Shkence

PSIKOLOGJI / E vërteta për paranormalen

David Robson
BBC Future

Në shekullin 21, përse kaq shumë njerëz vazhdojnë të besojnë në paranormalen? Ka arsye të forta përse ne vazhdojmë të kemi supersticione – si dhe disa përfitime të habitshëm

para 1Pak kohë pas Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchilli po vizitonte Shtëpinë e Bardhë, kur ai tha se kish patur një eksperiencë të mistershme. Pasi kish bërë një bankë të gjatë shoqëruar me një gotë uiski dhe një puro, ai tha se kish nisur të ecë në dhomën ngjitur – aty ku kishte takuar fantazmën e Abraham Lincolnit. Gjakftohtë, ndonëse tërësisht lakuriq, Churchilli tha se i ishte drejtuar: “Mirëmbrëma Z. President. Më duket se jam i disavantazhuar”. Fantazma kishte buzëqeshur dhe ishte larguar.
Ky kontakt i supozuar me të mbinatyrshmen e vendos Churchillin në shoqëri me njerëz të famshëm. Arthur Conan Doyle fliste me fantazmat përmes mediumeve, ndërkohë që Alan Turing besonte në telepatinë. Tre burra që njiheshin nga të gjithë për mendimin e mprehtë, e që megjithatë nuk mund të mos besonin tek e pamundura. Mund t’u bashkoheni edhe ju. Sipas vëzhgimeve të kohëve të fundit, pothuajse tre të katërtat e amerikanëve besojnë tek paranormalja, në një formë apo një tjetër, ndërkohë që një në pesë pretendojnë se në fakt e kanë parë një fantazmë.
Të intriguar prej këtyre besimeve që nuk duan të largohen, psikologët kanë filluar të studiojnë përse disa prej nesh nuk mund të hedhim tutje supersticionet e vjetër dhe folklorin. Zbulimet e tyre mund të tregojnë për disa të mira në besimin tek paranormalja. Më e pakta, duhet t’ju bëjë që të ngrini pyetjen, nëse kini mendime të fshehtë në lidhje me botën.
Disa eksperienca paranormale janë lehtësisht të shpjegueshme, bazuar në veprimtarinë defektoze të trurit. Psh, raportimet për fantazma që lëvizin objektet përputhen me dëmtimet në disa zona të hemisferës së djathtë, të cilat janë përgjegjëse për përpunimin pamor; ndërkohë, disa forma të epilepsisë, mund të shkaktojnë ndjenjën e frikshme të një pranie që të rri shumë pranë – ndoshta burimi i rrëfimeve për njerëz të panjohur, pa fytyrë, që të vijnë vërdallë.
Ndërkohë, eksperiencat e “daljes nga trupi” tani pranohen si fenomene neurologjikë, ndërkohë që disa iluzione pamorë mund ta ngatërrojnë trurin e shëndoshë dhe krijojnë krijesa mitike. Për shembull, një psikolog i ri italian u zgjua një mëngjes, shkoi para pasqyrës, dhe aty pa një burrë të moshuar që e vështronte në sy. Eksperimentet e tij të mëvonshëm konfirmuan se ky iluzion është i zakonshëm kur sheh reflektimin tënd në gjysmën e djathtë, ndoshta sepse truri përpiqet të ndërtojë konturet e fytyrës tënde, kështu që ai fillon duke u përpjekur të plotësojë informacionin e munguar – edhe pse kjo të çon në shfaqjen e kafkave, shtrigave apo kafshëve të frikshme.
Pra, çdo kombinim i lodhjes, drogërave, alkoolit dhe rrengjeve që na bën drita mund të kontribuojë për shfaqje unike, të izoluara, si ajopër të cilën fliste Churchilli. Po çfarë mund të themi për eksperiencat e njerëzve si Conan Doyle, i cili thoshte se vërente veprime jashtë kësaj bote, në mënyrë të përditshme?
para 3Mburoja
Psikologët që studiojnë fenë kanë dyshuar prej një kohe të gjatë se besimi tek paranormalja mund të jetë një lloj mburoje prej të vërtetave edhe më të rënda të botës. Ideja është që, kur ndodh diçka e papritur – një vdekje, fatkeqësi natyrore, apo humbje e punës – truri vihet në lëvizje për të gjetur përgjigje, në kërkim për t’i dhënë një kuptim kaosit. “Eshtë një gjendnje kaq e panatyrshme, saqë ai nuk mund ta marrë kontrollin objektivisht, kështu që ne e marrim kuptimin duke perceptuar më shumë struktura përreth nesh, edhe nëse ato nuk ekzistojnë”, thotë Jennifer Whitson e Universitetit të Teksasit, që studion modelin e perceptimeve, si dhe gjykimin dhe vendim-marrjen. Edhe kur thjeshtë u kërkon njerëzve që të kujtojnë një kohë kur kanë qenë tërësisht jashtë kontrolli, i bën ata të shohin forca të rrejshme, thotë ajo. Për shembull, kjo i bënte të shihnin modele në lëvizjet rastësore të bursës, por mund të manifestohej edhe duke bërë bashkë dy ngjarje pa lidhje mes tyre, si për shembull besimi që “nëse troket në dru” për të patur fat, mund të të përmirësojë shanset në një intervistë pune.
Antropomorfizmi është një tjetër mënyrë e zakonshme, se si ne përpiqemi të kuptojmë ngjarjet, thotë Adam Waytz i Northwestern University në Illinois. Kështu ne mund të mendojmë se ka një shpirt prapa një stuhie, apo që një demon na bën të sëmuremi – në vend që të pranojmë se nuk kemi kontroll mbi çështjen; dhe nëse një degë peme troket në dritare, je më i prirur të imagjinosh se një fantazmë po të dërgon një mesazh. “Ne krijojmë besime në fantazma, sepse nuk duam të besojmë që universi është rastësor”, thotë Waytz. Sërish, kjo bëhet më zakonshme atëherë kur kemi më pak kontroll mbi jetët tona.
Duke parë këto kthesa të çuditshme të mendjes, a mundet që disa njerëz të jenë nga natyra më të prirur të shohin modele dhe motive të fshehur, dhe a mund të shpjegojë kjo përse ata janë më supersticiozë se të tjerët? Eshtë një pyetje që Tapani Riekki në Universitetin e Helsinkit, në Finlandë, është përpjekur t’i përgjigjet gjatë viteve të fundit. Ai thotë se besimtarët shpesh e mirëpresin kërkimin e tij, përderisa ata sinqerisht nuk munden të kuptojnë përse të tjerët nuk ndajnë të njëjtin këndvështrim për botën. Ata thonë: “Nuk e kuptoj përse të tjerët nuk ndjejnë atë që unë ndiej, apo nuk besojnë atë që unë besoj”, thotë ai.
Fytyra të fshehura
Së fundmi, Riekki u ka kërkuar skeptikëve dhe besimtarëve që të shohin animacione të thjeshtë të formave në lëvizje, ndërkohë që u bën një skanim të trurit. Ai zbuloi se njerëzit që besojnë në paranormalen ishin më të prirur të shihnin një farë qëllimi në lëvizjet dhe kjo reflektohej në një veprimtari më të madhe të trurit në rajonet që normalisht shoqërohen me “teorinë e mendjes” dhe kuptimin e motiveve të të tjerëve. Riekki ka zbuluar gjithashtu se njerëzit që besojnë tek e mbinatyrshmja janë më të prirur të shohin fytyra të fshehura në fotot e përditshme – një zbulim që konfirmohet nga një tjetër ekip në Universitetin e Amsterdamit, që tregoi se besimtarët tek paranormalja janë më të prirur të imagjinojnë që kanë parë një figurë që ecën në shfaqjet rastësore të dritës.
Shtuar kësaj, Riekki ka zbuluar se besimtarët mund të kenë një “frenim” më të dobët konjitiv krahasuar me skeptikët. Kjo është aftësia që të lejon të shtypësh mendime të padëshiruar, kështu që ndoshta të gjithë ne trembemi herë pas here prej koincidencave të çuditshme, por skeptikët janë më të zotë t’i mënjanojnë. Riekki jep shembullin e dikujt që mendon për të ëmën, ndërkohë që ajo i telefonon vetëm dy minuta më vonë. “Eshtë e drejtë që skeptikët munden të qeshin dhe të thonë që është thjeshtë koincidencë dhe më pas të mendojnë për diçka tjetër?” pyet ai. Një tjetër studim ka treguar se besimtarët tek paranormalja kanë gjithashtu prirjen të kenë më shumë besim në vendimet e tyre, edhe kur këta bazohen mbi informacione të paqartë. Kështu, një herë që kapen fort pas një besimi, e kanë shumë të vështirë ta lëshojnë.
Shumica e studiuesve bien dakord se skeptikët nuk duhet të jenë shumë kritikë ndaj njerëzve që kanë kësi besimesh. Në fund të fundit, një studim ka nxjerrë që supersticione të ndryshëm mund të të rrisin performancën në një seri aftësish. Në një gjyq, sjellja me vete e hajmalisë fatsjellëse gjatë një testi të kujtesës mund të forcojë kujtesën, pasi rrit besimin në aftësitë e atij që beson. Një tjetër eksperiment testoi aftësinë në golf. Atyre që iu tha se po përdornin një “top fatsjellës” morën më shumë pikë se të tjerëve, që nuk iu tha. Edhe shprehje të thjeshta si “do të kryqëzoj gishtërinjtë për ty” rriti performancën e personave në zgjidhjen e anagramëve.
Por edhe nëse mendon se je imun, nuk duhet ta nënvlerësosh fuqinë e sugjestionit. Michael Nees në Lafayette College në Pensilvani u kërkoi së fundmi një grupi studentësh që të dëgjonin regjistrimet rrethanorë në shfaqjet me fantazma në Amerikë. Thjeshtë mendimi që ishin përfshirë në një studim të paranormales i bëri studentët që të dëgjojnë gjithnjë e më shumë zëra në rregjistrime – pavarësisht faktit se pothuajse të gjithë kishin thënë që ishin skeptikë. Duket se thjeshtë pritshmëria për të dëgjuar disa të frikshme ta vë trurin në lëvizje.
Ndërkohë, studimi i ëhitson tregon se sa e lehtë është për të gjithë ne që të imagjinojmë ngjarje të çuditshme kur ndihemi të trazuar. Eksperimenti i saj më i fundit gjeti që edhe nëse e mbush dikë me një ndjenjë shprese – që normalisht konsiderohet emocion pozitiv – mund të rrisë besimin enjerëzve në të mbinatyrshmen, apo në teoritë konspirative. Arsayeja, thotë ajo, është se shpresa mbetet gjithësesi plot me pasiguri. Të bën të ngresh pyetje për të ardhmen, krahasuar me një ndjenjë si zemërimi, ku je më i sigurtë që ke të drejtë.
Dhe nëse i thua vetes që i ke larguar mendimet e superstiocioneve apo historive me fantazma, gjithësesi mund të strehosh besime të tjerë që janë njësoj të çuditshëm, thotë ajo. Mund të jetë një teori konspirative për qeverinë, apo thjeshtë dyshime që kolegët po bëhen kundër teje, bazuar në disa komente të rremë.
Ndoshta mund të shohim aftësinë e trurit për të “pikasur” modele të rrejshëm në reagimin ndaj epidemisë së Ebolës – si për shembull shfaqjen e ilaçeve popullorë (përfshirë besimin se po të pish ujë me kripë shërohesh), frikërat në Perëndim se do të përhapet përmes udhëtimeve ajrorë, dhe teorive që është krijuar nga qeveritë e industrializuara.
“Eshtë e lehtë ta mendosh veten si njeriu që ka në duar kartat racionale, por është më e mençur të kuptojmë se të gjithë ne do të jemi të prirur të bëjmë këta gabime, atëherë kur ndiejmë se na mungon kontrolli”, thotë Whitson. “Duhet të jemi gati t’i vlerësojmë më me mençuri supozimet që bëjmë”. Siç na e kanë treguar Churchilli, Turingu dhe Conan Doyle, edhe mendjet më të mprehta mund t’i jepen fantazisë herë pas here.
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button