Magazine

Psikologji – Pse fëmijët duhet të jenë të lirë të rrezikojnë

Shkenca tregon se lojërat aventurore (dhe “të rrezikshme”) ndihmojnë zhvillimin e fëmijëve. Megjithatë, ne e kemi të vështirë t’i lejojmë të eksperimentojnë.

Provoni të shoqëroni djalin apo mbesën tuaj në një kënd lojërash me një piramidë prej litarësh disa metra e lartë, vende ku të fshihen dhe ura të varura që lidhin pjesë të ndryshme të rrëshqitëses: sa minuta do të arrini të qëndroni pa i thënë të zbresë apo pa e paralajmëruar të bëjë kujdes?

Shkenca na tregon se mundësia për të marrë rreziqe të kontrolluara gjatë lojës – si ngjitja, kërcimi nga një lartësi më e madhe se zakonisht apo largimi nga vështrimi i të rriturit – ndihmon fëmijët të zhvillojnë koordinimin, vetëdijen për hapësirën dhe trupin e tyre, sigurinë në vetvete, ndjeshmërinë dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve. E megjithatë, prindërit dhe edukatorët ndihen shpesh të detyruar t’i mbrojnë të vegjlit nga çdo lloj rreziku – përfshirë edhe ato që mund t’i ndihmojnë të rriten.

NDAL RREZIKUN

Siç shpjegohet në një artikull të revistës Nature, kërkimet shkencore mbi përfitimet e lojës së rrezikshme kanë filluar më 1996, vit në të cilin Norvegjia miratoi një ligj për të minimizuar rreziqet e aksidenteve në ambientet publike për fëmijë. Disa vite më vonë, psikologia Ellen Sandseter, sot në Universitetin Queen Maud në Trondheim, vuri re se si pasojë e këtij ligji, edhe pse këndet e lojërave ishin bërë më të sigurta – me qoshe të rrumbullakosura dhe parmakë shtesë – ishin zhdukur thuajse të gjitha elementet aventurore të lojës, gjë që ajo e konsideroi shqetësuese. Kështu nisi të studionte efektet dhe përfitimet e lojës së rrezikshme te fëmijët nga 3 deri në 5 vjeç.

ÇFARË DO TË THOTË “E RREZIKSHME”?

Loja e rrezikshme përkufizohet si çdo lojë emocionuese që përmban pasiguri dhe rrezik, të vërtetë apo të perceptuar, për lëndim fizik apo humbje. Janë të tilla, për shembull, aktivitetet si ngjitja në pemë, ecja mbi gurë përtej një përroi, apo çdo veprim që ngjall një përzierje emocionesh dhe adrenaline. Por duhet dalluar rreziku nga rrezikshmëria: kjo e fundit përfshin situata që fëmijët nuk i kuptojnë dot dhe janë realisht të dëmshme – si ecja zbathur mbi copa xhami.

Koncepti i lojës së rrezikshme ndryshon me moshën: për njëvjeçarin, të ecë i vetëm është rrezik; për një trevjeçar, një kërcim nga një lartësi një metër është sfidë; për gjashtëvjeçarin, tjetër lloj rreziku.

QTë kesh mundësi të përballesh me lojëra aventurore është e rëndësishme si për fëmijët e tërhequr e të kujdesshëm, ashtu edhe për ata të guximshëm e plot energji. Siç shpjegon Sandseter: «Të gjithë fëmijët kanë nevojë të zgjerojnë kufijtë e tyre, dhe fëmijët e dëshirojnë këtë». Studimet shkencore tregojnë se loja aventurore ndihmon fëmijët të zhvillojnë vlerësimin e rrezikut, të përmirësojnë aftësitë e negociimit dhe empatisë (nëse luajnë me të tjerë), si edhe të forcojnë besimin në vetvete dhe aftësinë për të përballuar situata të vështira.

MË MIRË JASHTË

Loja aventurore në natyrë ndihmon gjithashtu në rregullimin e ankthit, pasi fëmijët mësojnë të njohin reagimet e trupit (zemra që rreh fort, frymëmarrja e shpejtuar, duart e djersitura) gjatë një situate të rrezikshme, dhe ndjejnë se ajo gjendje kalon kur janë sërish të sigurt. Duke përjetuar këtë cikël “lart-poshtë” disa herë në kushte të kontrolluara, fëmijët kuptojnë se adrenalina është kalimtare dhe se edhe stresi, si çdo gjë tjetër, kalon.

Helen Dodd, psikologe zhvillimore në Universitetin e Exeterit, në Mbretërinë e Bashkuar, testoi efektin e lojës në rregullimin e stresit gjatë muajit të parë të izolimit nga COVID-19 në vitin 2020. Fëmijët që kaluan më shumë kohë në lojëra aventurore, edhe brenda shtëpisë, treguan nivele më të ulëta ankthi dhe depresioni sipas raportimeve të prindërve. Loja aventurore rezultoi veçanërisht mbrojtëse për shëndetin mendor të fëmijëve nga familjet me të ardhura të ulëta.

Për shkak të natyrës së lirë të lojës, kërkimet për përfitimet e saj janë të vështira për t’u zhvilluar në mënyrë rigoroze. Një nga hipotezat kryesore është se lojërat aventurore i ndihmojnë fëmijët të përgatiten për situata të vështira në të ardhmen (p.sh. kur kalojnë një rrugë).

Duke qenë se nuk është etike të ekspozosh fëmijët ndaj rrezikut real për qëllime shkencore, një grup psikologësh në Universitetin e Kolumbias Britanike në Vancouver (Kanada) krijuan skenarë virtualë ku 500 fëmijë nga Kanadaja dhe Norvegjia mund të përjetonin situata të rrezikshme pa rrezik të vërtetë: kalime rrugësh, guxim për të kaluar një lumë nga një shkëmb në tjetrin apo eksplorim në një kënd lojërash virtual.

Prindërit e tyre plotësuan pyetësorë mbi sa shpesh fëmijët e tyre përfshiheshin në lojëra aventurore dhe prirjen e tyre për të kërkuar emocione të forta. Rezultatet ende nuk janë publikuar, por sugjerojnë se prindërit norvegjezë nuk janë kundër rrezikut dhe se fëmijët e tyre dinë ta menaxhojnë mirë.

Qëllimi i këtyre studimeve nuk është t’u thotë prindërve se po gabojnë me stilin e tyre edukativ, por të nënvizojë përfitimet e një qasjeje më pak të ngurtë ndaj lojës – ku fëmijët të kenë siguri të mjaftueshme, por jo “sigurinë maksimale”. Po ashtu, ambientet e lojës duhet të ofrojnë mundësi për lojë aventurore që minimizojnë rreziqet për sigurinë fizike.

Po si e dallon nëse një lojë është rrezik pozitiv apo thjesht rrezik i panevojshëm? Sipas një studimi të psikologes Mariana Brussoni nga Universiteti i Kolumbias Britanike, nëse fëmijët janë të përfshirë në një lojë “edukuese” me rrezik, ata përballen me sfida përtej aftësive të tyre aktuale me një shprehje të përqendruar, duken në kontroll të trupit dhe ecin me metoda provë–gabim. Nëse i shihni kështu, këshilla është të prisni pak më gjatë para se t’u thoni “jo” dhe të shikoni nëse ia dalin vetë. / bota.al

Back to top button