
Goditjet ndaj Iranit janë pjesë nga loja e madhe e naftës e Shteteve të Bashkuara, që shtrihet përtej Lindjes së Mesme dhe synon të ushtrojë presion mbi Kinën, vendin që Uashingtoni e sheh si rivalin e tij kryesor global. Kështu u shprehën disa analistë për Newsweek.
Këto goditje përbëjnë sulmin e dytë amerikan brenda më pak se tre muajsh kundër një aleati të pasur me naftë të Kinës, pasi më herët këtë vit SHBA ndërmori një operacion ushtarak edhe kundër Venezuelës, duke rrëzuar qeverinë e atjeshme.
Si Venezuela ashtu edhe Irani kanë qenë miq të ngushtë dhe aleatë strategjikë të Kinës, e cila blinte naftë prej tyre me kushte shumë të favorshme.
Loja e madhe e naftës: SHBA po shënjestron furnizimin me naftë të Kinës
Shtetet e Bashkuara e shohin Kinën si rivalin e tyre kryesor në skenën globale. Kapaciteti i madh industrial i Kinës dhe ndërtimi i shpejtë i flotës së saj detare e vendosin Pekinin në pozicion për të sfiduar dominimin ushtarak amerikan në Paqësor, ashtu sikurse edhe ndikimin e tij global.
Ndërkohë, ushtria kineze ka zhvilluar gjithnjë e më shumë stërvitje agresive ushtarake rreth Tajvanit, duke rritur frikën për një pushtim të mundshëm.
Në Iran, ashtu si edhe në Venezuelë në janar, edhe pse kishte shumë faktorë në lojë, analistët thonë se bëhej fjalë për diçka më shumë sesa politika lokale apo rajonale.
“Objektivi është të mbyllet burimi kryesor i naftës së lirë për Kinën”, tha Madi Kapparov, ekonomist dhe drejtues kërkimesh në Centre for Information Defence and Strategies, me zyra në Londër.
Sipas Kapparovit, ndërprerja e furnizimeve me naftë për Kinën përbën një kërcënim të veçantë për ushtrinë kineze, e cila ka nevojë për një furnizim të qëndrueshëm me benzinë dhe naftë për të operuar.
Pse Irani dhe Venezuela janë kaq të rëndësishëm për Pekinin
Kina ka investuar shumë në centrale të reja me qymyr dhe në energji të rinovueshme, por siç thekson ai, “një ushtri nuk mund të funksionojë me qymyr apo energji të rinovueshme”.
Për vite me radhë, Pekini kishte arritur të ulte çmimin e naftës që blinte nga Irani, pasi vendi kishte pak blerës për shkak të sanksioneve ndërkombëtare afatgjata mbi programin e tij bërthamor.
Sipas firmës analitike Kpler, Kina bleu më shumë se 80 për qind të naftës së eksportuar nga Irani në vitin 2025.
Shifrat për përqindjen e naftës që Kina importon nga Irani ndryshojnë nga 0 deri në 18 për qind, pasi të dhënat doganore kineze ndaluan raportimin e dërgesave nga Irani në vitin 2022, tha Kapparov.
Sipas Reuters, rreth 13 për qind e naftës bruto që Kina transporton përmes detit vjen nga Irani. Megjithatë, kjo tregti zhvillohet shpesh në fshehtësi, me transferime nga anije në anije, përfshirë edhe pranë brigjeve të Malajzisë.
A mund ta zëvendësojë Kina naftën iraniane me atë ruse?
Deri në janar, Venezuela furnizonte rreth 4 për qind të nevojave të Kinës për naftë. Por shpresat në Pekin se humbja e naftës venezueliane do të kompensohej nga importet iraniane tani duket se janë shuar.
Kina blen gjithashtu naftë nga Rusia, një tjetër aleat politik, por zëvendësimi i naftës iraniane nuk është aq i thjeshtë, pasi nafta ruse mund të kërkojë procese të ndryshme rafinimi.
Pekini blen naftë edhe nga vende të tjera, por këto furnizime thjesht tregtare mund të rrezikoheshin nëse Kina do të pushtonte Tajvanin, pasi vendi do të përballej me sanksione ndërkombëtare të ngjashme me ato që iu vendosën Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
Teoria e dominosë në strategjinë amerikane
Sipas Ross Babbage, drejtor ekzekutiv i Strategic Forum, një konsulencë strategjike me bazë në Australi, dhe bashkëpunëtor në Center for Strategic and Budgetary Assessments në Uashington, zhvillimet në Iran janë pjesë e një strategjie edhe më të madhe.
Me sulmin ndaj Iranit dhe vdekjen e ajatollahut Ali Khamenei, një tjetër lider autoritar jetëgjatë ka rënë, tha Babbage. “Duket se ekzistojnë elementët e një strategjie amerikane, dhe duket se ajo po bën përparim të vërtetë”, u shpreh ai.
“Vendet që kanë qenë bastione autoritare po bien një nga një. Partnerët e Pekinit dhe Moskës po zvogëlohen në numër dhe në peshë strategjike.”
Sipas tij, ajo që po ndodh është një seri hapash nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, veçanërisht Izraeli në rastin e Iranit, për të ndryshuar orientimin pro-autoritar të këtyre shteteve. Qëllimi është që këto vende të ndryshojnë kurs dhe të bëhen të paktën neutrale, në mos pro-perëndimore.
Megjithatë, Babbage paralajmëron se konturet e strategjisë amerikane mbeten ende të paqarta. “Do të isha i pari që do të thosha se provat janë të shpërndara. Disa njerëz në administratën amerikane duket se kanë një vizion mjaft koherent, por në zbatimin praktik ka shumë faktorë të tjerë për t’u marrë parasysh, përfshirë vendimmarrjen rreth operacionit aktual në Iran”, tha ai.
A janë Kina dhe Rusia partnerë të besueshëm?
Në një plan më të gjerë, zhvillimet në Iran dhe në Venezuelë kanë ngritur pikëpyetje jo vetëm për Kinën dhe Rusinë, por edhe për partneritetet e tyre në botën në zhvillim, ku të dyja vendet kanë zgjeruar ndikimin e tyre me shpejtësi në vitet e fundit.
“Ata flasin me terma madhështore për regjimet që i mbështesin dhe që janë partnerët e tyre. Por kur vjen momenti i së vërtetës, çfarë kanë bërë për të mbështetur Venezuelën kundër Shteteve të Bashkuara? Përgjigjja është se në fakt nuk mundën të bëjnë asgjë,” tha Babbage.
“Sipas meje, situata është shumë e ngjashme edhe me Iranin.” Ai parashikon se Kuba mund të jetë vendi i radhës. “Po shohim një mundësi shumë reale që Kuba të rrëzohet brenda muajve të ardhshëm.” / newsweek – bota.al