Analiza

Pse nuk mund të harrohet Tiananmeni

Nga Chris Patten

Tridhjetë vjet më parë, ndodhesha në Pekin si ministër i Zhvillimit i Britanisë së Madhe, për takimin vjetor të Bankës Aziatike për Zhvillim. Por, ajo që ndodhi në atë mbledhje – duke përfshirë edhe uljen për herë të pare në tryezë të një delegacioni nga Tajvani – u eklipsua nga ajo që po ndodhte në gjithë qytetin.

Dhe ajo që ndodhi në Kinë në vitin 1989, vazhdon të rezonojë shumë edhe sot, dhe jo më pak edhe në Hong Kong. Ngjarja kryesore në Pekin në fund të majit të atij viti, duhej të ishte një vizitë shtetërore e udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov.

Udhëheqja kineze, ishte entuziaste t’i tregonte atij se si një regjim komunist, drejtonte një vend të madh, në krahasim me shpërbërjen që ndodhi në Bashkimin Sovjetik nën Perestrojkën. Por, ashtu si shfaqja e papritur e një zjarri, pati një shpërthim gati festiv të dëshirës për liri, që habiti të dyja palët.

Të nxitur nga protestat e studentëve, shumica e popullsisë së Pekinit, nisi të dilte në rrugë për të kërkuar më shumë liri, dhe një llogaridhënie më demokratike. Shfaqja e fuqisë së njerëzve të thjeshtë, u përhap edhe në qytete të tjera. Ajo ishte masive dhe spontane. Dhe askush – as regjimi dhe as demonstruesit – dukej se nuk e dinte se çfarë të bënte më pas.

Si delegacion i ministrave të zhvillimit, ne takuam Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste – politikanin simpatik reformator, Zhao Zijang. Ai shprehu keqardhje për disa nga argumentet dhe ankesat e demonstruesve, dhe më pas shkoi në Sheshin Tiananmen, për t’ua thënë këtë personalisht edhe studentëve.

Siç ndodh shpesh me lëvizjet masive të protestave, studentët u ndanë mes atyre që e cilësonin kompromisin me autoritetet si një dorëzim, dhe atyre që besonin se zgjedhja e lirshme për t’u rikthyer në punë ose studime, do t’u siguronte një nivel të lartë moral për të ardhmen.

Ne e dimë se çfarë ndodhi më pas. Fanatikët me të moshuar në udhëheqjen komuniste, u tmerruan se po e humbnin kontrollin e tyre.

Ata zbritën tanket në rrugë, dhe Ushtria Çlirimtare Popullore, masakroi njerëzit që në fakt duhej të mbronte. Asnjë incident, nuk e tregon më së miri dallimin vendimtar midis Partisë Komuniste të Kinës (CPC) dhe qytetërimit të madh të Kinës.

Nëse dëgjon udhëheqësit komunistë kinezë, partia e mishëron atë qytetërim 4.000-vjeçar. Në fakt nuk është kështu. Kush ishte përgjegjës për vrasjen e pronarëve të tokave, pas revolucionit komunist të vitit 1949? Kush duhet të mbahet përgjegjës për dështimin e Hopi të Madh Përpara dhe Zija e Madhe të Bukës që e pasoi? Kush e nxiti Revolucionin Kulturor, me dhunën e tij masive që e shoqëroi?

Nuk është për t’u habitur që Partia Komuniste Kineze, është përpjekur shumë që të zhdukë nga kujtesa publike masakrën e Sheshit Tiananmen. Historia – përfshirë edhe tmerret e sundimit të Mao Ce Dunit – është një “substancë” shumë e paqëndrueshme për diktaturën kineze.

Krerët komunistë të Kinës, e cilësojnë sistemin e tyre të qeverisjes si një model për vendet e tjera. Por, si mundet që një regjim të jetë i bindur në qëndrueshmërinë e vlerave dhe metodave të tij, nëse ai ka frikë nga e kaluara e vet?

Shumë prej nesh, mendonin se Kina, duke u bërë me e pasur, dhe duke rimarrë një rol qendror në çështjet botërore, ngadalë por në mënyrë të pashmangshme, do të përqafonte të njëjtat aspirata, si dhe shumë shoqëri të tjera: një llogaridhënie më të madhe, lirinë e gjithcesilit për të folur si dëshiron, dhe sundim të ligjit, kur subjekt të ishin edhe më të fuqishmit.

Megjithatë, presidenti Xi Jinping, po përpiqet ta varrosë këtë ide, duke rikonfirmuar kontrollin e partisë mbi çdo aspekt të qeverisjes, duke burgosur avokatët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, duke goditur grupimet fetare, duke burgosur qindra mijëra ujgurë në kampet e “ri-arsimimit’ në rajonin e Xinjiangut, si dhe kërcënuar gjithnjë e më shumë me luftë Tajvanin.

Këtë sjellje e kemi parë edhe ndaj Hong Kongut.

Kina komuniste, nënshkroi një traktat ndërkombëtar për të respektuar shkallën e lartë të autonomisë, lirisë dhe sundimit të ligjit të Hong Kongut për 50 vitet e ardhshme, që në momentin kur rifitoi sovranitetin mbi qytetin në vitin 1997. Për më shumë se një dekadë nga ai moment, gjërat shkuan shumë mirë, edhe pse Kina u tërhoq nga disa premtime për zhvillimin demokratik.

Por, me konsolidimin e fuqisë absolute të Xi-së, gjërat kanë ndryshuar. Kohët e fundit, akuzat e vjetra të cënimit të rendit publik, janë përdorur për të ndjekur penalisht aktivistët e demokracisë në Hong Kong, me synim mbylljen e gojës së tyre. Qeveria lokale, duket se po merr gjithnjë e më shumë udhëzime nga regjimi i Pekinit, dhe aktivistët e tij komunistë të Frontit të Bashkuar.

Qasja e ashpër e qeverisë kineze, ka nxitur thirrje të forta – që nuk ishin dëgjuar asnjëherë kur qyteti u qeveris nga një fuqi koloniale e largët – për pavarësinë e Hong Kongut. Goditja e fundit e lirisë dhe identitetit të Hong Kongut, është ligji i qeverisë lokale për të lejuar ekstradimin e të dënuarve në Kinë – një mundësi që unë do ta përjashtoja vetëm disa muaj më parë.

Qeveria pretendon, pa asnjë fakt, se dëshiron thjeshte të mbyllë një shteg. Por, refuzimi i Hong Kongut për të ekstraduar njerëzit në territorin e Kinës, ka qenë objekt i vazhduesëm përplasjesh midis një qyteti që është subjekt i sundimit të ligjit, dhe një vendi që sundohet me dorë të hekurt, ku nuk ka një dallim real midis gjykatave, udhëheqjes së partisë, dhe shërbimeve të sigurisë.

Ky ndryshim kërcënues në ligjin për ekstradimet, ka çuar në protestë avokatët, dhomat e tregtisë, dhe të një numri qeverish. Një rrezik, i theksuar tashmë në Kongresin Amerikan, është se nëse Hong Kongu trajtohet si Shenzheni apo Shanghai, atëherë po kështu do të trajtohet në këtë mënyrë, edhe në aspektin e ekonomisë dhe tregtisë.

Dhe Hong Kongu duhet të bëjë gjithçka, për të mos u përfshirë në luftërat tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, Hong Kongu është i ndryshëm nga Kina kontinentale. Natën e 4 qershorit, siç ka ndodhur çdo vit që nga viti 1990, më shumë se 100.000 njerëz do të marrin pjesë në një protestë me ndezje qirinjsh, për të shënuar përvjetorin e shtypjes brutale të demonstratave të vitit 1989 në Pekin. Të paktën në këtë qytet ende të lirë, masakra e Tiananmenit nuk është harruar. Le të shpresojmë, që qeveria e Hong Kongut të mos përpiqet të ndjekë penalisht organizatorët e tubimit, me akuzën e komplotit.

Shënim: Chris Patten, ishte guvernatori i fundit britanik i Hong Kongut. Ai ka mbajtur edhe postin e komisionerit të BE-së për çështjet e jashtme, dhe është aktualisht kancelar i Universitetit të Oksfordit.

“Project Syndicate” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button