Pse qeni është miku më i mirë i njeriut? Historia e një lidhjeje 30 mijë vjeçare

qeni

Qeni është ndoshta e vetmja specie në planet që ka evoluar për të jetuar përkrah njeriut. Për më shumë se 30 mijë vjet, ai ka qenë shok gjuetie, rojtar, ndihmës dhe mbi të gjitha një mik besnik. Por pse ndodhi kjo lidhje kaq e fortë mes dy specieve? Përgjigja gjendet tek evolucioni.

Për mijëra vjet, qentë kanë jetuar përkrah njerëzve. Sot, në shumë familje, ata konsiderohen si një anëtar i familjes. Disa qen madje vishen bukur dhe hanë ushqim të shtrenjtë organik, prodhuar posaçërisht për ta! Ne vazhdojmë t’i referohemi qenve me shprehjen e vjetër “miku më i mirë i njeriut”, për shkak të karakteristikave pozitive që lidhen me ta: besnikëri, mbrojtje dhe dashuri.

Pse qeni është miku më i mirë i njeriut?

Megjithatë, shumë kohë përpara se qentë të bëheshin shokët tanë besnikë, paraardhësit e tyre endeshin në tufa të egra, duke gjuajtur prenë. Provat gjenetike sugjerojnë se qentë rrjedhin nga ujku gri dhe se zbutja (domestikimi) ndodhi të paktën në dy faza, në pjesë të ndryshme të botës, duke filluar në Azi mbi tridhjetë mijë vjet më parë.

Si u zbut qeni nga ujku

Si u shndërrua ujku në një qen miqësor? Ekspertët nuk bien dakord për mënyrën si ndodhi ky proces. Pa dyshim, njerëzit luajtën një rol në këtë proces: burrat dhe gratë kanë rritur (seleksionuar) qen duke nxjerrë në pah tiparet e dëshiruara të një shoku ideal. Sot, ekzistojnë rreth 360 raca të njohura të qenve, shumë prej të cilave njihen dhe duhen për inteligjencën dhe temperamentin e tyre të butë.

Kur filloi marrëdhënia mes njerëzve dhe qenve

Përveç se ofrojnë shoqëri, mbështetje dhe mbrojtje, qentë gjithashtu ofrojnë mirëqenie. Shumë studime kanë treguar se ata përmirësojnë shëndetin tonë psikologjik dhe fizik duke reduktuar stresin dhe ankthin. Shoqata Amerikane e Zemrës thotë se njerëzit që kanë qen kanë 65% më pak gjasa të vdesin pas një ataku kardiak sesa ata që nuk kanë, dhe kanë një risk 24% më të ulët të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet.

Pse qeni e kupton kaq mirë njeriun

Ne i studiojmë qentë sepse ata janë një model tejet interesant. Arsyeja është se ata kanë jetuar me ne për një kohë kaq të gjatë. Njerëzit i kanë zbutur qentë rreth tridhjetë mijë vjet më parë. Dhe kjo është një kohë mjaft e gjatë, edhe pse nga një perspektivë evolucionare ndoshta jo shumë e gjatë, por ata janë specia e parë e zbutur nga ne. Ne mendojmë se ata mund të jenë përshtatur në mënyra të veçanta me ambientin njerëzor. Prandaj jemi shumë të interesuar për ta dhe duam të zbulojmë në çfarë mase mund të jenë përshtatur ndaj njerëzve në njohjen dhe psikologjinë e tyre.

Dhe zbutja ndodhi përmes një procesi përshtatjeje të ndërsjellë midis njerëzve dhe qenve. Ata janë përzgjedhur, me vetëdije ose pa vetëdije, për të qenë shumë miqësorë, shumë bashkëpunues, shumë të mirë. Jo gjithmonë, por shumicën e kohës. Ne i kemi përzgjedhur qentë për të qenë shumë të mirë në kuptimin dhe leximin e komunikimit tonë.  Pra, ne e dimë që qentë na kuptojnë, por mbetet pyetja se në çfarë mase ata na kuptojnë me të vërtetë apo thjesht përdorin disa sinjale të caktuara, apo nëse vërtet e kuptojnë plotësisht atë që po përpiqemi të komunikojmë.

Si ndikon qeni në shëndetin tonë

Ne e dimë që qentë janë shumë të mirë në përdorimin e shenjave tona verbale. Ne e dimë që mund t’i trajnojmë ata për të ndjekur një numër mjaft të madh komandash, dhe shumica e qenve i mësojnë ato shumë shpejt. Kështu që e dimë që ka qen që njohin qindra e qindra objekte me emër. Ka pasur një qen shumë të famshëm në Amerikë, Chaser, që njihte më shumë se një mijë objekte me emër.

Pra, ne e dimë që qentë janë shumë të mirë me informacionin verbal që marrin nga ne. Por ne mendojmë se forca e tyre e veçantë është leximi i komunikimit tonë joverbal. Pra, qentë duket se janë shumë të mirë në leximin e gjesteve tona, dhe ata duket se janë më të mirë se çdo specie tjetër me të cilën kemi punuar, përfshirë të afërmit tanë më të afërt, shimpanzetë, në leximin e komunikimit tonë gjestual.

Inteligjenca sociale e qenve

Një nga arsyet kryesore pse qentë janë bërë kaq të lidhur me njerëzit është inteligjenca e tyre sociale e jashtëzakonshme. Studimet shkencore tregojnë se qentë janë ndër të paktat specie që mund të interpretojnë në mënyrë të saktë gjuhën e trupit, gjestet dhe emocionet njerëzore.

Për shembull, qentë janë shumë të aftë të ndjekin drejtimin e gishtit kur një njeri tregon diçka, një aftësi që edhe disa primatë e kanë të kufizuar. Ata mund të kuptojnë nëse një person është i zemëruar, i trishtuar apo i lumtur vetëm nga shprehjet e fytyrës dhe toni i zërit.

Kjo aftësi nuk është rastësi. Gjatë mijëra viteve të bashkëjetesës me njerëzit, qentë që ishin më të aftë për të bashkëpunuar dhe për të kuptuar sinjalet tona kishin më shumë gjasa të mbijetonin dhe të riprodhoheshin. Me kalimin e kohës, ky proces seleksionimi krijoi një specie që është veçanërisht e ndjeshme ndaj komunikimit njerëzor.

Disa studiues madje sugjerojnë se lidhja mes njeriut dhe qenit aktivizon edhe hormone të lidhjes emocionale, si oksitocina, e njëjta substancë që forcon marrëdhënien mes prindërve dhe fëmijëve. Kjo është arsyeja pse ndërveprimi me një qen mund të krijojë një ndjenjë të fortë besimi dhe afërsie.

Pikërisht kjo aftësi e jashtëzakonshme për të kuptuar dhe bashkëpunuar me njerëzit është një nga faktorët kryesorë që e ka bërë qenin, gjatë historisë, mikun më të afërt të njeriut.

/ bota.al

Back to top button