Analiza

Putin dhe Rusia, 15 vjet më vonë

Nga Steve Rosenberg
BBC News

Putini mbetet ende mjaft popullor, me një nivel pëlqyeshmërie që avitet diku tek 85 përqindëshi. Një popullaritet ky, që shumica e politikanëve perëndimorë, vetëm mund ta ëndërrojnë. Por kjo shkallë e lartë suksesi do të jetë shumë e vështirë për t’u ruajtur në kushtet e një reçesioni. “Nëse ka një katastrofë të vërtetë ekonomike, përgjegjësia për të, do të bjerë mbi Putinin” – parashikon Vladimir Pozner. “Dhe ai do të shndërrohet shumë shpejt nga hero, në një hiç”

putin Jelcin

Ishte Viti i Ri 1999. Ndërsa rusët ishin duke u përgatitur për të kremtuar agimin e një mijëvjeçari të ri, presidenti i tyre, ishte duke përgatitur një njoftim të papritur. “Këtë që do të them tani, e kam menduar gjatë, duke e patur shumë të vështirë”- deklaroi Jelcini, gjatë urimit tradicional për Vitin e Ri, në televizionin shtetëror. “Sot, në ditën e fundit të shekullit që po largohet, unë kam vendosur të jap dorëheqjen”. Njeriu që Boris Jelcini, zgjodhi për ta pasuar në detyrën e kryeministrit ishte Vladimir Putini.
Në momentin që po linte Kremlinin, thuhet se Jelcini i tha shkurt Putinit: “Kujdesuni për Rusinë”. Natyrshëm lind pyetja: A u kujdes vërtetë Putin për vendin tij?
“Jelcini duhet t’i kishte thënë Putinit: “Pastro rrëmujën time!” – thotë gazetari i vjetër rus Vladimir Pozner. “Në kohën kur ai u largua nga pushteti, Rusia ishte një “thertore” e vërtetë. Në një masë të caktuar, Putini “pastroi” realisht disa gjëra. Psh. qeveritarët lokalë nuk u sollën më si çifligarë, që të mund të bënin çdo gjë që donin. “Reformat tentuan të sjellin më shumë stabilitet, për t’i bërë njerëzit të ndjehen më të sigurt, se ata do të kenë një punë nesër”.
Stabiliteti dhe pasuria
Pas kaosit total të viteve ‘90, Vladimir Putin, një ish-oficer i KGB-së, solli më shumë se stabiliteti që kërkohej. Ai nxiti gjithashtu një shkallë zhvillimi ekonomik. “Katër vitet që punuam së bashku, ishte një periudhë e reformave të mëdha” – kujton ish-kryeministri, Mikhail Kasjanov.
“Mes viteve 2000-2004, ne arritëm që të nxjerrim Rusinë, nga kriza e rëndë tek një rritje e qëndrueshme ekonomike, me një normë të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 6-7 përqind në vit. Ndërkohë që edhe të ardhurat e njerëzve, u rritën mesatarisht me nga 15 përqind në vit”.
“Mirëqënia e familjeve, veçanërisht në qytetet e mëdha, tani është shumë më e mirë. Por kjo nuk i dedikohet zotit Putin. Ishte çmimi i naftës, ai që shpëtoi popullin” – shton Kasjanov. Gjatë mandatit të tij të parë si president, Vladimir Putin, u përpoq të mbante lidhje të ngushta me Perëndimin. Në një intervistë dhënë BBC-së, në vitin 2000, ai madje nuk përjashtoi mundësinë, që një ditë Rusia mund t’i bashkohej NATO-s.
Por në vitet që pasuan, lideri i Kremlinit u zhgënjye gjithnjë e më tepër me “aleatët” e tij perëndimorë, veçanërisht me SHBA-në. Ai e denoncoi atë që e cilësoi, si një përpjekje perëndimore, për të dobësuar Rusinë dhe dhunuar “sferën e saj të ndikimit”. Ai akuzoi Departamentin Amerikan të Shtetit, se kishte financuar e protestat e opozitës kundër qeverisë e që përfshinë kryesisht Moskën, gjatë viteve 2011-2012.
Këto protesta patën një ndikim të fortë tek Vladimir Putini. Ai e ndjente veten të tradhëtuar. “Putin kishte bërë një pakt me klasat e mesme: besnikëri e plotë ndaj tij, në këmbim të lirisë së tyre personale” – deklaron shkrimtari rus Viktor Erofeyev.
“Papritmas ata njerëz filluan, të kthehen kundër tij, si fëmijët ndaj prindërve të tyre. Ai ishte i poshtëruar”. Perëndimi e poshtëroi atë edhe më shumë, sepse filloi të duartrokasë këta fëmijë. Putin ishte i tërbuar. “Dhe kur, nga perspektiva e tij, Perëndimi filloi të ‘rrëmbejë’ Ukrainën, ai tha jo. Kjo shkaktoi një stuhi, jo shiu por gjaku”.
Dëmet nga sanksionet
Pati sigurisht dhe një stuhi ekonomike. Sanksionet perëndimore, rezultat i drejtpërdrejtë i vendimit të Vladimir Putinit për aneksimin e Krimesë, dhe i ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainën Lindore, e kanë çuar Moskën në prag të recesionit ekonomik. Muajin që lamë pas, një gazetë moskovite shkruante se ngjarjet e fundit, kanë dëmtuar rëndë imazhin që Putin gëzonte në vend, si një “magjistar i plotfuqishëm”. Por nëse presidenti Putin është duke humbur “magjinë” e tij, a ka ndodhur kjo sepse pushteti është “zhdukur” nga koka e tij? “Pas 15 vitesh në pushtet, do të ishte e çuditshme, nëse kjo nuk do të ndodhte” – thotë Vladimir Pozner. “Kur ju jeni një monark, kur veproni brenda këtij rregjimi, atëherë kjo gjë nuk ju shkon ndërmend”. Por kur vjen nga askund, dhe Putin është një rast i tllë, kur ju jeni një president shumë i suksesshëm, kur e gjeni veten në kopertinën e revistave prestigjioze si “Time”, ku jeni numri 1 në revistën “Forbes”, dhe kur rrethoheni nga psikopatë që ju thonë gjithë ditën e zotit, se ju jeni një gjeni, si mundet që të ide e tillë të kalojë nëpër kokën tuaj?”. Sipas kushtetutës ruse, Vladimir Putin, ka të drejtë të kandidojë për president përsëri në vitin 2018, dhe kësisoj të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2024. Kjo mundësi nuk mund të përjashtohet kurrësesi.
Mbetet gjithësesi popullor në Rusi
Pavarësisht problemeve të shumta që ka aktualisht Rusia, Putini mbetet ende mjaft popullor, me një nivel pëlqyeshmërie që avitet diku tek 85 përqindëshi. Një popullaritet ky, që shumica e politikanëve perëndimorë, vetëm mund ta ëndërrojnë. Por kjo shkallë e lartë suksesi do të jetë shumë e vështirë për t’u ruajtur në kushtet e një reçesioni. “Nëse ka një katastrofë të vërtetë ekonomike, përgjegjësia për të, do të bjerë mbi Putinin” – parashikon Vladimir Pozner. “Dhe ai do të shndërrohet shumë shpejt nga hero, në një hiç”. Putin, mori pjesë para pak kohësh, në një paradë ushtarake në Serbi, me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit Beograd, nga Ushtria e Kuqe. Presidenti rus, ka mbajtur një qëndrim tejet të ashpër kohët e fundit, në arenën ndërkombëtare dhe rënia e tij mund të jetë e papritur. “Me sa kemi mësuar nga historia ruse, ndryshimet do të vijnë, jo nëpërmjet revoltave apo revolucionit, por përmes një lloj komploti në Kremlin ose diku aty rrotull” – thotë Viktor Erofeyev. Një komplot i lidhur me vdekjen e udhëheqësit, shëndetin e dobët të tij apo një falimentim zyrtar të ekonomisë. Erofeyev, beson se është tepër vonë për Vladimir Putinin, që të ndryshojë politikat apo personalitetin e tij. “Unë nuk mendoj se ai mund të ndryshojë. Pas aneksimit të Krimesë dhe luftës aktuale të përgjakshme në Ukrainë, është e pamundur për të, që të ndryshojë. “Askush nuk do të besojë atë, as klasat e mesme në Moskë, as Perëndimi. Ndoshta atë nuk do ta besojë më edhe vetvetja”.
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button