Bota

Pushteti i fshehur

Ndërkohë që mediat e përmbytin publikun me një tepri lajmesh, për më tepër të kota dhe të padobishme, dhe grupet e opozicionit hidhen në grindje për çështje provinciale dhe mosmarrëveshje skolastike, tregjet dhe grupet e presionit i shtrëngojnë shtetet që të heqin dorë nga ajo që mbetet prej autonomisë së tyre

Screen Shot 2016-04-28 at 11.25.24

Nga MATTEO VOLPE

Disa ditë më parë, u mblodh në Romë Komisioni Trepalësh, një prej grupeve të presionit më me ndikim në nivel ndërkombëtar. Qëllimi i Trepalëshit është që të heqë të gjithë pengesat ndaj ndërkombëtarëzimit të vazhdueshëm të ekonomisë, si dhe të reduktojë pushtetin dhe fuqinë e shteteve. Grupi u prit madje edhe në Quirinale, me shumë elozhe nga Mattarella.

Ajo që ndodh në nivel “institucional” nuk duket shumë e ndryshme nga ato që bëjnë opozitat, edhe ato të cilave u pëlqen të shfaqin një fasadë “luftarake”. Deputeti i Pesë Yjeve, Di Maio është nisur në Londër, për të qetësuar Europën në lidhje me qëllimet e partisë së tij. Që në takimin me ambasadorët europianë kishte përjashtuar daljen e Italisë nga euro, një temë kjo e përdorur në të kaluarën nga deputetë të Pesë Yjeve, sipas nevojave të sondazheve. Nuk është më pak deputeti tjetër, Salvini, që ka fluturuar pë në Izrael, duke përhapur elozhe për “pushtuesit” e shtetit hebraik, duke harruar procesin e kolonizimit të shpronësimeve në Palestinë.

Cilido politikan italian, sidomos nëse aspiron për role të rëndësishëm në qeveri, përpiqet të akreditohet pranë fuqive botërore dhe kapitalit të madh. E gjitha për të siguruar dhe qetësuar të “moderuarit”, se ata nuk janë kaq “ekstremistë” si përshkruhen, se nuk kanë për qëllim t’u shpallin luftë fuqive ekonomike dhe të rikërkojnë një sovranitet real, i cili mund të shërbejë vetëm si trampolinë, gjysma për të tërhequr një elektorat të zhgënjyer, të shkëputur dhe në thelb të paaftë për të imagjinuar një shoqëri të ndryshme.

Ndërkohë që shtypi dhe televizioni vazhdojnë të injorojnë këta fakte, a thua parlamentet dhe qeveritë janë ende vendet ku merren vendime, Obama përpiqet të bindë Francën dhe Gjermaninë që “të vihen në lëvizje” dhe të ratifikojnë me shpejtësi dhe pa shumë pretentime, Marrëveshjen Transatlantike TTIP, e cila zhvesh shtetet dhe të gjithë entet publike nga ajo që mbetet prej funksioneve të tyre.

Qeveria italiane flet për një vendim-marrje që nuk e zotëron. I gjithë pushteti i saj qëndron në komunikimin e vendimeve, të marra tashmë gjetkë. Marrëveshjet europiane u lënë qeverive (e sidomos qeverisë italiane, ndaj të cilës Gjermania kushton vëmendje të veçantë) pothuaj asgjë. Përtej Marrëveshjeve (që janë ana “zyrtare”), ka një seri të tërë presionesh dhe dokumentesh të “think tank”-eve të ndryshme, ku qeveritarët thirren të marrin pjesë, nëse dëshirojnë që të shmangin një fushatë mediatike të disfavorshme në rastin më të mirë, dhe një “grusht” në më të keqin (si ai që zëvendësoi Berluskonin me Montin). Borxhi publik është gogoli që përdoret si armë shantazhi, sa herë që një qeveri shfaqet shumë “autonome”.

Partitë e opozitës janë dispozitivë elektoralë që përshtasin një objektiv të ndryshëm nga ai i partive në qeverisje. Një rebelizëm joreflektues, një apel konfuz për pakënaqësinë e opinionit publik, polemika për çështje specifike, shpesh herë dytësore dhe tërësisht pa ndikim dhe një pranim në themel, total dhe pa rezerva, i sistemit të shoqërisë që është imponuar prej kapitalizmit fleksibël.

Këto opozita mobilizojnë opinionet publike (domethënë atë konsensus të nxitur dhe manipuluar prej mekanizmit përzgjedhës të informacionit) për temat “e shfryrjes”, shumë pak përcaktuese në dinamikat dhe në konfliktet e shoqërisë, por ku kanalizohet irritimi i përgjithshëm. Pak rëndësi ka që këto tema janë kasta e uritur e deputetëve, apo turmat e klandestinëve që zhysin qytetet në kaos. Politika nuk vendos më asgjë, por jo sepse, si duan të na thonë brohoritësit e “modernizimit”, është mbështjellë prej avashllëkut burokratik dhe oportunizmit të përfaqësuesve (ky i fundit është vetëm pasojë dhe jo shumë e rëndë), por sepse politika është e privuar nga çfarëdolloj pushteti, i cili në mënyrë integrale transferohet tjetërkund; tek tregjet, të cilët shtetet duhet t’i lajkatojnë e t’u bëjnë temena, si dhe një tekno-burokraci mbikombëtare.

L’Intelletuale dissidente – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button