Analiza

Pse kompromisi politik është kaq i vështirë?

Screen Shot 2016-03-15 at 07.55.20

Kur çështjet moralizohen, bërja e lëshimeve bëhet diçka gati e paimagjinueshme

Nga Tom Jacobs

Donald Tramp, thotë se do të jetë në gjendje ta rivërë sërish Uashingtonin në punë, falë aftësisë së tij të mrekullueshme për të bërë marrëveshje. Në mënyrë të ngjashme, Hilari Klinton pohon se si presidente do të jetë në gjendje për të “realizuar detyrat” që kërkohen. Por kjo do të thotë, të detyrosh polikanët partizanë të bëjnë kompromise, ndaj të cilave ata zakonisht distancohen me neveri.

Pra, pse disa çështje të caktuara janë të përshtatshme për negociata, ndërsa të tjerat i frymëzojnë njerëzit të marrin qëndrime që pamundësojnë kompromisin? Një studim i publikuar rishtazi, ka arritur në përfundimin se ekzistojnë dy përgjigje për këtë pyetje, dhe ndoshta çuditërisht, asnjëra prej tyre nuk merret me atë sesa të rëndësishme e konsideron dikush një çështje, dhe as se si ndjehet e rëndësishme në aspektin personal kjo çështje.

Përkundrazi, mungesa e vullnetit për kompromis, është e mirë-parashikuar nga ekstremizmi i pozicionit të dikujtdhe – më pak e qartë – pavarësisht nëse dikush beson se çështja ka të bëjë me parimet themelore të të drejtës dhe të gabuarës. “Qëndrimet moralizuese i çojnë qytetarët drejt kundërshtimit të kompromiseve, ndëshkimit të politikanëve që janë pro tyre dhe braktisjen e përfitimeve materiale”- shkruan shkencëtari politik Timoti Rajan i Universitetit të Karolinës së Veriut, Chapel Hill.

“Këto modele rezultojnë të njëjtat në çështjet ekonomike dhe jo-ekonomike, dhe identifikojnë një fenomen psikologjik që kontribuon tek mosmarrëveshjet e vështira politike”. Shqyrtimi se si çështjet e rezonojnë në një nivel moral, ofron një kuptim më të nuancuar të dallimeve tona, dhe sugjeron qasje të reja për zgjidhjen e problemeve. Rajan e tregon këtë dinamikë në një seri studimesh, të publikuara në Gazetën Amerikane të Shkencave Politike.

Në studimin e parë, 1.610 pjesëmarrësit u pyetën në lidhje me qëndrimet e tyre ndaj 5 çështjeve politike. Për secilën, ata u pyetën nëse preferonin një zgjidhje liberale apo konservatore. Për shembull, pyetja mbi Sigurimet Shoqërore shtroi problemin – sistemi është projektuar për të mbetur gradualisht pa para – dhe pyeti pjesëmarrësit nëse ata preferonin rritjen e taksave apo uljen e përfitimeve.

Preferencat për një qasje ose tjerën, u shënuan në një shkallë me shtatë pikë. Përveç kësaj, pjesëmarrësit u pyetën se sa e rëndësishme ishte për ta personalisht kjo çështje, dhe në çfarë mase ndikon direkt tek ta. Së fundmi, ata treguan shkallën në të cilën pozicionet e tyre reflektojnë ”besimet dhe bindjet themelore morale”.

Sikurse pritej, Rajan zbuloi se “qëndrimet ekstreme parashikonin kundërshti të kompromisit”. Ç’është me e habitshme, ai zbuloi se parja e çështjes në aspektin moral “e ul ndjeshëm mbështetjen ndaj kompromisit, pavarësisht nëse qëndrimet janë ekstreme apo jo”. Një studim i dytë, me 1.345 pjesëmarrës, u përqëndrua veçanërisht në reformën e Sigurimeve Shoqërore, e cila u zgjodh për shkak se ndryshe nga e drejtat e abortit, nuk është menduar në përgjithësi si një çështje me ngarkesë moralistike.

Ashtu si në studimin e parë, pjesëmarrësit treguan nëse ata preferonin rritjen e taksave apo uljen e përfitimeve. Atyre iu kërkua më pas të vlerësojnë dy kandidatët për në Kongres, të cilët binin dakord me qëndrimin e tyre, dhe kur njëri prej të cilëve deklaronte se çështja ishte, në një farë mase e “negociueshme”. Rajan zbuloi se njerëzit që qenë më pak të gatshëm për të votuar kandidatin fleksibël, ishin ata që mbanin një pozicion ekstrem, ose ata të cilët e masnin çështjen në aspektin moral. “Rezistenca (ndaj kompromisit) nuk vjen vetëm nga qëndrimet ekstremiste”- përfundon ai. Përkundrazi, kodet personale morale kanë “potencial për të prishur llogaritjet kosto/përfitim, dhe i bërë lëshimet të paimagjinueshme”.

Rezultatet sugjerojnë, se në rast se ne do t’i rrikthehemi ndonjëherë rrugës së kompromisi, do të kemi për të mësuar më shumë rreth rritjes së bindjeve morale, dhe nëse dhe si mund të ndryshohen ato. Studiuesi Xhonatan Heid dhe kolegët e tij, kanë artikuluar një teori të detajuar, që sugjeron se liberalët politikë kanë prirje drejt bazamenteve morale të caktuara (duke përfshirë kujdesin për të tjerët), ndërsa konservatorët rezonojnë më fort me diçka të ndryshme (si respekti ndaj autoritetit).

Një tjetër studiues, Daniel Bartel nga Universiteti i Çikagos, argumenton se cilido qoftë procesi i informimit të njerëzve në një kontekst moral, kjo varet pjesërisht nga fakti nëse ata janë të përqendruar tek rregullat apo te pasojat. “Ky rezultat mund të ketë rëndësi të veçantë në politikë”- shkruan Rajan “pasi për shumicën e çështjeve, retorika politike mund të theksojë çdo konsideratë”.

Dikush mund të shohë me lehtësi se si inkuadrimi mund të ndikojë mbi qëndrimet le të themi ndaj emigracionit të paligjshëm. Konservatorët të cilët e shohin atë si një çështje morale (bie ndesh me kuptimin e tyre të besnikërisë në grup dhe shenjtërisë së sundimit të ligjit), mund të zbutin kundërshtimin e tyre nëse ata janë të inkurajuar të marrin në konsideratë efektet aktuale të dëbimit (ndarja e familjeve etj).

Pra, shqyrtimi sesi çështjet rezonojnë në një nivel moral, i jep një kuptim më të nuancuar dallimeve tona, dhe sugjeron një qasje mundësisht të re për ngushtimin e këtij hendeku. Duke pasur parasysh ngërçet aktuale, qasjet krijuese janë sigurisht të nevojshme, dhe kjo është diçka premtuese. /“Pacific Standard” – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button