Analiza

Putini dhe gënjeshtrat e tij

Screen Shot 2015-06-22 at 09.30.23

Nga Leonid Bershidsky

Fjalimi kryesor i presidentit rus Vladimir Putin, në Forumin Ekonomik të Shën Petersburg, që u mbajt këtë të premte, mezi po pritej, sikur të ishte mesazhi i tij më i rëndësishëm ekonomik i vitit. Por cilindo që pret nga Putini, të zbulojë një lloj plani që ka të bëjë me masat kundër krizës ekonomike në vend, duhet të zhgënjehet rëndë.

Kriza? Çfarë krize? Duke patur parasysh ecurinë ekonomike të Rusisë, pjesa dërrmuese e fjalimit të shefit të Kremlinit ishte një komedi stand-up e klasit të parë. “Kërkesa konsumatore, që përdoret për të shtyrë përpara ekonominë, ka rënë pak, gjithashtu”–tha Putin mbi rënien me 7.7 përqind të vëllimit të shitjes me pakicë nga janari në maj, e cila përfshinte rënien më të theksuar për muajin janar, në të paktën 10 vitet e fundit.

BKT

“Ne kemi mbajtur nën kontroll inflacionin”- tha më tej Putin. “Po, inflacioni u rrit për shkak të zhvlerësimit të rublës, por tanimë kjo tendencë po shkon në rënie”. Më pas, ai vazhdoi të japë shifra nga muaji në muaj për inflacionin, i cili ra nga 3.9 përqind në muajin janar në 0.4 përqind në maj.

Por Putin, la pas dore faktin se çmimet e konsumit të gjerë janë rritur deri me 8.3 përqind, që prej fundit të dhjetorit të vitit të kaluar, dhe se ndërsa rritja e çmimeve është ngadalësuar, kjo është ndoshta pasojë e rënies së kërkesës, dhe jo për shkak të ndonjë mase qeveritare, me përjashtim mbase të stabilizimit të kursit të këmbimit.

Putin u mburr në lidhje me madhësinë e fondeve rezervë të qeverisë së tij, më shumë se 150 miliardë dollarë, pa përmendur megjithatë se shumica e këtyre parave, tashmë janë rezervuar për kompanitë e mëdha shtetërore, të cilat kanë humbur qasjen në tregjet e kapitalit perëndimor, për shkak të sanksioneve ekonomike.

Ai u mburr për shkallën e papunësisë, që është më e ulët se gjatë krizës financiare 2008-2009, pa treguar se ajo ishte 5.6 përqind në muajin maj, nga 4.9 përqind një vit më parë. Ai shmangu të komentojë rënien e theksuar të prodhimit industrial, që është reduktuar çdo muaj që prej shkurtit të këtij viti, ndërsa qëllimisht nuk e përmendi faktin, se prodhimi i industrisë së manifakturave është ulur me 4.1 përqind nga janari i këtij viti.

Por ai u ndal në pak fusha, në të cilat prodhimi është rritur falë ndalimit të importit të shumë ushqimeve perëndimore, vendim që ka filluar të zbatohet që nga viti i kaluar, si kundërpërgjigje e sanksioneve ekonomike. Rusia tani prodhon shumë më tepër djathë, mish, gjalpë dhe peshk – për shkak se këto produkte nuk mund të importohen më.

Por edhe pse prodhohen në vend, çmimet e këtyre ushqimeve, janë rritur në përputhje me inflacionin. “Po, sigurisht, ne kemi ende shumë për të bërë në këtë drejtim”- u shpreh thatë Putin. Në fakt, të enjten, një zyrtar i lartë i Ministrisë ruse të Bujqësisë, tha se qeveria ka në plan të zgjerojë embargon ndaj çokollatave të huaja. “Unë po e përsëris se ne nuk jemi duke iu përgjigjur kufizimeve të jashtme, duke e mbyllur ekonominë tone. Ne po kundërpërgjigjemi, duke e zgjeruar lirinë, dhe rritur transparencën e Rusisë”—nënvizoi presidenti rus.

Sipas Putin, investitorët e huaj e pranojnë këtë linjë dhe zgjedhin Rusinë, si një destinacion investimi. “Vetëm vitin e kaluar”- tha ai, “60 kompani me kapital të huaj, filluan investimet në Rusi”. Sipas bankës qendrore, investimet e huaja direkte në Rusi, kanë rënë me 3.3 pikë në krahasim me vitin 2014, në vetëm 20.9 miliardë dollarë, thuajse po aq sa Angola apo Pakistani.

Putin nuk ka pse ta luajë këtë lojë. Të dhënat janë në dispozicion për të gjitha palët e interesuara, dhe çdo investitor potencial mund të përcaktojë vetë, nëse gota është gjysmë bosh apo gjysëm plot. Edhe pse ekonomia po ecën më mirë se cilido mund ta parashikonte në fund të vitit të kaluar, kur rubla ishte në rënie të lirë dhe rezervat ndërkombëtare të Rusisë u shkrinë, Guvernatorja e Bankës Qendrore të Rusisë, Elvira Nabiullina, deklaroi kohët e fundit se rënia ekonomike nuk ka përfunduar ende ciklin e vet.

Pavarësisht nga kjo, udhëheqësi rus zgjodhi të japë një tabllo rozë, që cilido analist që ka respekt për veten, nuk do të mund ta blejë. Kjo përpjekje për t’i ikur realitetetit, është karakteristike e daljeve të fundit publike të Putinit:Është sikur ai të përpiqet si me magji, që nga ajri i hollë të nxjerrë botën që do të donte të shihte.

Ai sigurisht, që nuk po përpiqet të ndryshojë realitetin e tmerrshëm në vend:Ai nuk u ofroi investitorëve asnjë politikë të re, që mund të bëjë Rusinë më tërheqëse, përveç premtimeve boshe për rëndësinë e bizneseve të vogla dhe të mesme, dhe duke vënë theksin tek mundësitë e krijuara nga heqja e taksave në Lindjen e Largme të Rusisë. Shtrembërimet e Putinit, ishin po aq të dukshme në sesionin e pyetje përgjigjeve, me moderatorin e njohur televiziv Çarli Rouz, duke shërbyer më shumë si intervistues sesa në rolin e vet natyral. Shumica e pyetjeve të tij ishin rreth gjeopolitikës, ndërsa Putin thjesht përsëriti përgjigjet e njohura: Perëndimi ka shkelur mbi interesat e Rusisë, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, kriza në Ukrainë nuk ishte vepër e tij, rusët dhe ukrainasit janë një komb, dhe se e gjithë çka ai dëshiron, është që vendi i tij të respektohet dhe jo poshtërohet në arenën ndërkombëtare.

Ndoshta Putin merr të njëjtat pyetje, sa herë që një gazetar jo-rus ka shansin për të biseduar me të, sepse intervistuesit shpresojnë se do të ndodhë diçka e papritur, dhe presidenti rus do të zbulojë synimet e tij të vërteta. Ai e ka bërë tashmë këtë – herë pas here. Putin dëshiron një botë, në të cilën Rusia sundon në lagjen e vet dhe ku nuk mërzitet kurrë mbi çështjet e tregtisë ndërkombëtare dhe të sigurisë, dhe ai do të jetojë në këtë botë, pavarësisht nga ajo që të tjerët thonë apo bëjnë.

Burimi: “Bloomberg View”

Në shqip nga: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button