Covid19

Qasja dritëshkurtër dhe vetë-shkatërruese e Evropës, ndaj Covid-19

Nga David McNair

“European Council on Foreign Relations”

Skenari që kishin paralajmëruar prej kohësh epidemiologët tashmë është një realitet. Shfaqja e variantit Omicron, të cilin një ekspert e përshkroi si “të tmerrshëm”, është rezultat i pashmangshëm i segmenteve të popullatave të pa vaksinuara në pjesëve të mëdha të popullsisë globale, gjë që i ka dhënë mundësi Covid-19 të pësojë mutacione të reja, duke u bërë akoma më shumë virulent.

Pasojat e variantit Omicron, që u zbulua nga shkencëtarët e Afrikës së Jugut, janë të paqarta, përfshirë edhe çështjen nëse ai e ka vërtet origjinën nga Afrika. Por studimet e hershme tregojnë se ai përmban 50 mutacione, disa prej të cilave mund ta ndihmojnë të shmangë sistemin imunitar të trupit, t’i rezistojë vaksinave ekzistuese, dhe të përhapet më shpejt se sa variantet e mëparshme.

Kur u bë publik lajmi mbi Omicron, tregjet globale shënuan rënien e tyre më të madhe në 1 vit. Afrika e Jugut po përjeton një valë të katërt të pandemisë. Rastet janë dhjetëfishuar brenda javës, ndërsa varianti i ri është shfaqur në më shumë se 50 vende, duke prekur çdo komb të Evropës Perëndimore.

Por në vend se të ndjekin të dhënat shkencore, vendet evropiane kanë miratuar ndalimin e plotë të udhëtimeve që synojnë kryesisht vendet e Afrikës Jugore. Ky vendim “bie erë racizmi dhe ksenofobie”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë i Ganës, Kwaku Agyeman-Manu. Ndërkohë presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, ka bërë thirrje për shfuqizimin e menjëhershëm të kësaj mase, që i jep një goditje industrisë së turizmit në rajon, pikërisht në një periudhë shumë të vështirë.

Por ky varianti i ri ka nxjerrë në qendër të vëmendjes një problem më të madh. Kur po mbushen gati 2 vjet nga shfaqja për herë të parë e Covid-19 në Wuhan të Kinës, dhe kur zyrtarisht kanë vdekur mbi 5 milionë njerëz (vlerësime të besueshme flasin për deri 17 milionë), nuk ka ende një përgjigje të koordinuar globale ndaj krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike.

Përkundrazi, qeveritë kanë pasur një qasje të pjesshme, që po vë në pozitë vendet e pasura dhe të fuqishme kundër atyre të cenueshme. Vendet e G7-ës kanë dështuar të përmbushin angazhimet e tyre për t’ua dhënë të tjerëve vaksinat që morën nga qershori i këtij viti.

Një tabelë e re e publikuar nga organizata ime, tregon se Bashkimi Evropian ka shpërndarë vetëm 22 për qind të dozave që ka premtuar për vendet më të brishta. Franca dhe Italia, kanë mbajtur më pak se 1/3 e premtimeve të tyre, ndërsa Britania dhe Gjermania kanë përmbushur respektivisht vetëm 16 për qind dhe 12 për qind të angazhimit të tyre.

Vetëm 3.4 për qind e popullsisë së vendeve me të ardhura të ulëta janë plotësisht të vaksinuara. Vendet e pasura, ku 70 për qind e qytetarëve janë plotësisht të vaksinuar, kanë administruar 6.5 herë më shumë doza përforcuese të vaksinës, sesa numri i vaksinave të para në vendet më të varfra.

Për sa kohë që virusi mund të përhapet tek një pjesë e madhe e popullsisë së botës, ai do të ketë shumë mundësi për të pësuar mutacione. Ky rrezik vetëm sa rritet nga shkalla e lartë e të sëmurëve me HIV/AIDS në Afrikë, sëmundje e cila e dobëson shumë sistemin imunitar.

Laurie Garrett, kolumniste në “Foreign Policy”, shkroi: “Nëse njerëzimi do të donte t’i jepte koronavirusit një mundësi të artë për të qarkulluar, përshtatur dhe evoluar … duke marrë një formë që i kërcënon të gjithë -njëlloj si të pasurit dhe të varfrit – nuk mund të bënte më mirë sesa të injoronte rreth 38.7 milionë njerëz që jetojnë me HIV, sidomos rreth 10 milionë njerëz që mbeten të patrajtuar, dhe ku shumica e tyre banojnë në Afrikën Sub-Sahariane”.

Ndërkohë, pasojat ekonomike kanë qenë shumë të rënda. Në janar të këtij viti, një grup ekonomistësh të porositur nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, llogaritën efektet ekonomike të një sërë skenarësh, në të cilët vendet e pasura vazhdojnë të grumbullojnë vetëm për vete furnizimet me vaksina.

Në skenarin e tyre ekstrem, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit do t’i kushtonin 9 trilionë dollarë ekonomisë globale. Gjermania do të mbante 79 miliardë dollarë, Franca 54 miliardë dollarë, dhe Italia 43 miliardë dollarë të kësaj barre. Ky skenar është tashmë një realitet.

Çdo qytetar në këto vende mund të ishte 800 dollarë më mirë këtë vit, nëse shpërndarja e vaksinave do të kishte qenë më e drejtë. Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se varianti Omicron mund të sabotojë rimëkëmbjen ekonomike globale.

Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, zyrtarja e lartë e Rezervës Federale, Loretta Mester, paralajmëron se varianti i ri kërcënon të shkaktojë rritjen e mëtejshme të inflacionit, edhe pse tani është në nivelin më të lartë në 3 dekadat e fundit.

Kjo qasje miope ndaj menaxhimit të pandemisë ka pasoja serioze gjeopolitike, në një kohë të konkurrencës në rritje për ndikim në Afrikë. Muajin e kaluar, kur po përhapeshin lajmet mbi Omicron, presidenti kinez Xi Jinping njoftoi në Forumin për Bashkëpunimin Kinë-Afrikë, se vendi i tij do të dërgonte 1 miliardë vaksina shtesë në Afrikë vitin e ardhshëm 2022 (më shumë sesa angazhimi global i BE-së për ndarjen e vaksinave).

Po ashtu Xi tha se Kina do të ndajë me Afrikën 25 për qind të pjesës së saj të fondeve që merr nga FMN-ja, dhe kjo pas një kërkese të bërë vetëm disa ditë më parë nga presidenti senegalez Macky Sall. Në majin e këtij viti, udhëheqësit evropianë dhe ata afrikanë shkruan një shkrim të përbashkët ku u bënin thirrje vendeve të ridrejtonin 100 miliardë dollarë fonde të FMN-së për kontinentin afrikan.

Por, 7 muaj më vonë, vendet anëtare të BE-së, Franca, Spanja dhe Italia janë zotuar të japin vetëm 20 për qind të fondeve të tyre, ose 12.2 miliardë dollarë në total. Ky zhvillim nuk është aspak pozitiv në prag të samitit të BE-së me Unionin Afrikan në shkurtin e vitit 2022, që synon të rivendosë marrëdhëniet midis Afrikës dhe Evropës.

Komisioni Evropian thekson se një nga projektet e tij kryesore përpara samitit, “Global Gateway”, do të ofrojë300 miliardë euro investime për vendet në zhvillim për të kundërshtuar nismën e Kinës “Një Brez, një Rrugë”. Por siç  përshkroi “The Economist”, ky projekt është thjesht një kombinim i “angazhimeve ekzistuese, garancive të huasë dhe supozimeve heroike në lidhje me aftësinë e klubit për të kryer më shumë investime sesa ato aktualet”.

Ja një ide alternative:udhëheqësit evropianë duhet të zbatojnë një plan vendimtar dhe të besueshëm për t’i dhënë fund pandemisë kudo në botë. Në Samitin e G20 muajin e kaluar, kryeministri italian Mario Draghi dhe udhëheqës të tjerë, vendosën objektivin e vaksinimit të 70 për qind të popullsisë së botës deri në shtatorin e vitit 2022.

Deri më tani, përpjekjet e tyre për ta arritur këtë synim janë shumë të zbehta. Udhëheqësit evropianë duhet të financojnë plotësisht një plan për të garantuar përmbushjen e këtij objektivi, duke ofruar pjesën e tyre të 43 miliardë dollarëve të nevojshëm për të siguruar furnizimin e mjaftueshëm me vaksina, duke investuar në sistemet e kujdesit shëndetësor për të prodhuar vaksinat dhe luftuar hezitimin ndaj tyre.

Ata duhet të mbështesin një heqje të përkohshme të pronësisë intelektuale për ilaçet që lidhen me Covid-19, të shtojnë iniciativat e tyre mbështetëse për të rritur prodhimin e vaksinave dhe flakoneve për t’i mbajtur ato, dhe të ndajnë me shpejtësi dozat e vaksinave, duke qenë transparent në lidhje me afatet kohore të prodhimit, për t’i dhënë mundësi vendeve që të përgatiten për ardhjen e tyre.

Po ashtu, udhëheqësit evropianë duhet të ndihmojnë vendet më të cenueshme që ta marrin veten nga goditja ekonomike që shkaktoi pandemia. Ata duhet t’i përgjigjen thirrjes së homologëve të tyre afrikanë për të akorduar një fond shtesë prej 100 miliardë dollarësh në formën e kredive nga Banka Botërore gjatë samitit të Tokios që pritet të mbahet këtë muaj.

Dhe ata duhet të punojnë për të përmbushur angazhimin e G20 për fondet e FMN-së.

Omicron i vendos udhëheqësit evropianë mes një dileme të fortë:ose të vazhdojë me një strategji, e cila nga perspektiva epidemiologjike, ekonomike dhe gjeopolitike po dështon,ose të bien më në fund dakord për një plan global për ta vënë nën kontroll pandeminë. Kjo e fundit është në interesin e tyre.

Shënim: David McNair, është drejtor ekzekutiv i politikave globale në organizatën “ONE Campaign”.

Back to top button