AnalizaMAIN

Putini dhe Polonia: Reflektime mbi kufirin final të Evropës

Monica Perosino

Nëse ka pasur një moment dhe një vend kur Polonia kuptoi se bota, ashtu siç e njihnim, ishte gati të ndryshonte, ai ishte gushti i vitit 2021, në pyllin Białowieża, në kufirin me Bjellorusinë.

Papritur, nga hiçi, mijëra migrantë nisën të futeshin në vend, të shtyrë nga rojet bjelloruse, të bllokuar nga forcat polake dhe të ngujuar për javë të tëra në të ftohtin e pyllit të fundit parahistorik të Evropës. Atëherë autoritetet në Varshavë folën për herë të parë për një përshkallëzim të luftës hibride të Rusisë kundër Polonisë.

Por bota asokohe nuk kishte ende asnjë ide se vetëm disa muaj më vonë Rusia do të pushtonte Ukrainën, dhe vëmendja ishte përqendruar mbi 142 migrantët që ngrinë për vdekje — si dhe mbi mosbesimin e hershëm të Polonisë ndaj Rusisë.

Sot e dimë se kjo ishte një krizë e sajuar dhe e manipuluar nga vasali i presidentit rus Vladimir Putin, presidenti bjellorus Aleksandr Lukashenko, i cili ndërkohë po grumbullonte trupa dhe burime përpara “operacionit special.” Dhe sot e dimë gjithashtu se Varshava kishte të drejtë kur ngriti alarmin për agresionin rus. “Të gjitha vendet që kufizohen me Rusinë kanë një sizmograf më të ndjeshëm. Ne e ndiejmë rrezikun të parët. Nëse Rusia sulmon, ne jemi të parët në radhë. Prandaj jemi më vigjilentë,” shpjegoi shkrimtari Witold Szabłowski.

Në vijën e parë gjeografike

Që prej 24 shkurtit 2022, Polonia është shndërruar në pararojën e Evropës kundër agresionit të Putinit. Jo vetëm sepse ndan një kufi prej 535 kilometrash me Ukrainën dhe mbi 400 kilometra me Bjellorusinë, aleatin ushtarak të Moskës. Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Varshava ka jetuar sikur të ishte tashmë në luftë, edhe pse pa tanke nëpër rrugë. Në vijën e parë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe ushtarakisht.

Inkursioni me dron në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 10 shtator, është thjesht i fundit — megjithëse më i rëndi — sulm ndaj aleatit kryesor të Kievit. Çdo ditë, thonë shërbimet e sigurisë, polakët vuajnë pasojat e luftës hibride të Rusisë: sulme kibernetike, sabotazhe, dronë të pakontrolluar dhe propagandë.

Në vitin 2022, menjëherë pas pushtimit, Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike “Cert Polska” regjistroi mbi 29,000 incidente serioze kibernetike — një rritje prej 70% krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2023 shifra u rrit përsëri, ndërsa në vitin 2024 Varshava raportoi të paktën 15 akte sabotazhi të lidhura me inteligjencën ruse: zjarre në magazina logjistike, prishje të linjave hekurudhore që çonin drejt Ukrainës, madje edhe sulme mbi infrastrukturën energjetike.

Më 18 mars 2024, një depo karburanti në Vroclav shpërtheu në flakë, dhe në Varshavë të gjithë e mbajnë mend ende zjarrin në qendrën tregtare Marywilska 44, në maj 2024: 1,400 dyqane dhe një megastrukturë e tërë u rrafshuan. “Një akt terrorist rus,” përfundoi hetimi.

Fqinji i rrezikshëm

Dhe pastaj janë dronët. Në fund të gushtit 2025, dy UAV rusë u rrëzuan mbi Podlaskie, pranë kufirit me Bjellorusinë. Nuk ishte hera e parë: që nga shkurti 2022, Varshava ka raportuar 20 shkelje të hapësirës ajrore. “Një akt agresioni,” tha Donald Tusk, i cili në shtator shpalli mbylljen e përkohshme të kufirit me Minskun.

Të jesh bastioni i parë i Perëndimit do të thotë gjithashtu të japësh më shumë se kushdo tjetër. Që prej vitit 2022, Polonia i ka dhënë Ukrainës më shumë armë, në raport me PBB-në, sesa çdo vend tjetër evropian. Sipas Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, Varshava ka transferuar pajisje ushtarake me vlerë mbi 4 miliardë euro: më shumë se 350 tanke, përfshirë Leopard 2, PT-91 dhe T-72; gati 300 mjete të blinduara; dhe mbi njëqind pjesë artilerie. Pa përmendur municionin dhe raketat.

“Një investim në sigurinë tonë,” përsërit ministri i Mbrojtjes Radosław Sikorski, i cili shpesh tingëllon i lodhur duke u kujtuar të gjithëve se mbështetja për Kievin dhe rezistenca ndaj agresionit rus janë tani të ngulitura në ADN-në e Polonisë.

Një kërcënim ekzistencial

Në asnjë vend tjetër evropian mosbesimi ndaj Rusisë nuk është aq i thellë sa në Poloni. Nuk është thjesht çështje politike, por edhe kujtese historike. Polonia ka qenë gjithmonë tokë pushtimesh.

Në shekullin e 17-të ajo u sundua nga carët; në shekullin e 18-të u fshi nga harta përmes ndarjeve; në shekullin e 19-të u shtyp dhe u rusifikua. Çdo brez ka pasur traumën e vet nga Moska.

Shekulli i 20-të e konfirmoi këtë: lufta e vitit 1920, pakti Molotov-Ribbentrop, Katyni, ardhja e Ushtrisë së Kuqe në vitin 1945 — pasuar nga një tjetër pushtim që zgjati deri në vitin 1989. Edhe tragjedia e Smolenskut në vitin 2010 i rihapi plagët dhe dyshimet.

Për Varshavën, Rusia nuk është një partner përballë në tryezë, por një kërcënim ekzistencial. Kjo është arsyeja pse sot ajo është kryeqyteti më antirus në Evropë: mbështet Kievin, investon më shumë se 3% të PBB-së në mbrojtje, mbyll kufijtë dhe ngre barriera. E bindur se sapo të bjerë Ukraina, do të vijë radha e saj.

Hija e Orbánit

Kufiri është gjithashtu politik, një lidhje me vendet që ndajnë të kaluarën sovjetike, si shtetet baltike. Por blloku i Vishegradit nuk është më i bashkuar: me Hungarinë e Viktor Orbán-it që mban lidhje të ngushta me Moskën, Varshava ka marrë rolin e avokatit të Ukrainës në BE, duke shtyrë për zgjerimin me Ukrainën dhe Moldavinë dhe duke mbështetur financim më të madh të përbashkët të mbrojtjes.

Marrëdhëniet me Pragën dhe Bratislavën mbeten të paqëndrueshme. Boshti natyral është me shtetet baltike dhe Gjermaninë, pavarësisht mosbesimit të mbetur. Edhe me tensionet midis kryeministrit Tusk dhe presidentit të ri Nawrocki, ndjenja e kërcënimit e mban shoqërinë të bashkuar.

Polonia synon të investojë 4% të PBB-së në mbrojtje deri në vitin 2026. Ajo ka nënshkruar kontrata miliardëshe me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara për tanke të reja, sisteme Patriot dhe avionë. Një program riarmatimi që Tusk e quan “garanci mbijetese” dhe që po e shndërron Poloninë në fuqinë më të madhe tokësore ushtarake të Bashkimit Evropian. / world crunch – bota.al

Back to top button