit dhe Nixonit, pra Luftën e Ftohtë. Nëse Maduro është kapur nga amerikanët pa qenë në gjendje Rusia dhe Kina të bëjnë asgjë për ta mbrojtur, Trumpi ka rihapur një temë që ishte shfaqur tashmë me sulmin e qershorit të kaluar ndaj objekteve bërthamore iraniane: fuqia ushtarake e Amerikës mbetet e pakrahasueshme, ndërsa superfuqitë kundërshtare nuk janë po aq të besueshme.

Prej dekadash, të paktën që nga 11 shtatori 2001, flitet për një Bosht të së Keqes, një koalicion armiqsh të Amerikës dhe Perëndimit që përfshin herë pas here, në gjeometri të ndryshme, Rusinë, Kinën, Iranin, Irakun, Korenë e Veriut dhe Venezuelën. Por në momentin e nevojës, dy vende kyçe të këtij boshti, Irani dhe Venezuela, pësuan një ndëshkim të tmerrshëm amerikan, dhe mbrojtësit e tyre kthyen kokën nga ana tjetër. Kjo do të mbahet mend gjatë, në të dyja këto rajone të botës: Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine.

Trumpit do t’i duhet të këmbëngulë shumë për ta paraqitur këtë version triumfal të veprimeve të tij, sepse baza e elektoratit të tij nuk është apriori e bindur për këtë prirje të re luftënxitëse.

Disa eksponentë të botës MAGA, zamka e vërtetë kulturore në atë zonë elektorale është izolacionizmi, refuzimi i “luftërave të pafundme” të epokës Bush–Obama–Biden. Trumpi u kishte premtuar të tijve se do të shkëputej nga ajo traditë, se nuk do të sillej si xhandar i botës, madje se do të ishte në gjendje të shuante shumë luftëra në vazhdim. Ai paraqitej si paqebërës, jo si luftënxitës. Tani duhet t’i bindë të tijtë se sulmi ndaj Venezuelës nuk është një luftë, por një operacion policor kundër një mbrojtësi politiko-ushtarak të narkosëve dhe kundër një despoti që, duke shkatërruar ekonominë e Venezuelës, ka shtyrë miliona emigrantë ilegalë të pushtojnë Shtetet e Bashkuara.

Trumpi mund t’i shtojë bilancit të tij gjeopolitik në “oborrin e shtëpisë” edhe zhvendosjen e qartë djathtas që ka ndodhur vitet e fundit: në Argjentinë, Kili dhe Ekuador kanë fituar zgjedhjet liderë konservatorë ose madje trumpianë. Jo aq për një efekt tërheqës apo për një “imitim të perandorisë”. E vërteta është se në shumë vende të Amerikës Latine dëmet e varësive nga droga dhe dhuna kriminale e narkosëve i kanë bërë më të besueshëm liderët që kërkojnë prioritet për sigurinë, rikthimin e ligjit dhe rendit.

Edhe eksodet e emigrantëve nga Venezuela ose Bolivia kanë eksportuar në vendet fqinje probleme shumë të ngjashme me ato që vuajnë Shtetet e Bashkuara; prandaj kufizimet e lëvizjeve migratore kërkohen nga elektorati edhe në Amerikën e Jugut dhe u sjellin vota të djathtave. Mbështeten ende liderë progresistë në pushtet në Meksikë, Brazil dhe Kolumbi, por ata janë në vështirësi. Proteksionizmi i fundit i Meksikës dhe Brazilit kundër Kinës është një tjetër sinjal se edhe liderët më progresistë ndiejnë nevojën të rreshtohen me gjeoekonominë e Uashingtonit.

Botës MAGA Trump do t’i duhet t’ia bëjë tërheqëse një luftë në “oborrin e shtëpisë”, duke shpjeguar edhe se ajo shërben për të rimarrë kontrollin mbi burime minerare dhe natyrore që kishin përfunduar në sferën e ndikimit kinez. Në këtë kuptim, konflikti i parë që shpërtheu mbi Panamanë, kur Trumpi sapo kishte nisur mandatin e tij të dytë, ishte një sinjal paralajmërues: synimi ishte largimi i një gjiganti portual kinez nga menaxhimi i një kanali strategjik për Amerikën.

Duke dështuar në vitin 1961 me sulmin në Gjirin e Derrave, Kennedy u dënua të duronte përgjithmonë praninë e një sateliti ideologjik dhe ushtarak të Bashkimit Sovjetik të ngjitur pas Floridës. Nëse arrestimi i Madurós ndodh me pak gjakderdhje; nëse nuk lë pas një trashëgimi guerilase antiamerikane; nëse pasohet nga vendosja e qeverisë legjitime demokratike të votuar nga elektorati venezuelian në zgjedhjet e fundit, atëherë Rusia dhe Kina do të dëbohen nga ky avanpost në “oborrin e shtëpisë”, me një kosto të ulët.

Rikthimi i rendit në Amerikë, mbajtja larg e fuqive armike, mbështetja e qeverive të rreshtuara: e gjithë kjo hyn në një traditë të gjatë dhe të vjetër. Ku sukseset janë alternuar me katastrofa. Cilës kategori do t’i përkasë kapja e Madurós, herët a vonë do ta dimë. E sigurt është se operacioni nuk do t’i kalojë testet e ligjshmërisë ndërkombëtare… ashtu siç nuk ia dolën ndërhyrjet e Theodore Roosevelt-it, John Kennedy-t, Lyndon Johnson-it, Ronald Reagan-it, Bush-it të vjetër dhe të ri.

Alternativa nuk ishte domosdoshmërisht më e mirë: të vazhdohej tolerimi i diktaturës së Madurós pas vjedhjes flagrante të zgjedhjeve të fundit, duke ditur lidhjet me narkosët dhe favoret e vazhdueshme mes atij regjimi dhe boshtit Iran–Rusi–Kinë.

Mbetet problemi politik i brendshëm. Në një fazë rënieje të popullaritetit të Trumpit, të lidhur sidomos me situatën ekonomike (rritja e kostos së jetesës), a do t’u duket kjo luftë bazës së tij si tradhti ndaj premtimit më të rëndësishëm nga të gjithë? Pra, ndaj angazhimit solemn “do të merrem me problemet tuaja, jo me rregullimin e botës”?

A do të ndihet bota MAGA e tradhtuar nga një president që prej një viti merret me Gazën, Ukrainën dhe kriza të tjera ndërkombëtare, më shumë sesa me çmimin e karburantit, qiratë, apo kostot e barnave dhe shërbimeve shëndetësore? Apo përkundrazi, Maduro me pranga do të jetë ai lloj trofeu që në bazën republikane shkakton një shpërthim patriotizmi dhe respekti për komandantin suprem të forcave të armatosura?

Është e vështirë ta parashikosh tani, ndërsa operacioni në Venezuelë është ende në zhvillim. Por një efekt-Maduro do ta shohim patjetër, në një drejtim ose në tjetrin, në zgjedhjet e mesmandatit, pas njëmbëdhjetë muajsh. / Corriere della Sera – Bota.al

Back to top button