Shkence

PSIKOLOGJI / Çështje zgjedhjesh. Mes instiktit dhe logjikës

Eshtë më mirë të zgjedhim me mendje apo me zemër? Kush zgjedh arsyen beson në aftësitë më të zhvilluara të trurit. Por ndonjëherë gabon. Kur duhet të bëjmë një zgjedhje, zonat që përcaktojnë sjelljet instiktive kanë tendencën të vënë kënaqësinë e menjëhershme mbi një avantazh të ardhshëm. Por për të vendosur mirë duhet doza e duhur e të dy elementëve, dhe ekzistojnë truqe për të mësuar

zgjedhjeDeri pak kohë më parë, çdokush mund ta quante Eugenin një njeri të lindur me këmishë. I dalë me nota maksimale nga universiteti, kish patur një karrierë të mbushur me suksese. Dukej se të gjithë ëndrrat e tij mundeshin të realizoheshin. Eugenit i pëlqente të argëtohej: restorante luksi, veshje firmato, pushime në hotele me pesë yje. Nuk kish problem që paratë nuk mund ta zgjidhnin: fjala “ankth” nuk kish vend në fjalorin e tij. Megjithatë, një mëngjes u fundos në makth: një letër e bankës e informonte që brenda katër viteve kishte shteruar kursimet e një jete, dhe që karta e kreditit kishte akumuluar borxhe në vlerë mbi 50 mijë dollarë (pa interesat). Shumë, edhe për një profesionist si ai. I trembur, nuk ishte më në gjendje të punonte: të ardhurat e tij ranë dhe miqtë e braktisën. Pasi u tret ideja e një të ardhmeje në ngjitje, Eugeni vendosi që të shkojë tek GreenPath, një organizatë që prej vitit 1961 ndihmon familjet amerikane në vështirësi financiare. Instituti, me programe ad hoc, mëson si të kursesh dhe të shkurtosh shpenzimet e tepruar, duke ndihmuar viktimat deri kur bilanci mes të ardhurave dhe shpenzimeve rikthehet në ekuilibër.

Shpërblim i menjëhershëm

Herman Palmer është një prej konsulentëve të GreenPath. Mbi tryezën e tij të punës ka një kuti të mbushur me shirita plastike të ngjyrosur: janë mbetjet e kartave të kreditit të klientëve të tij. “Gjëja e parë që bëj”, thotë ai, “është që i pres. Eshtë e pamundur të kesh një në xhep dhe të mos shpenzosh”. Rasti i Eugenit dhe i shumë të tjerëve si ai, tregon se Herman ka të drejtë: kartat e kreditit shfrytëzojnë mekanizmat e funksionimit të zonave më antike dhe të thella të trurit tonë, ato zona ku lindin emocione dhe instikte. Këto zona janë në kërkim të palodhur të shpërblimit të menjëhershëm, por nuk janë të programuara për të kuptuar dhe për të deshifruar pasojat e veprimeve tona. Për shembull, të blesh pa përdorur kartëmonedha, tek shumë njerëz ka efektin që bën të heshtin këmbanat e alarmit dhe ndjesitë negative, dhe bind konsumatorët që paratë e shpenzuara nuk janë reale.

Jonathan Cohen, një neuroshkencëtar i Universitetit të Princeton në SHBA është përpjekur ta demonstrojë me një eksperiment të thjeshtë: u ka kërkuar një grupi personash, që iu nënshtruan rezonancës magnetike, që të zgjedhin mes një blerje të mirë por të vogël (menjëherë të disponueshme) dhe një blerje të mirë e më të qëndrueshme, por për të cilën duhet të presin disa javë. Kohen vërejti se dy zgjedhjet aktivizonin zona të ndryshme të trurit: në rastin e parë ndizeshin nucleus accumbens, apo mezencefale, struktura neuronale që lidhen me kënaqësinë dhe me varësinë; në rastin e dytë hynte në veprim korteksi ballor, një zonë më e re nga pikëpamja e evolucionit, që lidhet me racionalitetin dhe proceset e planifikimit. Pjesa më e madhe e të vëzhguarve zgjodhën opsionin e parë, duke dhënë kështu një provë se si instiktet, jo rrallë, mbizotërojnë ndaj logjikës.

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Truri në kurth

Kështu që, emocionet udhëheqin shumë prej zgjedhjeve tona. “Shumë eksperimente të kryer që nga fillimi i viteve tetëdhjetë (i famshëm është rasti i pacientit Elliot i neurologut Antonio Damasio), kanë demonstruar se ata që janë viktima të një tumori në tru që pengon korteksin të dialogojë me ndjenjat bëhen krejtësisht te paaftë të marrë vendime: nuk do të jetë më në gjendje të zgjedhë çfarë do të hajë, me çfarë lapsi të shkruajë apo çfarë do të veshë”, thotë Piero Paolo Battaglini, përgjegjës i BRAIN, Qendra e Neuroshkencave në Universitetin e Triestes. Edhe operacionet më banalë, thotë amerikani Jonah Lehrer, autor i librit “Si Vendosim” shndërrohen në vështirësi të pakapërcyeshme. Probleme të kujtesës mund të sjellin probleme të ngjashëm: miliarda lidhje sinaptike dhe dhjetëra neurotransmetues (ndërmjetësit kimikë që përcjellin informacione mes qelizave nervore) i lejojnë trurit tonë që të magazinojë një sasi të pallogaritshme informacionesh, të cilët nxirren nga arkiva sa herë që është e nevojshme të vlerësohet një situatë dhe të reagojmë. “Kur mungojnë informacionet, ose nuk janë në dispozicion, probabiliteti që të bëhet një zgjedhje e gabuar (apo të mos bëhet fare) është shumë i madh, sepse truri nuk ka terma krahasimi as edhe instrumenta për të vendosur”, shton Battaglini.

Instikti i lojtarit

Rrjetet emotivë dialogojnë vazhdimisht me ata të racionalitetit, por disa prej talenteve tanë i kemi për shkak të të parëve: në një kontekst rreziku (si të shmangim shtypjen nga një makinë) apo në sportet e shpejtë (skermi, apo tenisi) marrja e vendimit të drejtë mund të përcaktojë kufirin mes jetës dhe vdekjes, apo mes një suksesi dhe një dështimi. Një lojtar goditës në bejsboll, shpjegon Lehrer “ka më pak se 5 milisekonda për të perceptuar një goditje dhe për të vendosur çfarë të bëjë. Por askush nuk mund të mendojë kaq shpejt”. E megjithatë, ekzistojnë goditës shumë të mirë.

Edhe në kushte optimale, një njeriu i duhen 150 milisekonda për për t’iu përgjigjur një stimuli ndjesor. Kështu që, goditësit në bejsboll, për të gjuajtur topin nuk i mbetet veçse të mbështetet tek eksperienca: truri i tij, në mënyrë të pavetëdijshme, zotëron shumë tregues të vegjël, që përpara se topi të niset në ajër dhe furnizon muskulaturën me treguesit për t’u përgjigjur siç duhet. “Ja përse stërvitja, studimi dhe praktika janë thelbësore: neuronet emotivë nuk janë spektatorë pasivë, por kryejnë gabime, kapen në befasi, vëzhgojnë, kujtojnë, dhe rimodelojnë në mënyrë të vazhdueshme lidhjet mes tyre duke përsosur shënjestrën”, nënvizon Battaglini.

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Konflikt kimik

Ndjesitë dhe automatizmat, ndonëse nuk janë imunë nga kurthet dhe hiletë, janë motorri i ekzistencës sonë dhe për këtë arsye evolucioni, hedh hipotezën Lehrer, nuk mori mundimin t’i zëvendësojë: “Truri emotiv, që ka kaluar kolaudime të pafundme, arrin të interpretojë të dhëna që ne nuk do i rroknim dot: pa emocionet, arsyeja do të ishte e pafuqshme”. Por të thuash se zgjedhjet dhe sjelljet mund të bazohen vetëm mbi instiktet, sado të sakta, do të ishte një gabim shumë i madh. Shfaqja e zonave të trurit që i përkasin arsyes, në kohët e Homo sapiens, ishte një prej arritjeve më të mëdha të evolucionit njerëzor: pikërisht në atë moment mendimi mendoi për vetveten, dhe aty lindi aftësia për të bërë programe për të ardhmen po për të treguar gënjeshtra.

Dhe pikërisht në ato momente e pati fillimin edhe “konflikti kimik” mes logjikës dhe emocioneve, një lloj lufte për pushtim territori: kjo përplasje mes korteksit ballor dhe sistemit limbik (që është tërësia e strukturave ku kanë vend, veç të tjerave, edhe pasionet dhe frika) është ajo që përcakton sjelljet tona të vetëdijshme.

“Kur gjendemi para një udhëkryqi, para një problemi”, shpjegon Battaglini “prodhohen mijëra potenciale elektrikë negativë dhe pozitivë: potenciale të tillë janë frut refleksionesh, njohjesh, bashkëbisedimesh, prirjesh ndaj rrezikut apo ndryshimit, vlerësimesh mbi pasojat e një veprimi të caktuar. Mbizotërimi i shenjave negative krahasuar me ato pozitive (ose e anasjellta) tregon rrugën që duhet të ndërmerret”. Megjithatë, jo gjithmonë gjithçka shkon shumë mirë: për aq sa truri ynë sforcohet, ndonjëherë vendimi më logjik është pikërisht ai që ne e shmangim. Në fakt, thotë Lehrer, racionaliteti është një aftësi relativisht e re, tamam si teknologjitë e reja, paraqet probleme projektimi që evolucioni nuk ka mundur t’i korrigjojë. “Kështu janë të mjaftueshëm një shkarkim zemërimi i ardhur nga zonat më të brendshme të trurit, apo një mungesë e pjesshme informacioni për të analizuar tërësisht skenarin, për të modifikuar ekuilibrat dhe për të provokuar përmbysjen e mendimit”, paralajmëron Brain.

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Kontrolli i fundit

Por përpara se të na bëjë të ngecim përfundimisht, natyra ka parashikuar edhe një tjetër filtër, një lloj sistemi sigurie që pengon reagime të papërshtatshëm: bëhet fjalë për pjesën e pasme të lobit ballor, zona më e zhvilluar e korteksit cerebral. “Eshtë check-point i sjelljeve tona, dhe në bazë të edukimit të gjithësecilit, shkallës së arsimimit, kulturës dominuese, eksperiencave të maturuara, të dhënave të pranishme në kujtesën tonë, ai përcakton nëse një vendim apo sjellje janë etike, korrekte dhe shoqërisht të pranueshme.

Për fat të keq, edhe lobi ballor nuk është një makinë e pagabueshme dhe shpesh herë është i prirur të lejojë ndoshta edhe me bashkëpunimin e neurotransmetuesve si noradrenalina (e përfshirë në të ashtuquajturin fight or flight, sulmo ose mbathja, reagimi instiktiv para një rreziku) apo dopamina që, duke amplifikuar sensin e kënaqësisë, nxit tundimin dhe çon në varësi. Në këtë mënyrë, truri nuk e kupton që të shpenzosh mijëra euro me një kartë krediti ka pasoja fatale; që të pushohesh nga puna pas një sherri me shefin mund të të nxjerrë në trotuar; dhe që t’i japësh një të sharë një polici që sapo të ka vënë gjobë, pavarësisht kënaqësisë së çastit, mund të të çojë në gjykatë.

A ka sisteme për të vendosur më mirë? “Shumë teste”, thotë Battaglini, “kanë demonstruar se mund të optimizohet racionaliteti: dhe kjo bëhet thjeshtë duke u mësuar të zgjedhësh. Menaxherët e zotë janë të tillë, sepse gjatë karrierës së tyre kanë marrë shumë vendime, dhe sa më shumë që vendos, aq më të mëdha janë mundësitë që të marrësh vendimet e duhur, pa u zhytur në efektet e pasionit. Prej këtu buron rëndësia për të bërë fëmijët të vendosin në mënyrë autonome, që të vegjël: në moshën 5-vjeçare lidhjet sinaptike të një qenieje njerëzore arrijnë fuqinë maksimale dhe pikërisht gjatë këtyre 5 viteve fëmijët mësojnë më shumë se sa në gjithë pjesën e mbetur të jetës, se duhet të përdorin kasetën e ushtrimeve të arsyes”.

Psikologu Ap Dijksterhuis, i Universitetit të Amsterdamit, që ka vëzhguar dhjetëra persona ka zbuluar se kush i dedikon një minutë më shumë vendimeve më të zakonshëm, në fund do të jetë shumë më i kënaqur se ai, që për shkak të shpejtësisë rrëmbehet nga sensacionet, duke u penduar më vonë. Të numërosh deri në dhjetë para se të vendosësh mbetet një këshillë shumë e mirë.

New Scientist

Pershtatur ne shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button