Dridhjet apo vibrimet e qepallës së sipërme ose të poshtme të syrit quhet nga mjekët okuliste si miokimi. Për fat të mirë, pavarësisht shqetësimit që shkakton tek personat e prekur, kjo tkurrje spontane e muskujve të imët në nëntë nga dhjetë raste nuk është problem serioz mjekësor, dhe zakonisht kalon vetvetiu. Mirëpo, çfarë ndodh nëse nuk kalon? Cilat janë shkaqet dhe si mund të zgjidhet kjo gjendje në varësi tëshkakut?
Stresi
Stresi është shkaktari kryesor i dridhjeve të qepallës. Zakonisht zgjat për një javë, ose më tepër, derisa të zgjasë periudha e stresit. Stresi është pjesë përbërëse e jetës, prandaj është e rëndësishme që të kuptoni se si ta menaxhoni më së mirë atë. Mësoni disa teknika të relaksimit, bëni joga, flini më shumë dhe organizohuni më mirë.
Kafja
Shumë ekspertë mendojnë që stimulanset si kafeina, shkaktojnë dridhje të qepallës, sidomos kur ajo përdoret pa masë. Nëse e keni shtuar sasinë e kafeinës, do të ishte mirë që ta zvogëloni atë. Kini kujdes në marrjen e lëngjeve, prandaj me kafe gjithmonë pini një gotë ujë.
Mungesë e magnezit
Mungesa e mineraleve, më së shpeshti magnezit, mund të çojë drejt miokimisë. Nëse problemi zgjat, kontrolloni nivelin e magnezit. Hani spinaq, bajame dhe arra, ose merrni suplemente me këtë mineral.
Sy të thatë
Sytë e thatë tejmase mund të jenë si pasojë e plakjes, sëmundjeve reumatizmale, ose përdorimit të tepërt të pajisjeve elektronike. Përdorni lotë artificialë, ose lajini sytë me ujë të pastër në mënyrë tëvazhdueshme.
Tendosja e syrit
Shumë shprehi të fytyrës çojnë deri në tendosje të syve dhe dridhje të qepallave. Disa nga fajtorët më të shpeshtë janë: mosmbajtja e syzeve gjatë ditëve me diell, mosmbajtja e syzeve të duhura optike, qëndrimii gjatë para kompjuterit ose telefonit celular. Sytë duhet që të pushojnë mire, në të kundërt bëjnë miokimi.
Shtangia e nofullës ose kërcitja e dhëmbëve
Shumë njerëz shtangin nofullën ose kërcasin dhëmbët, posaçërisht në gjumë dhe kjo quhet bruksizëm. Dentisti do t’ju tregojë nëse kjo gjë po ndodh edhe me ju, dhe në këtë rast duhet që të mbani mbrojtëse për dhëmbët. Ndërkohë bëni masazh të lehtë të nofullës nga jashtë dhe brenda. Kjo gjë do t’ju lirojëmuskulaturën e fytyrës dhe do ta lehtësojë problemin me qepallat e syve.
Shkaktarë të tjerë potencialë
Nganjëherë dridhja e qepallave mund të jetë tregues i ndonjë problemi të rëndë mjekësor. Hipoglicemia (rënia e niveleve të sheqerit), sëmundja e Parkinsonit, sindromi Turetov dhe problemet neurologjike mund të shkaktojnë dridhje të qepallës. Nëse i keni provuar të gjitha këshillat e përmendura më sipër dhe sërish problemi vazhdon, ju rekomandojmë një konsultë me një mjek oftalmolog (okulist) për saktësimin dhe trajtimin e shkakut kryesor që ju ka çuar drejt miokimisë.