Analiza

Putini në Amerikën Latine. Jo vetëm për Botërorin

putini south americaKaraibe-Argjentinë-Brazil. Në udhëtimin në Amerikën e Jugut Putini synon të përmirësojë pozicionin e Rusisë në botë dhe kërkon aleanca më të ngushta në Amerikën Latine.

Ndalesën e tij të parë, kryetari i shtetit rus do ta bëjë në Havanë, ku do të takojë ish-kryetarin e shtetit Fidel Castro si dhe vëllanë e tij, Presidentin Raúl Castro, pastaj ai do të vizitojë presidenten e Argjentinës, Cristina Kirchner në Buenos Aires dhe më pas do të shkojë në Brazil. Shkas i udhëtimit të tij është finalja e Kampionatit Botëror në Rio de Janeiro, ku ai do të marrë zyrtarisht të drejtat e organizimit për Kampionatin e ardhshëm Botëror pas katër vjetësh në Rusi, si dhe takimi i nivelit të lartë të BRICS, i cili fillon më 15.07.2014 në verilindje të Brazilit, në Fortaleza.

Më e vonta që prej fillimit të krizës së Ukrainës, Putinit nuk i mjaftojnë më partneritetet klasike, ai kërkon më shumë ose marrëdhënie më të shtrira gjeografikisht, thotë Margarete Klein nga Fondacioni Shkenca dhe Politika në Berlin. Partnerë në Amerikën Latine dhe në vende të tjera të botës do ta forconin pozicionin e Rusisë në konflikt dhe në përgjithësi në hartën botërore.

Falje borxhesh dhe projekte infrastrukturore në Kubë

Udhëtimi ka vlerë të madhe simbolike, por jo vetëm kaq. Veçanërisht ndalesa e parë e Putinit në Kubë ka rëndësi strategjike për Rusinë, beson politologu Victor Mijares, i cili bën kërkime në Institutin GIGA në Hamburg. “Putini kërkon ta freskojë aleancën me Kubën dhe do ta bëjë këtë me siguri jo vetëm për shkak të afërsisë ideologjike të të dyja vendeve”. Zmadhimi i Kanalit të Panamasë, planet për një kanal tjetër nëpër Nikaragua, zgjerimi i portit kubanez Mariel, i cili duhet të zgjerohet për transportin ndërkombëtar të mallrave dhe hapja ekonomike e Kubës e bëjnë shtetin ishullor të Karaibeve gjithmonë e më interesant si pikënisje strategjike: “Ka edhe shumë vende të tjera që duan të afrohen me Kubën – përpara se SHBA ta shfrytëzojnë më fort përparësinë gjeografike”, shpjegon eksperti Mijares.

Një masë tjetër konkrete e Rusisë, për t’i bërë miq kubanezët u rregullua që para nisjes së Putinit: falja e borxheve prej 23 miliardë eurosh. Këto janë 90 përqind e të gjitha borxheve që kishte Kuba tek rusët. Dhjetë përqind që mbetën Kuba mund t’i kthejë për 20 vjetët e ardhshëm. Përmes faljes së borxheve u hap sërish rruga edhe për kredi ruse ndaj kubanëve. Putini dhe delegacioni i tij kanë përgatitur dhe marrë me vete marrëveshje në fushën e energjisë, qarkullimit, transportit ajror, udhëtimit në hapësirë dhe shëndetësisë. Dy sipërmarrje ruse kanë nënshkruar tashmë marrëveshje me Kubën, të cilat u lejojnë atyre të ngrenë depo në bregdetin e Kubës.

Linku original: http://www.dw.de/putini-n%C3%AB-amerik%C3%ABn-latine/a-17780328

Leave a Reply

Back to top button