Alkimist. Kamxhiku i Djallit. Titani i shkencës. Si mund t’i ketë një person të tria këto cilësi në të njëjtën kohë. Isak Njuton është po aq i njohur sa edhe emri që mban. “Filosophiae Naturalis Principia Mathematica” libri i tij më i famshëm, botuar për herë të parë në vitin 1687, prezantoi ligjet e famshme të Njutonit për lëvizjen dhe gravitacionin universal.
Vepra e tij hodhi themelet mbi të cilat qëndron fizika moderne, dhe ai renditet ndër librat më të rëndësishëm në historinë e shkencës. Por “Principia” nuk ishte aspak përpjekja e vetme e Njutonit. Shkencëtari britanik bëri një punë të rëndësishme në fushën e optikës dhe llogaritjes, plus shumë më tepër. Dhe me “më shumë”, nënkuptojmë disa gjëra mjaft të çuditshme dhe të habitshme.
U përpoq ta kthente plumbin në ar
Mendja e palodhur e Njutonit, nuk kufizohej vetëm tek shkenca e vështirë. Ai studioi dhe kreu eksperimente të gjera në fushën e alkimisë, një degë e pseudoshkencës, praktikuesit e së cilës tentuan t’i shndërronin metalet bazë në ar ose argjend të çmuar, ndër shumë eksperimente të tjera.
Dokumentet e kohës të ruajtura deri më sot tregojnë se Njutoni kishte edhe një recetë për Gurin Filozofal, ose “Gralin e Shenjtë” të alkimisë. Kjo substancë u konsiderua si thelbësore për kthimin e plumbit në ar, shërimin e të gjitha llojeve të sëmundjeve dhe zbulimin e sekreteve të pavdekësisë. Mjerisht, asnjë nga përpjekje e tij në këtë fushë nuk pati sukses.Ishte puna e tij e vërtetë shkencore ajo që i garantoi pavdekësinë e një lloji tjetër.
Gati i bëri vetes një lobotomi
Ashtu si shumë shkencëtarë përgjatë historisë, Njutoni nuk e kishte problem të provonte idetë mbi veten e tij. Si pjesë e studimeve të tij mbi optikën, Njutoni mendoi se ishte e nevojshme të testonte se si ndikonte forma e syrit të njeriut në perceptimin e ngjyrës.
Kështu, ai futi një bodkin – një lloj gjilpëre e madhe dhe e mprehtë – midis qepallës së tij dhe syrit. Më pas ai e lëvizi atë duke e përdorur për të ushtruar presion mbi kokërdhokun e syrit. Ajo provë prodhoi vizione të rrathëve me ngjyra, por fatmirësisht nuk i shkaktoi Njutonit asnjë dëm afatgjatë.
Gati u verbua duke ia ngulur sytë Diellit
Njutoni vëzhgonte vazhdimisht Diellin. Ai kishte pozicionuar një pasqyrë për të reflektuar dritën e Diellit, ndërsa vetë qëndronte në një dhomë të errët,siç mund ta bëjë sot edhe një fëmijë 5-vjeç. Por të shohësh Diellin me sy të lirë për një kohë të gjatë rrezikon dëmtime të përhershme, madje edhe verbëri.
Por Njutoni pati sërish fat. Pavarësisht kryerjes së këtij eksperimenti disa herë, Njutoni vuajti vetëm një verbim i përkohshëm, kur për disa ditë me radhë shihte pika të shndritshme derisa u shërua. Por këto dhe vëzhgime të tjera i dhanë Njutonit informacione me rëndësi mbi studimet e tij mbi optikën dhe teorinë mbi dritën, dhe arritën kulmin me botimin e një tjetër prej veprave të mëdha dhe me ndikim të Njutonit në 1704 “Optika”.
Ai ishte tmerri i falsifikatorëve të parave
Pas botimit të “Principia”, Njutoni bëri një ndryshim të papritur në karrierë në vitin 1696.
Ai pranoi emërimin si gardian (dhe më vonë mjeshtër) i Gardës Mbretërore, e cila ishte përgjegjëse për garantimin e vlerës së monedhës. Njutoni shërbeu në këtë detyrë deri sa vdiq dhe e mori me shumë seriozitet atë, veçanërisht kur bëhej fjalë për falsifikuesit, të cilët i ndoqi me një zell të madh.
Pavarësisht moshës së madhe, Njutoni tregoi një iniciativë të jashtëzakonshme personale duke i nxjerrë keq–bërësit para drejtësisë. Ai depërtoi në botën e krimit; pyeti personalisht qindra të dyshuar dhe dëshmitarë; dhe thuajse i vetëm bëri të mundur dënimin e më shumë se 20 falsifikatorëve. Në atë kohë falsifikimi i parave, dënohej me vdekje, dhe Njutoni ishte i pamëshirshëm duke kërkuar dënim maksimal për shkelësit e ligjit.
Historia me mollën…
Nëse nuk mbani mend asgjë tjetër nga mësimet e shkollës mbi Njutonin, ndoshta ju kujtohet së paku historia kur Njutoni tha “Eureka”! Ideja e tij mbi gravitetin lindi në kohën kur ai ishte ulur nën një pemë molle. Legjenda thotë se një mollë u rrëzua nga pema dhe e goditi Njutonin në kokë, duke e nxitur atë të pyeste se pse molla do të binte në Tokë dhe jo në ndonjë drejtim tjetër.
Ajo ngjarje e çoi në idetë e shpjeguara më vonë në librin “Principia”. Edhe pse ndonjëherë hidhet poshtë si e trilluar, një version i kësaj ngjarjeje mund të ketë ndodhur vërtet. Në biografinë e tij të vitit 1752, “Kujtimet e jetës së Sër Isak Njuton“, Uilliam Stakli shkroihistorinë e treguar nga vetë Njutoni. Sipas atij versioni, molla nuk e goditi domosdoshmërisht Njutonin; ai thjesht e vuri re duke rënë në tokë. / Discover Magazine – Bota.al