Analiza

KOMENT / Qejflinj idealistësh!

GRECIA ALLE URNE: LE PROMESSE DI TSIPRAS PER RISOLLEVARE IL PAESE

Nga Mero Baze
Një numër i pazakontë shqiptarësh, edhe nga këta që janë në pushtet, po shikojnë me simpati fitoren e dukshme të liderit të Syrizas, Aleksis Tsipras, duke theksuar fortë disa slogane që kanë të bëjnë me “dinjitetin e Greqisë”, mërzitjen nga politika e vjetër apo dokrra të tjera populiste, që përdor lideri neo-komunist i Greqisë.
Nëse ka një vlerë ngritja dhe fitorja e shpejtë e Syrizas, nuk ka të bëjë me atë çfarë premton dhe as me dokrrat e saj populiste, por me faktin se në një vend ku politika është monopol i një klase të kalcifikuar politike, gjithnjë ka shpresë për ndryshim. Për kaq Aleksis Tsipras vlen të respektohet, si njeri që ia doli të gjunjëzojë dinastitë e vjetra, të majta e të djathta të Athinës, në emër të një demagogjie të re. Ai është një lider i gjeneratës së re, që diti të përdorë pasojat e një krize, që filloi si epokë kundër varfërisë së Greqisë dinjitoze dhe përfundoi si një epokë të pasurish që fundosën dinjitetin e Greqisë.
Por, përtej kësaj nuk ka asgjë të re.
Për të gjithë ata, që në Greqi shikojnë si fajtore Europën, duhet të kujtojnë se Andrea Papandreu ishte një revolucionist i madh anti-fashist dhe gati një komunist shumë më i madh se Tsipras. Ai drejtoi me grusht të hekurt PASOK-un, duke arritur ta kthejë në fuqi politike të majtën izolacioniste të Greqisë, dhe ia doli ta bëjë Greqinë e pasur, kur hoqi dorë nga idealet e tij. Ai ndryshoi historinë e Greqisë, kur futi Greqinë në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ajo është periudha kur Greqia la rrugët me gomarë dhe fshatrat e braktisur, dhe u shndërrua në një shtet modern me autostrada, rrugë rurale, industri, baza ushtarake dhe një shumëfishim të turizmit, duke u bërë vendi i njerëzve të pasur. Ishte epoka perëndimore e Greqisë, ajo që e nxorri atë nga ngërçi i një vendi gati Ballkanik dhe e shndërroi në një destinacion botëror turizmi, falë edhe historisë së saj.
Ajo që sot quhet dinjitet dhe që pretendohet se do të kthehet në vend nga Syriza, është një broçkull. Dinjitet nuk është të mos njohësh borxhin që i ke marrë dikujt tjetër, se për këtë gjoja e kanë pasur fajin disa politikanë. Është e vërtetë, se një kastë e madhe politikanësh grekë janë të majmur, por dhe të majmur kanë qenë, se nuk kanë shkuar barkëtharë në politikë. Pangallosët, Karamalisët, Papadhopullët dhe më pas Papandretë e Micotaqët, nuk vinin nga varfëria në pushtet, siç kanë ardhur politikanët tanë. E vërteta është se korrupsioni bëri punën e vet, por paratë e Europës nuk i hëngrën vetëm politikanët. Bashkë i kanë ngrënë, me ata që kanë marrë nga tre rroga, me ata që s’kanë paguar taksa, me atë shtet rrumpallë, që falsifikonte bilancet për të gënjyer Brukselin dhe që patën kurajon ta pranojnë vetëm dy liderët e fundit të tyre, Karamalisi i fundit dhe Papandreu i fundit, të cilët dolën nga politika vetëm se u përballën me të vërtetën.
Aleksis Tsipras nuk më duket se ka ndonjë ide, përveçse të sillet si një batakçi, që të mos njohë borxhet që vendi i tij i ka marrë Evropës. Idetë e tij për shtetëzim bankash apo kthimin tek dhrahmia, janë thjesht fluska në ujë. Ai nuk më duket as një lider i moralshëm, pasi nuk hyn tek ata të majtët radikalë, që janë në thelb kundër Bashkimit Europian. Nëse ai e ka seriozisht linjën anti-europiane, ai le të bëjë referendum dhe le ta nxjerrë Greqinë nga Bashkimi Europian, dhe ta zgjidhë me ligjet ndërkombëtare çështjen e borxhit.
Por, siç duket në horizont, e gjitha kjo është një përrallë populiste që do të përfundojë sërish në negociata borxhi dhe sërish në një krizë të re, tashmë në emër të “dinjitetit” të Greqisë.
Në një shtëpi, ku i zoti ka marrë borxh sa dyfishi i pagave të shtëpisë, nuk ka më dinjitet, por urtësi për t’u ulur me këmbë në tokë dhe për të larë borxhin. Tsipras do ngelet në histori si një lider që arriti të mund përgjegjshmërinë e atyre që janë përgjegjës për borxhin, me papërgjegjshmrinë e dikujt që e ka rritur deri në 40 vjeç mamaja.
Ata që e adhurojnë nga Shqipëria si idealist, kanë të drejtë, se i ka marrë malli për këtë demagogji që e kemi dëgjuar 50 vjet, por në të vërtetë ajo nuk është një rracë që ka vend në politikë. As këtu s’ka pasur kurrë. Ata që janë thirrur në emër të idealeve, gjithmonë kanë përfunduar më keq se ata që kanë premtuar gjëra më tokësore. “Idealet” anti-fashiste në këtë vend, sollën në pushtet një diktaturë mizore si ajo e Enver Hoxhës, ndërsa “idealet” e demokracisë, një batakçi mizor dhe fisnor si Sali Berisha. Ka 24 vjet, që këtu e djathta u kalb duke kërkuar një të djathtë të vërtetë dhe e majta u ngjirr duke kërkuar një të majtë prej vërteti. Dhe duket se qejflinjtë e idealeve, kanë gjetur “Syriza” si vend të shenjtë të tyre.
Syriza nuk është as e re dhe as e magjishme. Është një e majtë e vjetër sa bota, që ka mundur të majtën tradicionale pro-europiane, me një lloj nacional-komunizmi tipik ballkanik, që kur të bien brekët në fund të këmbëve, kujtohesh e thërret për dinjitet ndaj atyre që t’i kanë ulur.
Aleksis Tsipras meriton të urohet që ia doli të fitojë, por Greqia s’ka fituar ndonjë gjë të madhe. Ka fituar vetëm pak kohë, sa t’i dalë euforia e fitores Tsipras-it, për të vazhduar betejën që e nisën me goxha dinjitet dy vitet e fundit, paraardhësit e tij.

Leave a Reply

Back to top button